(2LONLINE) – Lidhja Demokratike ka mbledhur sot të gjitha strukturat e partisë për t’i falënderuar ata për punën e madhe që kanë bërë për fitoren kolosale në zgjedhjet e 3 nëntorit. Lutfi HAziri që nga LDk vlerësohet si njeriu që e ktheu rugovizmin në Gjilan, ka thënë se gjilanasit me 3 nëntor i bënë nderë Gjilanit, me urtësi, me masivitet e solemnitet.
“Mirë se keni ardhur ju që me 3 nëntor i keni bërë nderë LDK-së, i keni bërë nderë Gjilanit, ju që e keni kthyer rugovizmin. Ju jeni ushtarë të Presidentit Rugova, pasi i keni mbrojtur e konfirmuar vlerat e tij politike e kombëtare. Të gjithë në këtë rast janë fitues, qofshin të rinjë, pleq, burra, mjekë, inxhinierë, mësuesë, profesorë. Këto ditë kemi shkuar nëpër fshatra e në lokalitete të ndryshme në Gjilan. Aty ku i kemi gjetur vec dy shtëpi, i kemi konsideruar si të barabartë njësoj sikurse lagjet e fshatrat tjera sepse për LDK vlerë ka njeriu”, ka thënë Haziri.
Haziri I cili doli fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit është shprehur se gjilanasit bënë që më 3 nëntor hijet që silleshin në Gjilan të largohen të turpëruar, pasi që kur dielli del, hijet zhduken.
“Të gjithë rugovistët kanë bërë që hijet të ikin nga Gjilanit, edhe pse sërish po tentojnë që të lypin vota natën e me bodigarda, por kur dielli del, hijet zhduken. Gjilanasi nuk është më jetim, sepse e ka kthyr reagimin rugovist që nuk është vetëm term, por vlerë, respekt, tolerancë, demokraci, është shtet. Ushtar i Ibrahim Rugovës është cdo qytetar që i ka ngritë dy gishta. Cdo njeri që ka ecur në rresht të Rugovës është ushtar i tij”, ka thënë Haziri.
“Komuna është dera e parë e shtetit sepse qytetari është zotëri i komunës ndërsa kryetari është argat i tij. Ata që u munduan ta frikësojnë qytetarin, ata që e keqpërdorën edhe vlerën e luftës edhe të lirisë nuk e meritojnë të marrin vota. Do t’i lëmë pa asnjë votë. Dje janë munduar të na frikësojnë me stupc, por ia kemi hequr. Sot nuk na bënë përshtypje asnjë lloj ofendimi që vjen nga ata, sepse LDK ka ndërtua koalicion me qytetarët dhe ju jeni ata që do ta ruani besimin. Programi ynë ka qenë për të gjithë, edhe për ata që komunikojnë me gjuhën e shenjave. Me të gjithë kemi komunikuar dhe e kanë pranuar programin, vec njëri nuk e ka pranuar programin, e ai është kujdestari i Komunës që e pritë shefin e vet me dalë rrugëve të qytetit të vet sepse, ai është ai i cili nuk mund të dalë i lirë në qytetin e vet”, ka theksuar Haziri.
Ai pohoi se katër programet që LDK ka prezantuar gjatë fushatës do t’i realizoj me përpikmëri, ndërsa tha se “do t’i heqim vadat, pasi t’i largojmë hajnat”. Haziri ka kërkuar nga qytetarët që edhe njeherë ta konfirmojnë fitoren e madhe më 3 nëntor, përderisa ka falënderuar prokurorinë dhe policinë e shtetit për punën e madhe që kanë bërë.
“Edhe njëherë do të dalim në mënyrë solemne, plebishitare me ua treguar vendin atyre. Kudo që kam shkuar, kam parë gëzim të madh të qytetarët dhe këtë gëzim duhet ta mbrojmë. Më 3 nëntor e keni ruajtur votën. Kur nuk mund ta fusin dorën në kuti, ne gjithmonë dalim fitues. Prokuroria e shtetit, policia e shtetit e kanë kryer në mënyrë perfekte punën, kanë qenë garantues i procesit të drejtë, i vullnetit të qytetarëve. I falënderoj shumë që zbatuan detyrat kushtetuese”, tha Haziri.
Haziri ka falënderuar edhe qytetarët e Kosovës Lindore, duke premtuar që do të punoj që t’ua zgjidhë problemet që aktualisht kanë me dokumente të Republikës së Kosovës./2lonline/