Lutfi Haziri apelon për vetëpërmbajtje: Këto janë dy javët vendimtare kundër Covid-19

Lutfi Haziri apelon për vetëpërmbajtje: Këto janë dy javët vendimtare kundër Covid-19

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri nga mbajtur takimin me përfaqësuesit e të gjitha institucioneve që janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme në kuadër të menaxhimit të situatës emergjente dhe është kërkuar vetëpërmbajtje edhe më e madhe qytetare në këto dy javët e ardhshme të prillit.

“Bazuar në rekomandimet e mjekëve, ekspertëve dhe rekomandimeve të institucioneve shtetërore, kërkojmë një përkrahje edhe më të madhe qytetare, që të kemi vetpërmbajtje edhe në këto dy javët e ardhshme sepse situata është e tillë që kërkon kujdes edhe më të madh. Nuk ka asnjë element për shqetësim, përpos kujdesit të vazhdueshëm në higjienë dhe ruajtje të komunikimit në distancë. Këtë e kërkojmë me qëllimin që të mos qëlloni në vendin e padëshiruar në kohën më të keqe”, ka thënë kryetari Haziri.

Haziri ka potencuar se ky është një virus infektiv me shumë të panjohura, prandaj vetizolimi sipas deklarimit të tij është zgjidhja më e mirë.

“Gjendja në komunën e Gjilanit është e qetë dhe stabile, në bazë të raporteve të shëndetësisë në të gjitha nivelet, gjithashtu edhe sa i përket rendit dhe rregullit, por kërkohet kujdes edhe më i madh. Sot është dita e 24-të e përballjes më pandeminë Covid-19 dhe një lajm i mirë është se për tetë ditët e fundit nuk e kemi asnjë rast të dyshuar”, ka njoftuar kryetari Haziri.

Ai, gjithashtu, ka apeluar të gjithë komunitetin e biznesit i cili është duke dhënë shërbime, pastaj institucionet bankare, institucionet tjera shërbyese, private dhe publike pa dallime, që të vendosin masat e vetëdijësimit të qytetarëve për mbajtjen e distancës dhe përdorimin e masave higjienike e sanitare konform ligjit, në të kundërtën detyrohemi që përmes inspeksionit dhe Policisë së Kosovës, të mbyllim veprimtaritë që ato kanë.

“Rregullat e obligueshme duhet të zbatohen në mënyrën strikte, në të kundërtën është i domosdoshëm invervenimi me organet e rendit. Nuk lejojmë askënd që të ketë grumbullim më shumë se 4 persona, prandaj apelojmë që të respektohen rekomandimet e ekspertëve dhe profesionistëve”, ka thënë Haziri.

KOMENTE