LVV: rruga drejtë zhvillimit përmes Bujqësisë
(2L ONLINE) – Prezentimi i Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje ka vazhduar edhe sot. Me këtë rast, kandidatët për deputetë prenzetuan programin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim rural.
Besa Baftiu, kandidate për deputete tha se bujqësia zë një vend shumë të rëndësishëm në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Pra, zhvillimi i këtij sektori drejt efiçiencës dhe efikasitetit, përve¬se ndikon dukshëm në rritjen ekonomike dhe rritjen e mirëqenies, krijon edhe kushte për angazhimin e kapaciteteve humane. “Ne konsiderojmë që Kosova ka nevojë për nja strategji 9 vjeçare, të ndarë në 3 faza të zhvillimit me nga 3 vite. Deri më tash, buxheti për bujqësi ka qenë shumë i vogël. Në vitin 2013 për bujqësi janë ndarë 23 milionë euro”, shtoi Baftiu. Baftiu tha se ne mendojmë që hapi i parë domosdoshmërisht është planifikimi i buxhetit për bujqësi duke filluar nga faza e parë që do të rritej nga 60 milionë në vitin e parë deri në 120 milionë euro në vitin e tretë.
Ismajl Kurteshi që po ashtu është kandidatë për deputetë tha se prodhimet e importuara i shkaktojnë shumë probleme prodhimeve vendore. Mungesa e pikave grumbulluese për prodhimet bujqësore po ndikon negativisht në situatën e produkteve tona bujqësore nëpër tregje, si dhe në dekurajimin e bujqve për tu marrë me bujqësi. Po ashtu nuk ka ndonjë strategji për të mbrojtur produktet vendore. “Hap shumë i rëndësishëm është investimi në infrastrukturë për mbështetjen e aktiviteteve bujqësore ku përfshihen: ngritjen e kapaciteteve përpunuese, krijimin e pikave grumbulluese dhe depove për ruajtjen e prodhimeve, zgjerimin e kapaciteteve të serrave, shtimin e fondit blegtoral, shfrytëzimin racional të pyjeve e të tjera” tha Kurteshi. Kurteshi tha se me qëllim të planifikimit më të mirë, organizimit të shtuar dhe futjes së ekspertizës profesionale drejt rritjes së rendimentit nevojitet lidhja e prodhuesve bujqësorë me Fakultetin e Bujqësisë.
Shemsi Syla tha se strategjia jonë është e ndarë në 3 faza, në fazën e parë do të orientohet drejt zëvendësimit të ngadalshëm të bujqësisë tradicionale me në bujqësi të organizuar si dhe ngritje të infrastrukturës bujqësore. Në fazën e dytë do të orientohet drejt zhvillimit rural të vendit përmes krijimit të mëtutjeshëm të infrastrukturës bujqësor, zhvillimit të agroturizmit, zhvillimit të industrisë dhe kapaciteteve përpunuese. Kurse në fazën e tretë do të zhvillohet bujqësia intensive. Do të përfundohet krijimi i shumë fermave të mëdha, me aksionarë apo me kooperim fermerësh, të cilat do të huazonin parcelat e vogla e kështu do të krijohen ndërmarrje që kanë kapacitete të investimit dhe përdorimit të teknologjisë bashkëkohore. Syla shtoi se institucionet publike si shkollat, spitalet, qeveria, kuvendi, pushteti lokal etj, do të pajisen me kuzhinat e tyre (nëse nuk i posedojnë tani ato) që do të furnizohen prej produkteve ushqimore bazë nga bujqit vendës.
/ e sponsorizuar/
