Magjia e një poezie

Magjia e një poezie

(Duke rilexuar poezinë “Ura e Maskatarit” të Mirko Gashit, në 24 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim).

Nga: Sherafedin KADRIU

Nuk e quajtën kot bohemi i poezisë shqipe! Jo për gjashtë përmbledhjet poetike të tija, po për rrjedhën lirike që vështirë se e gjen tek pak poet. Ky është ai poeti që shkruan me fjalë të rëndomta, të cilat në vargun e tij çrëndomtësohen dhe jo vetëm marrin nga magjia, po edhe dhurojnë magji.

Në dritën e idealit, ai nuk heshti për të shkuarën e afërt përplot pikëllime për trishtime që nuk ndodhnin në teatër, po në Karadakun e tij, ku derdhej gjak në çdo vatër. Në pastë politikë, në pastë kundërshti, në pastë dashuri, ai diti si t’i shpërfaqë në vargun e ironizuar deri në klithje sarkastike:

Ilan, ilan –
na quanin asokohe
në Gjilan e ne
vërtetë
ishim astritë
nëpër pyje
le e rritë

Natyrshëm që ka emocione në vargjet e “Urës së Maskatarit”, që shpërthejnë si shprehje e ndjenjave të trishtuara. Natyrshëm që trishtimi është i shkallëzuar sepse personalja është shkrirë në të përgjithshmen, e që si e tillë karakterizon gjeografi të caktuar, sikundër edhe popullsi të identifikuar moshash e gjinish të ndryshme, si dhe situata sociale të shkaktuara nga rrethana, që kësaj here janë pasojë e atyre që s’e kishin për gjë të Shkrepnin vetëtimat për të trishtuar jetimët. Dhe jo vetëm kaq:

rrufetë shkretonin
mal e fushë
ujin turbullonin
një vetëtimë
një rrufe
një lis për toke
një rrudhë
e nënës loke
trishtim – qumësht
për çdo jetim

Kjo nuk është Ura e Fshejt në Gjakovë, as Kështjella e Rozofatit në Shkodër, ku lirika spërkat dramatiken e sjelljeve uniformash legjendare, – kjo është Ura e Maskatarit të Gjilanit, ku nëpër ditën me diell:

Me dekada e tëhu
……….
kokat
na i ngulnin në hu

Kjo është ura që s’u ndërtua me gurë/po me lisa të prerë. Çfarë simbolizmi i metaforizuar, i ndërtuar me shije që buron nga dhembja, sepse:

Pas çdo lisi të prerë
zgjohej nga një erë
më parë stuhi
e pastaj puhi
që ndjell pranverë

Dhe ja shkallëzimi tjetër logjik, filozofik e artistik njëkohësisht: pas stuhisë vjen puhia që ndjell pranverë. E pra, pa prerje lisash që nuk janë tjetër veç burrat më të mirë të atdheut, për të cilët nuk pushon dhembja nëpër mote, – nuk ardhka liria. Kush e ka thënë më mirë e më guximshëm, mu në prani të censurës sllavokomuniste?!

Le ta vazhdojmë këtë ide të nisur për të pasqyruar lojën e fjalëve në këtë kontekst. Ilan, ilan – shprehet autori, e që nuk paraqesin tjetër thirrje për ne, pos: i lanë, i lanë vatrat stërgjyshore, njëkohësisht duke iu gëzuar shpërnguljeve gjatë Moteve të Mëdha. Ç’është e vërteta, historia e dhimbjeve nëpërmjet tekstit poetik ka shpërfaqur “bukurinë e zezë” të së vërtetës së jetës së popullsisë, jo vetëm të krahinës së Karadakut. Prandaj, ka përsëritur qëllimshëm kushtrimin për ndejë në trojet që para nesh kanë parë bebëzat e të parëve :

e ne vërtetë
ishim astritë
nëpër male
le e rritë.

Në situata të tilla fort shtrëngoheshim për tokën, sa më shumë na shtynin, se vetëm në të e ndjenim veten të lirë, në tokën tonë të mirë. Ishim astritë Arbërie! Të shpejtë e të shkathët. Trima sypatrembur se ndryshe, gjithnjë me okupatorë mbi kokë, do ta kishim fatin e si shumë popullsive të zhdukura gjatë prehistorisë e historisë.

Pjesa e fundme e poezisë që del pakëz deklarative, në të vërtetë paraqet mjeshtërinë artistike të këtij bohemi të letërsisë shqipe, për ta shpërngulur idenë në një periudhë të pranueshme historike me qëllim që ta shpërqendrojë censurën e kohës.

Në bebëzat
e të parëve të mi
u zgjua e bardha agmi
pushka krisi
u mboll lisi
u zhduke ferri
lëshoi kushtrimin
Idriz Seferi.

Emri i Idriz Seferit, nuk mund e të mos qëndronte në një poezi të këtillë të Mirko Gashit, edhe për faktin se ai burrë lufte gjithmonë e gjithherë vajin për atdheun e robëruar e veprimtarinë për agminë e synuar e bënte shpesh në kullat e Stubllës së Epërme, bashkë me mësuesin Mikel Tarabulluzi, Engj Pal Koliqi, Joz Ballabani, Jak Munishi e Martin Gjergji.

Krejt në fund do të thoshim se është një nga ato poezitë lirike që ka brenda epikën e tragjiken të kallur në krenari për rëniet që zgjojnë kurdo bardhësi agmie

KOMENTE