/2L ONLINE/ – Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan i ka çue në burg, ish kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafën dhe kryetarin aktual të kësaj komune, Lutfi Hazirin. Këtë, ata e kanë bërë përmes një aksioni simbolik të bërë para zyrës së kryetar Haziri, ku kanë shpalosur një pankartë në të cilën shihen, ish kryetari dhe kryetari i Gjilanit prapa grilave. Mbi të shkruhet “E përbashkëta e këtyre është korrupsioni”, ndërsa poshtë shoqërohet me shprehjen e famshme “pronto” të ilustruar sikur del nga goja e protagonistëve të pankartës.
Siç dihet, aktualisht Gjilani ka një ish kryetar komune dhe kryetarin aktual, ndaj të cilëve Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka të ngritur aktakuzë për vepra penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritet zyrtar, për krim të organizuar dhe korrupsion. Në listë të aktakuzës janë po ashtu edhe shumë zyrtarë komunal.
Përndryshe Ilir Hoti, aktivistë i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se PDK e LDK ndonëse subjekte të ndryshme ata në qeverisje janë të ngjashme, në të këqijat që ia kanë sjellë komunës, për të numëruar më pas pikat e përbashkëta.
“Për 16 vite me radhë, që nga zgjedhjet e para të pasluftës në Kosovë, njëra pas tjetrës, duke zëvendësuar njëra tjetrën, në Komunën e Gjilanit kanë qeverisur pandërprerë herë LDK e herë PDK. Me gjithë gjoja konkurrencën dhe luftën e tyre për marrjen e pushtetit, ato nuk kanë dalluar në asgjë në mënyrën dhe formën që kanë qeverisur. Qeverisjet e tyre i ngjajnë njëra tjetrës, si veja-vejes”, ka thënë Hoti, për të numëruar pikat e përbashkëta.
Sipas tij, edhe në 10 vitet e qeverisje së LDK-së edhe në 6 të PDK-së kemi pasur, zero zhvillim ekonomik, vjedhje të votave, premtime të rrejshme të parealizuara, degradim të arsimit, shëndetësisë, ambientit, planit hapësinorë, infrastrukturës publike, keqpërdorimit të pronës dhe pasurisë publike, nepotizëm në punësim dhe shërbime publike, ndërtime pa leje, tenderë të manipuluar dhe të korruptuar, koncentrim të pushtetit në duart të individëve dhe klanit, hajni dhe korrupsion, decentralizim në baza etnike nga njëra dhe implementim të saj nga tjetra, ku komuna ka humbur 12 mijë e 400 hektarë.
Prandaj, sipas Hotit kemi edhe këto aktakuza për hajni e korrupsion dhe se Gjilani ka nevojë dhe e meriton një qeverisje ndryshe nga kjo e LDK-së dhe e PDK-së. /2L ONLINE/