Student i Filozofisë, Gentian Amzai nga Struga, ishte nisur nga Tirana që të merrte pjesë në protestën e 17 shkurtit. Ai jo vetëm se u ndalua nga policia kufitare në pikën Morin – Vërmicë, bashkë me dhjetëra protestues të tjerë, por edhe u arrestua dhe po vazhdon të mbahet në burg në Prizren. Amzait i janë shqiptuar 30 ditë paraburgim dhe procesi është duke vazhduar, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.
Gentian Amzai është i burgosuri politik i dymbëdhjetë, i cili po mbahet në burg për shkak të kundështimit të kësaj qeverie dhe ndaj projekteve të dëmshme për Kosovën. Kjo qeveri, që ia shtron rrugën Serbisë për të ardhur në Kosovë po pengon për të satën herë që qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në protestë duke shprehur solidaritetin e tyre në Kosovë. Arrestimi dhe mbajtja e tij janë të papranueshme dhe fyese për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Gentianit dhe njëmbëdhjetë të burgosurve të tjerë, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.