/2L ONLINE/ – Lutfi Haziri – Luta, do të vazhdojë të jetë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Dega në Gjilan, edhe për një mandat, pasi ai ka marrë bekimin e delegatëve të Kuvendit të VIII-të zgjedhor të Degës së LDK-së në Gjilan, i cili po i zhvillon punimet sot në Teatrin e Qytetit në Gjilan.
Haziri ishte i vetmi kandidat për kryetar dege, pasi askush nuk e mori guximin për t’i dal kundër kandidat, andaj ai vetëm se u rikonfirmua nga kuvendarët e LDK-së të këtij Kuvendi, përmes ngritjes së dorës dhe duartrokitjeve. Kuvendi tani po i vazhdon punimet dhe pritet të zgjidhet edhe kryesia dhe delegatët për Kuvendin qendror.
Përndryshe, Haziri vet ende nuk e ka konfirmuar se mund të jetë kandidat edhe për kryetar partie, por se një gjë e tillë pritet të ndodh pasi strukturat partiake në Gjilan por edhe përkrahja në degët tjera të komunave tjera, nuk mungon, thonë burimet e Portalit 2L ONLINE, shumë të afërta me Hazirin.
A do ta sfidojë veten në një garë të tillë, mbetet të shihet. /2L ONLINE/