Magjia e kinemasë do të vjen në Gjilan përmes muzikës live
Dashamirët e muzikës dhe kinemasë do të kenë mundësinë të përjetojnë një mbrëmje të veçantë artistike në Gjilan, ku tingujt e kolonave zanore më të njohura të filmave do të marrin jetë përmes një koncerti live.
Në ambientet e Shkollës së Muzikës në Gjilan, më 29 prill 2026, duke filluar nga ora 20:00, do të mbahet koncerti që synon të ofrojë një mbrëmje magjike me muzikë filmi, me idenë për të sjellë emocione të veçanta për publikun, , transmeton 2LONLINE.
Në këtë koncert do të performojnë tre instrumentistë dhe njëherësh mësimdhënës të Shkollës së Muzikës në Gjilan: Arzie Jusufi në violonçelo, Hajrije Bislimi në piano dhe Argëtim Bajrami në violinë. Ata do të interpretojnë vepra të njohura nga filmat më të dashur për publikun, duke krijuar një atmosferë që ndërthur artin muzikor me magjinë e ekranit të madh, transmeton 2LONLINE.
Organizatorët bëjnë të ditur se koncerti synon t’i ofrojë publikut një udhëtim unik në botën e kinemasë përmes melodive që kanë lënë gjurmë ndër vite.
Kjo ngjarje pritet të mbledhë adhurues të muzikës klasike, por edhe ata të filmit, në një mbrëmje që konsiderohet si një përvojë artistike që nuk duhet humbur. /2LONLINE/
