Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar i parë në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka mbajtur konferencë për media, ku ka adresuar një varg kritikash për qeverinë komunale.
Nënkryetari i parë i LDK-së ka folur, siç u shpreh, “dështimin e Komunës së Gjilanit për fillimin dhe vazhdimin e disa projekteve në Gjilan, sidomos për mosinteresimin total të qeverisë komunale për autostradën e Gjilanit”.
“Autostrada e Gjilanit ka mbetur në stagnim për shkak të mospërfundimit të angazhimeve konkrete të qeverisë dhe për shkak të mosinteresimit total të komunës për t’i dhënë shtytje dhe buxhetim përfundimit të fazës së parë të punimeve prej Lipjanit në drejtim të Bresalcit dhe moshpallja dhe mosnjoftimi prej Gllamës në drejtim të Konçulit. Ajo çka neve na brengos është mosinteresimi total dhe anashkalimi i komunës tonë”, ka thënë Haziri.
Por, Haziri ka ironizuar duke permendur një ‘sukses’ të qeverisë komunale për këta gjashtë muaj, siç tha ai, “vendosja e shqiponjës së vogël në sheshin e Gjilanit”.
“Ekzekutivi i Gjilanit të zgjohet nga gjumi, ta pastroj shqiponjën e vogël që e ka vendos në shesh, tek këmbët e dëshmorëve Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si të vetmin ‘investim’ që e ka bërë këta 6 muaj të qeverisjes”, u shpreh Haziri.
Nënkryetari i parë i LDK-së në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka kërkuar që udhëheqja e Komunës së Gjilanit që të bëjë trysni, kërkesa e lutje te qeveria qendrore për realizimin e projekteve kapitale të buxhetuara: vazhdimin e ndërtimit të shëtitores mbi lumin Mirusha, vazhdimin e ndërtimit të hyrje daljeve Gjilan-Kllokot, Gjilan-Prishtinë, Gjilan-Kamenicë. /2LONLINE/