(2LONLINE) – Fitorja e shumëpritur e LDK-së në Gjilan, ka shtuar pritjet, shpresat por edhe kureshtjet në Gjilan. Jo vetëm nga premtimet që janë dhënë por, edhe nga nevojat e shumta që i ka Gjilani dhe qytetarët e saj, të cilat nuk janë përmbushur së paku në masën që e ka merituar kjo pjesë e Kosovës.
Kryetari më i votuar deri tash në zgjedhjet e pasluftës në Gjilan, z. Lutfi Haziri, ka bërë hapa e parë. Sado që duken të ngadalshëm, megjithatë kanë qenë të kujdesshëm.
Fillimisht, pas dhënies së betimit, ka funksionalizuar Kuvendin e Komunës, duke zgjedhur trupat punuese të Kuvendit si dhe, në fazën e parë të zgjedhjes së ekzekutivit, duke emëruar ushtrues detyre nëpër drejtoritë ekzistuese komunale, çka mendoj se, ka qenë hap i qëlluar, karshi ambicieve të mëdha dhe,madje edhe të paarsyeshme të shumë aktivistëve të LDK-së, të cilat ziheshin që prej kohësh në tavolinë.
Por, edhe duke siguruar me këtë, edhe një funksionim normal të administratës komunale.
Më pas, zgjodhi edhe kryesuesin, me çka dëshmoi se, respektoi votën e qytetarëve duke vu në krye të Kuvendit, këshilltaren më të votuar, znj Valentina Bunjaku – Rexhepin.
I nxënë me “Flakën e Janarit” si dhe me pritjet e pareshtura të qytetarëve, në muajin e parë të qeverisjes, të cilin e shpalli edhe si muaj falënderimesh, ai nuk u nxitua shumë në zbardhjen e ekzekutivit. Por, dha një paralajmërim, karshi pritjeve të qytetarëve kur deklaroi se “ në qeverisjen tim nuk do ketë vend për hajna”.
Askush nuk pyeti cilët janë ata. As kryesia e Degës së LDK-së, as pritësit për funksione të reja në Gjilan, as partitë që prisnin për t’u bërë pjesë e një koalicioni qeverisës. E, as partia më e madhe opozitare në Gjilan.
Luta, si një njeri tashmë me një përvojë të gjatë në politikë, përkundër moshës, vazhdoi tutje.
Njeriu i parë që u emërua në ekzekutivin gjilanas, ishte nga fusha e arsimit. Tjeshtë, ishte një emërim i paevitueshëm meqë, z. Nazmi Musa, që ishte dhe kryetar i Komisionit për Arsim të LDK të Gjilanit, në tri vitet e fundit, përmes po këtij Komisioni, bashkë dhe me nja dy komisione tjera, ishte zëri më i arsyeshëm dhe më gjurmues për ndryshime dhe kthimin e trendëve pozitive në arsimin gjilanas.
Emërimi i Musës në krye të arsimit gjilanas u prit mirë dhe nga pjesa tjetër e spektrit politik dhe shoqërisë civile. Kjo i dha siguri po, edhe sinjal kryetarit Haziri se, qytetarët i duan dhe i pranojnë emërimet e arsyeshme.
Meqenëse nuk i kishte votat e nevojshme në Kuvendin Komunal të Gjilanit, për vendime e rregullore ku, domosdo kërkohet shumica, madje nganjëherë dhe 2/3 e votave, ai pak si me vonesë nisi dhe, pas një kohe gati prej një muaji, siguroi kuorumin e nevojshëm në Kuvend duke promovuar dhe Koalicionin qeverisës për Gjilanin.
Por, emërime të reja, pos edhe në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Çështje sociale, ku u emërua znj Labinotë Demi- Murtezi, kandidate për kryetare të komunës nga PD –ja, nuk pati.
Realisht, shkurti, shkurt do duhej të niste me kompletimin edhe të qeverisë komunale. Por , kjo ende nuk ndodhi. Mbase, nga shkaku edhe i vonesës në arritjen e një Koalicioni të madh qeverisës për Gjilanin siç dëshiron ta quaj Luta, po, edhe nga një vizitë e tij në SHBA.
Mungesa e kompletimit të ekzekutivit gjilanas, nxiti shoqërinë civile, qoftë e afërt me opozitën apo me qytetarët, të shtrojnë kërkesat e para në këtë drejtim. Ani se partia më e madhe opozitare, u kursye edhe kësaj here në plasimin e kritikave, duke pritur si duket “tremujorin e parë të Lutës” në krye të Gjilanit.
Kryesia e Degës së LDK-së si dhe përfaqësuesit e nëndegëve, u treguan të kujdesshëm dhe të dëgjueshëm në pritjet e tyre, duke i respektuar të drejtat e tij të ligjshme si dhe autoritetin që ka , por edhe duke mos I cenuar pritjet e veta për të qenë pjesë e një ekzekutivi ku “ nuk ka vend për hajna”.
Në pritje të ekzekutivit, njeriu i dytë pas tij në Degën e LDK të Gjilanit, z. Sadudin Berisha, qiti edhe një “kutëll” apo kusht, duke deklaruar se , në ekzekutiv nuk do të ketë vend për personat që kanë procese të hapura gjyqësore.
Deklarata këto, si e para, si kjo, thjeshtë të panevojshme dhe që mund t’i shërbejnë opozitës si brumë i parë për ta etiketuar pozitën.
Meqenëse tash, tash kur po pritet shpallja e zgjedhjeve nacionale, kryetari , ani se është vonuar pak, nuk bën të vonohet më shumë në zbardhjen e ekzekutivit gjilanas. Shkaku i Programit qeverisës që doli të jetë më i votuari, ai duhet t’i shpërblej pritjet tona me një qeveri të dinjitetshme për Gjilanin, një qeveri profesionistësh ku do gjejnë vend edhe kuadrot e reja, të cilat kanë përvojën , dijen dhe integritetin për t’ ia rikthyer perspektivën kësaj pjese të Kosovës, e cila, dorën në zemër, ndihet e anashkaluar./2lonline/
Sabit RRUSTEMI
( Autori është anëtar I KP të LDK-së )