LVV dhe LDK dërgojnë në Kushtetuese Ligjin për Dialogun

LVV dhe LDK dërgojnë në Kushtetuese Ligjin për Dialogun

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës mbajtën konferencë të përbashkët për mediat në ambientet e Kuvendit për procedimin nga ana e tyre në Gjykatën Kushtetuese të Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovë në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë. Në konferencë folën deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu dhe deputeti i LDK-së Driton Selmanaj.

Dy subjektet opozitare e kundërshtojnë këtë Ligj për shkak të shkeljeve në të paktën tetë nene të Kushtetutës së vendit. LVV dhe LDK po ashtu kërkojnë vendosjen e masës së përkohshme për ta ndaluar instalimin e këtij precedenti të rrezikshëm dhe kërkojnë një seancë dëgjimore për të argumentuar çështjet e ngritura prej tyre.

Ligji kundërshtohet për tendencën e tij për ndryshimin e hierarkisë kushtetuese, për ndërhyrjen në kompetencat e pushtetit ekzekutiv e legjislativ dhe për mbivendosjen e tij si një ligj me natyrë speciale mbi ligjet e tjera. Bëhet fjalë për shkeljen e Kushtetutës përkatësisht në nenin 2 në lidhje me sovranitetin e Kosovës, në nenin 4 mbi formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushteteve, në nenin 7 mbi rendin kushtetues, në nenin 18 mbi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, në nenin 20 për bartjen e sovranitetit dhe kalimin e kompetencave shtetërore, në nenin 65 mbi kompetencat e Kuvendit, në nenin 93 mbi kompetencat e Qeverisë dhe në nenin 94 mbi kompetencat e Kryeministrit.

Ky projektligj e shpërfytyron institucionalisht Republikën e Kosovës duke autorizuar një trupë antikushtetuese dhe duke cënuar rëndë parimin e ndarjes së pushteteve në Kosovë.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj u shpreh se, “si grupe parlamentare, si deputetë të dy partive politike e kontestojmë në tërësi kushtetuetshmërinë e këtij Ligji, besojmë që përgjigja do të jetë edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që ky projektligj të rrëzohet dhe si i tillë mandati kushtetues i institucioneve të mos cënohet”.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu tregoi se projektligji është i gatshëm të shkelë kushtetutën vetëm për t’i shërbyer projektit për ndarjen e Kosovës të propaganduar nga Presidenti Thaçi. “Gjithë kjo aventurë e fundit është pra në shërbim të plotë të Hashim Thaçit. Në këtë kaos të qëllimshëm, që po krijojnë aktorët që ishte dashur të ruajnë aktorët që ishte dashur të ruajnë koherencën e politikës së jashtme dhe sovranitetin e integritetin territorial, përfshihet edhe i ashtuquajtur Ligj për Dialogun”, tha deputetja Haxhiu.

Deputetët e dy subjekteve opozitare deklaruan se veprimet e tyre nuk do të kufizohen këtu. Në rastin e ezaurimit të të gjitha mjeteve juridike për kundërshtimin e këtij projektligji dhe të këtij projekti angazhimi do të vazhdojë në shfrytëzimin e të drejtës për të protestuar kundra një procesi kaq të rrezikshëm.

KOMENTE