(2L ONLINE) – Riad Rashiti anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e PDK-së, subjekt ky opozitar, ka kritikuar kreun e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin për shpenzime të shumta që po i bënë, siç thotë ai, për vizita turistike.
‘I dashuruar pas vizitave turistike, kryetari i Komunës së Gjilanit po vazhdon ta shpenzoj buxhetin komunal në mënyrë të pakontrolluar. Gjatë muajve të fundit ai ka shpenzuar mbi 10 mijë euro të buxhetit komunal, në emër të vizitave zyrtare që i ka realizuar jashtë vendit dhe në emër të pritjes së delegacioneve që e kanë vizituar Gjilanin. Vetëm për vizitën e Ilir Metës në Gjilan janë shpenzuar katër mijë euro. Kjo është dieta buxhetore e Lutfi Hazirit”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, nuk janë problem vetëm shpenzimet enorme të buxhetit komunal për vizitat e tija turistike, por çështja është se asnjë punë serioze dhe asnjë problem i qytetarëve nuk po trajtohet dhe zgjidhet nga mospuna e kryetarit të komunës dhe e institucioneve tjera komunale të cilat kanë mbetur pa zot shtëpie.
Rashiti ka thënë se jemi në fillim të vitit dhe nuk shihet asnjë angazhim të Kuvendit Komunal dhe të ekzekutivit, për të vazhduar përgatitjet para sezonës së pranverës dhe verës, për të vazhduar projektet investive dhe për të nisur ndonjë punë serioze në komunën e Gjilanit.
“Në mungesë të ekzekutivit, të gjithë zyrtarët komunal sikurse kryetari i tyre po merren vetëm me vizita, ai jashtë vendit e të tjerët nëpër mëhalla, si në kohë fushate elektorale”, thotë Rashiti.
Këtij pushteti në Gjilan i ka humbur busulla në kohë dimri, po verës çfarë do ti ndodhë?, pyet Rashiti i PDK-së.
Normalisht në kohë dimri, qeverisja komunale do të duhet të përgaditej me projekte dhe gjëra të tjera, në mënyrë që me përmirësimin e motit, të jetë e gatshme për të punuar me dinamikë të madhe në realizimin e projekteve të planifikuara, por as kjo nuk po ndodhë fatkeqësisht”, ka thënë Riad Rashiti anëtarë i KK-së së Gjilanit nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/