Lëvizja Vetëvendosje priti në takim sot një delegacion nga Partia Demokratike e Shqipërisë, të udhëhequr nga Kryetari Lulzim Basha. “Diskutuam për politikën në Kosovë, Shqipëri, për sfidat e përbashkëta të Shqipëri e të Kosovës, për çështjet kyçe të interesave të përbashkëta të shqiptarëve, dhe për qasjet më konstruktive të mundshme në drejtim të zgjidhjes së këtyre sfidave. Pa asnjë dilemë, Vetëvendosje përfaqëson një pasuri kombëtare”, tha ndër të tjera Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, pas takimit që zhvilloi në Lëvizjen Vetëvendosje.
Kryetari i Vetëvendosje-s, Visar Ymeri, theksoi se në këtë takim u këmbyen ide dhe përvoja në skenën politike, veçanërisht për nevojën dhe domosdonë që Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë të jenë dy shtete që i kontribuojnë kombit shqiptar. “Bashkëpunimi mes dy shteteve të jetë bashkëpunim që i zhdukë barrierat dhe pengesat e komunikimit si ekonomik ashtu edhe arsimor, por edhe politik, në mes të dy vendeve, në mënyrë që potenciali i faktorizimit të shqiptarëve në rajon të bëhet realitet”, theksoi Ymeri.