DYLON

Lutfi Haziri, zëri i maturisë në politikën kosovare

Lutfi Haziri, zëri i maturisë në politikën kosovare
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Avdyl Jerliu

Në një kohë kur fjalët peshojnë më pak se kurrë më parë dhe deklaratat politike shpesh bien nën hijen e emocioneve afatshkurtra, Lutfi Haziri mbetet një prej figurave politike më të qëndrueshme dhe të matura të skenës politike kosovare.

EkoHigjiena

Ai nuk është vetëm një emër i përveçëm në historinë moderne të vendit tonë, por një simbol i përfaqësimit të dinjitetshëm të vlerave që ndërtuan shtetin e Kosovës.

Kur Luta thotë se “pa LDK-në, as nuk shkaktohen procese e as nuk mbyllen procese”, ai nuk po bën thjesht një deklaratë politike, ai po jep një vlerësim historik dhe institucional mbi rolin thelbësor të Lidhjes Demokratike të Kosovës në të gjitha etapat vendimtare për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

LDK-ja në vitet e nëntëdhjeta ishte themeli i lëvizjes paqësore, një strukturë që mbajti gjallë idealin e popullit shqiptarë për shtetit e Kosovës.

Në të njëjtën frymë, Lutfi Haziri  si njëri nga figurat kyçe të LDK-së ka qenë aty ku janë filluar proceset më të rëndësishme për vendin, duke filluar nga Gjilani, Prishtina , Brukseli, Washingtoni  dhe në çdo vend ku duhej guxim, vizion dhe maturi politike.

Por ajo që e veçon Lutfi Hazirin nuk është vetëm përvoja apo pozitat që ka mbajtur për dekada me radhë por është aftësia e tij për të kuptuar se politika nuk është art i konfliktit, por i harmonizimit të interesave dhe i ndërtimit të konsensusit.

Sipas Lutfi Hazirit, politika nuk nënkupton të gjesh rrugëdalje për të ikur nga problemi, por nënkupton të keni dije dhe guxim për tu përballur me problemet dhe për ti zgjidhur ato.

Ai flet pak, por kur flet, fjalët e tij janë reflektim i realitetit të palëkundur. Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme dhe për liderë që mendojnë përtej cikleve zgjedhore.

Deklarata e tij është një kujtesë për të gjithë se pa LDK-në, nuk ka zhvillim të qëndrueshëm, nuk ka stabilitet institucional dhe nuk ka vizion kombëtar të konsoliduar. Sepse LDK-ja nuk është vetëm parti, ajo është një traditë politike që ngërthen në vete idenë e shtetformimit, të përfaqësimit qytetar dhe të vizionit euroatlantik.

Sot, kur shumë flasin për të ardhmen, por pak e ndërtojnë atë, Lutfi Haziri dhe fjala e tij e qëndrueshme mbeten si një busull në një kohë turbulencash. Ai na rikujton se vetëm duke u kthyer te rrënjët tona, te vlerat dhe te institucionet që i kemi ndërtuar me mund dhe sakrificë, mund të ecim përpara me siguri dhe dinjitet të lartë.

Andaj pa LDK-në as nuk shkaktohen procese dhe as nuk mbyllen procese!  /2LONLINE/