Lutfi Haziri – demokrat, apo demon i demokracisë?!
Shkruan Drilon MILAZIMI
/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga z. Lutfi Haziri është totalisht në kaos. Brenda kaosit janë përfshirë të gjithë ata që nuk i përkasin partisë së Kryetarit dhe që kanë botëkuptime politike ndryshe nga ai.
Ndoshta, më stabil, më të privilegjuar dhe më krenar janë vartësit nga partia e Tij sepse tani u është dhënë drita e gjelbër për sistemimin e tyre në pozita shefash e drejtorash në Komunë.
Shumë nga ta edhe janë sistemuar! Për dallim nga ish Kryetari i Komunës z. Qemajl Mustafa, i cili vazhdimisht dhe me plotë zë thoshte se duhet ruajtur klima politike në Gjilan dhe duhet shikuar kriteret dhe kualifikimet, dhe jo petkun partiak – për një pozitë të mundshme,
Kryetari i tanishëm z. Haziri është dukë rrënuar dhe duke e trazuar skajshmërisht këtë klimë të ndërtuar për disa vite në Komunë. Sot, ose duhet të koketosh në mënyrë tinëzare me të për t’i ruajtur dhe avancuar interesat e Tij, ose duhet ta bartësh librezën e partisë së Tij, për tu sistemuar dhe avancuar në hierarki të një institucioni përkatës.
Sa i përket librezës dhe vijës partiake është edhe një kusht ekstra që doemos duhet ta ndjekësh vijën e Tij dhe jo të oponentit të Tij brenda partiak, nëse dëshiron të jesh i fituar dhe jo i diferencuar.
Fundja, Luta është i mësuar tash me diferencime të këtij lloji. Demokracia e mirëfilltë përbëhet nga shumë rregulla, mirëpo këto rregulla të transmetuara në praktik, më shumë i ngjajnë një sistemi të vjetruar ku diferencimet ideo-politike ishin bazë për të vazhduar rrugëtimin e përmbushjes së synimeve të liderit në interes personal e grupor.
Diversiteti si vlerë themelore e demokracisë, nuk ka vend edhe në politikën demoniane të Kryetarit Haziri. Ndoshta është duke u munduar ta krijoj një trajtë të re të regjimit politik me elemente të autokracisë, oligarkisë, aristokracisë, tiranisë – e në asnjë formë të demokracisë.
Demokracia është kozmetikë vetëm gjatë fjalimeve të Tij. Substancialisht, kryetari në mënyrë shumë perfide është duke bërë spastrim politik në Komunë dhe për fat të keq në përmbushjen e kësaj kauze s’është i vetëm. /2L ONLINE/
