DYLON

Lutfi Haziri: Gjilani ndodhet në një bllokadë të përgjithshme zhvillimore

Lutfi Haziri: Gjilani ndodhet në një bllokadë të përgjithshme zhvillimore
Redaksia

“Gjilani sot ndodhet në një bllokadë të përgjithshme zhvillimore. Në vend të një vizioni të qartë dhe projekteve që i japin qytetit perspektivë, po përballemi me projekte të nisura njëkohësisht, pa koordinim të duhur dhe në kundërshtim me procedurat ligjore”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i LDK-së, Dega në Gjilan.

Ai shtoi se qyteti po përjeton degradim të vazhdueshëm, ndërsa mungojnë projektet e mirëfillta zhvillimore që do të përmirësonin jetën e qytetarëve. Në vend të zhvillimit, Gjilani po përballet me çrregullim urban, bllokim të qarkullimit dhe mungesë të një planifikimi serioz institucional.

EkoHigjiena

“Shqetësues është edhe fakti se, ndërsa po hyjmë në mesin e muajit nëntor, shumë shkolla në Gjilan vazhdojnë të jenë pa ngrohje dhe po detyrohen të zhvillojnë mësimin me orar të shkurtuar. Për më tepër, në të gjitha shkollat e komunës vërehet mungesë e theksuar e orëve mësimore, si pasojë e vonesave në zhvillimin dhe përmbylljen e konkursit të punësimit dhe mungesës së stafit arsimor”, ka thënë tutje Haziri.

Sipas tij, kjo situatë po cenon drejtpërdrejt procesin mësimor dhe të drejtën e nxënësve për arsimim cilësor. “Është e papranueshme që, në këtë fazë të vitit shkollor, nxënësit të përballen me mungesë të ngrohjes, orar të shkurtuar dhe humbje të orëve mësimore për shkak të mungesës së planifikimit dhe përgjegjësisë institucionale. Arsimi nuk mund të jetë viktimë e neglizhencës dhe paaftësisë së qeverisjes lokale”, ka thënë i pari i LDK-së në Gjilan.

Sipas Hazirit, LDK në Gjilan do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve, mbrojtëse e interesit publik dhe një opozitë aktive, e vendosur për të kërkuar përgjegjësi, transparencë dhe qeverisje të mirë.

“Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo vendim dhe veprim që dëmton interesin e qytetarëve dhe zhvillimin e Gjilanit, duke ofruar një alternativë serioze, me vizion dhe përgjegjësi për të ardhmen e qytetit”, ka thënë Lutfi Haziri, kryetar i LDK-së, Dega në Gjilan.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.