/2L ONLINE/ – Dy subjektet politike në Gjilan, Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndonëse në nivelin lokal i takojnë taborëve të ndryshme, pozitë dhe opozitë, kur është në pyetje niveli qendror, ato janë bashkë si pjesë e opozitës së bashkuar, dhe përfaqësuesit e tyre, i kanë ftuar të enjten gjilanasit që t’i bashkëngjiten protestës së 26 marsit, që do të mbahen në Prishtinë, në ora 14:00 në sheshin “Skënderbeu”.
Luan Aliu, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka thënë se opozitë e bashkuar si përherë, që nga momenti i nënshkrimeve të marrëveshjeve antikushtetuese nga kryeministri dhe ish zëvendëskryeministri, është i vendosur për të protestuar tutje, me protesta paqësore. Qeverisja e tanishme ka bërë shkelje kushtetuese dhe e ka delegjitimuar veten e saj. Ajo përveç dorëheqjes duhet të jep edhe llogari.
Aliu tha se interesim i i gjilanasve është tejet i madh për këtë protestë dhe për këtë arsye, opozita e bashkuar do të kujdeset për të mundësuar transportin për protestuesit që nuk kanë mjete dhe se autobusët në mënyrë të organizuar do të nisën në ditën e caktuar për në Prishtinë. Sipas tij, nisja do të bëhet nga sheshi i shkollave të mesme, ku grumbullimi do të nis prej orës 11, ndërsa nisja në ora 12:00.
Me këto protesta qytetarët do t’i thonë mjaftë këtij pushteti me këto shkelje të shumta që i ka bërë deri tani
Ibish Ibishi, nënkryetar i Degës së AAK-së në Gjilan ka thënë se sikurse protestat tjera edhe kjo do të organizohet në mënyrë ne njëjtë, do të jetë paqësore dhe se pritet pjesëmarrja të jetë edhe më e madhe.
Ai tha se kjo qeveri duhet të bije, të dorëhiqet për t’i lënë mundësi zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, protesta nuk e ka kuptimin partiak, por qëllimi është të vihemi në mbrojtje të shtetit të Kosovës andaj ftohen qytetarët gjilanas por edhe të tjerë, pa dallim partie, t’i bashkohen kësaj proteste.
Përndryshe, ai tha se protestat pret të kenë efektin e duhur dhe në këtë drejtim ai tha se edhe protestat e deritanishme në njëfarë mënyre kanë pas efektin e tyre, për demarkacion, presidentja aktuale ka formuar një komision edhe pse për të ka vërejtje, pasi nuk janë ftuar ekspertët kombëtarv dhe kjo është e papranueshme, dhe edhe për asociacionin e komunës fjalën e saj e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, ani se pushteti nuk po e pranon.
Andaj, sipas ibishit, nuk duhet ndalur së reaguari, por qytetarët duhet ngritur zërin në mbrojtje të shteti të Kosovës. Sipas tij, zgjidhja është në zgjedhje që duhet të mbahen patjetër që të ndryshojë kjo situatë e keqe/2L ONLINE/