Mafia politike!

(2LONLINE) – Në çdo vend ku ka luftë, ku vriten njerëzit, gjithçka vjen si rezultat i politikës së keqe. Në çdo vend ku ka korrupsion, vidhet populli, e gjitha është rezultat i politikës së keqe. Në çdo vend ku ka papunësi të madhe, çdo gjë vjen si pasojë e politikës së keqe. Në çdo vend ku shteti nëpërmjet mediave mashtron, apo gënjen opinionin, sërish është rezultat i politikës së keqe.

Politikanët e mirë (që janë shumë të rrallë) duhet të lavdërohen, kurse të këqijtë duhet të kritikohen. Te ne, shumica e politikanëve janë të këqij, janë të devijuar nga politika dhe nuk e duan njëri-tjetrin, por problematika e krijuar këtu është se interesat e tyre janë të njëjta dhe ndër to mund të përmenden: të jemi të vrazhdë me popullin deri në pikën e fundit; ta zhvillojmë biznesin (kontrabandën) edhe më shumë; të vjedhim aq sa nuk kemi ku t’i lëmë paratë; të rrisim përqindjen e korrupsionit; të rrisim përqindjen e varfërisë (e gjithë lekët të vijnë te ne, do të thotë te politikanët); të bëjmë krime në mënyrë të pamëshirshme etj.

Këto zgjedhje, ato të kaluarat dhe ato të ardhshmet do të karakterizohen nga ky biznes me votën, si nga njëra parti, po ashtu edhe nga tjetra. Kjo është gjë e pajustifikueshme. Ne si popull i kemi mbyllur sytë që nga pas lufta. Ende i kemi të mbyllur dhe për t’i hapur mos të na shkojë mendja, sepse ata që i kemi sot në pushtet na i kanë mbyllur neve (popullit) me “dhunë” sytë , me gënjeshtra, me krime dhe me premtime boshe.

Ne si popull asnjëherë nuk do t’i hapim sytë, pasi “pëlqejmë” errësirën. Realisht, kjo mafia politike te ne nuk është aspak e fuqishme, por neve na duket ashtu, sepse thjesht jemi të pafuqishëm. E vetmja fatkeqësi që po e vuajmë dhe do ta vuajmë është padituria. Ne atë nuk e kemi dhe nuk interesohemi ta kemi, dhe kjo gjë do na shkaktojë e po na shkakton shumë probleme. Sa më larg partive politike, aq më larg negativitetit, krimit, varfërisë, korrupsionit, injorancës arsimore etj. Por, të paktën, më afër realitetit pozitiv…

(autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme “Lajm”)

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE