Kuvendi i Republikës së Kosovës ka refuzuar miratimin e Amendamentit kushtetues për themelimin e Dhomave të specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Nenin 162). Ky vendim i Kuvendit të Republikës i bazuar në votën e lirë të deputetëve sipas përgjegjësisë së tyre, është legjitim, fuqiplotë dhe i pandryshueshëm. Ai është i detyrueshëm për të gjithë.
Cilado tendencë e Ekzekutivit për ta riproceduar dhe rivotuar këtë Amendament është shkelje e papranueshme e parimit bazë të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve. Kjo e rrezikon pakthyeshmërisht integritetin institucional të vendit dhe fuqinë e vendimeve të organit më të lartë legjislativ në vend, Kuvendit. Njëkohësisht paraqet shkelje të votës së lirë të deputetëve.
Kështu thuhet në një komunikatë të Vetëvnedosjes për të vazhduar se kundërshtimi i themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar përmes këtij Amendamenti kushtetues është i drejtë, legjitim dhe në mbrojtje të drejtësisë universale dhe sovranitetit të Republikës e integritetit institucional të saj. Një mbrojtje e tillë e integritetit institucional dhe parimeve universale karshi drejtësisë selektive është detyrë e secilit deputet pavarësisht subjektit që i përket a qëndrimit të tyre politik karshi çështjes. Aq më tepër bëhet e rëndësishme në këtë kohë të shpërfilljes flagrante që Ekzekutivi po ia bën autonomisë së Legjislativit dhe vendimeve të tij.
Deputetët e Kuvendit të Republikës që e kanë kundërshtuar Amendamentin kushtetues kanë vendosur drejt sepse kanë vendosur për Republikën e Kosovës si shtet sovran, për drejtësi universale dhe për barazi para ligjit. Ky vendim është në përputhje me vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe në përputhje me interesat e tij. Ky vendim është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm drejt kthimit të institucioneve të Republikës kah interesat publike e shtetërore kundër nëpërkëmbjes e imponimit.
Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës kanë nevojë për deputetë që e mbrojnë atë dhe ia mbrojnë interesat atij, për deputetë që punojnë për qytetarët dhe në të mirë të tyre. Kuvendi i Republikës do të ketë nevojë përherë për deputetë të tillë, thuhet në fund të Komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje.