Kryetari i Lëvizjes Vetëvendpsje, Visar Ymeri, mbajti sot konferencë për media ku foli për zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Ai tha se sot edhe njëherë u dëshmua nga përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës se kjo Qeveri nuk e ka ndërmend që të reflektojë fare, e as ta marrë seriozisht kërkesën e qytetarëve që të largohet sa më parë.
“Edhe nga deklarimet e sotme, është e qartë që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka ndërmend që të vazhdojë me proceset që deri tash e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje, që e kanë kërcënuar Republikën e Kosovës, territorin e saj, sovranitetin e saj, të përmbledhura këto në marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi dhe në marrëveshjen për “Zajednicën”. Kjo dëshmon që shkaktarët e krizës janë drejtpërsëdrejti koalicioni qeverisës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. Zgjidhja nuk mund të jetë përmes marrëveshjeve ose dakordancës me ta, por zgjidhja do të jetë domosdoshmërisht zgjidhje e qytetarëve, e qytetarëve protestues”, theksoi Ymeri, duke shtuar se ndryshimi për të cilin Kosova ka nevojë është ndryshimi që përfundimisht do t’ia kthejë institucionet e Republikës së Kosovës interesit të qytetarëve dhe vullnetit politik të tyre.
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk mund të vazhdojë tutje të qëndrojë në pushtet, dhe nuk mund të shpresojë se do të ketë marrëveshje për t’i mbajtur ata në pushtet. “Ata po e dëshmojnë se do të vazhdojnë ta përdorin postin publik për ato që i kanë përdorur deri tash: për ta pasuruar veten dhe për ta kërcënuar Republikën e Kosovës me marrëveshje prej të cilave nuk po duan të heqin dorë”, tha Ymeri.
Prej 9 janarit e tutje, kemi një lëvizje shoqërore, që shkon përtej subjekteve të opozitës së bashkuar, që po kërkon largimin e Qeverisë. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi vazhdojnë ta kërcënojnë Republikën e Kosovës me statutin e “Zajednicës” dhe me zbatimin e marrëveshjes për demarkacion. Këtu nuk mund të ketë kompromis, meqë qëndrimet e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Kosovës janë në mbrojtje të Republikës, ndërkohë që i kemi qëndrimet e këtyre dy personave që janë në kundërshtim me idenë e sovranizimit të Republikës dhe me integritetin territorial të kësaj Republike.