Luta nuk i do partnerët joserioz, thotë se ka ndërmend formatimin e koalicionit

Luta nuk i do partnerët joserioz, thotë se ka ndërmend formatimin e koalicionit

Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri – Luta, i ka thënë Portalit 2LONLINE.com, se do ta rishikojë partneritetin me subjektet politike me të cilat qeverisë Gjilanin. Ai nuk e ka mohuar faktin se mund t’i ndaj udhët me ndonjë partnerë aktual dhe të krijojë partnerë të rinj me të cilët do të rrugëtojë tutje në bashkëqeverisje me Gjilanin.

Krejt, kjo, siç mësohet, është për faktin e qëndrimeve që e kishin disa nga anëtarët e Kuvendit Komunal nga radhët e subjekteve partnere në bashkëqeverisje, në seancën e fundit, për t’u bërë kësaj here, bashkë (me votë) me opozitën.

Në fakt në seancën e fundit të datës 9 dhjetor, Kuvendi Komunal i Gjilanit ishte mbledhur për të diskutuar rreth lokacionit të ri të varrezave, që është planifikuar në lagjen Zabeli, por që po kundërshtohet nga opozita.

Kuvendi i zhvilloi punimet me një debat të gjerë dhe polarizues, në momente edhe me tensione, por në fund nuk mori asnjë vendim tjetër, përkundër që opozita insistonte që propozimet e saj të dalin në votim.

Dukej se opozita, kësaj here i kishte votat e mjaftueshme, duke u mbështetur edhe në vota të ndonjë anëtari nga pozita. Kjo si duket, e ka acaruar edhe kreun e komunës së Gjilanit i cili nuk e ka fshehur idenë se kjo gjë mund të prodhojë vendim të ri nga ana e tij për ta rishikuar koalicionin, me mundësi të “shkurorëzimit” nga ndonjë partnerë aktual dhe “kurorëzimit” me ndonjë partnerë të ri.

Përndryshe, kur jemi te çështja që e polarizojë edhe kuvendin, lokacioni i ri i varrezave, kryetari Haziri ka thënë se deri më tani, nga pronarët e tokave në atë pjesë, nuk ka pasur asnjë kërkese si ekzekutiv, që ta bëjë një rishikim të projektit të varrezave të qytetit që, siç thotë ai, është miratuar në vitin 2003, e që padrejtësisht për shkak të problemit të pronave, problemi u zgjidh tek këtë vit dhe është bërë revidimi komplet i projektit. Haziri thotë se përderisa kërkesa iu është adresuar Kuvendit Komunal, ky organ po bënë përpjekje me e zgjidh problemin, por në anën tjetër, edhe ai si kryetar komune është duke i shqyrtuar vijat ligjore, mundësitë ligjore me e pa revidimin eventual të projektit të varrezave.

Ndërsa duke folur për partnerët, kryetari Haziri tha se sa i përket AAK dhe AKR-së, që kanë nënshkruar peticion të opozitës, është çështje që ata do duhet me vlerësua a do të duan të rrinë me kulisa apo duan të rrinë e të jenë serioz në koalicion.

“Nëse duan kushërinjve të kushërinjve me ia marue qejfin politikisht, atëherë e dëmtojnë seriozisht koalicionin, sepse koalicioni kërkon obligime dhe përgjegjësi të cilat unë i kanë mbajtur deri më tani, por është çështje e tyre si i vlerësojnë qëndrimet e tyre. Definitivisht do të ketë formatim të koalicionit. Do të konsultohem me të gjitha partitë politike edhe njëherë. Po pretendojë me ndërtuar koalicion sa më të gjerë të mundshëm me të gjithë ata që duan të jenë pjesë e kësaj qeverisje, mbi parime qytetare, pa kushte dhe me një shpërndarje të drejtë të përgjegjësive edhe në ekzekutiv.”, ka thënë për 2LONLINE.com, Lutfi Haziri, kreu i komunës.

Ai ka bërë me dije se shumë shpejtë do t’i nis bisedimet dhe partia e parë me të cilën ka me u konsultua do të jetë Nisma Socialdemokrate. Më pastaj edhe me të gjitha partitë që janë edhe në qeverisje, por edhe ato që janë në opozitë.

KOMENTE