(2L ONLINE) – Komuna e Gjilani është duke vazhduar me projekte publike. Sot është vizituar lumi “Baja” që tashmë ka kompaninë e kontraktuar dhe është në fazën e fillimit të rregullimit të këtij projekti, nga rruga “Abdulla Presheva” deri tek Diagnoza.
Në vendin e ngjarjes për të parë nga afër trasenë se kah do të kaloj ky projekt sot ka dal edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, drejtori i Shërbimeve Publike Sokol Haziri, shefi i kabinetit të kryetarit Arbër Ismajli dhe bashkëpunëtor të tjerë, të cilët janë zotuar që ky projekt do të realizohet konform planit. Ky projekt do të realizohet në pronë publike.
Nënkryetari Kadriu me këtë rast ka thënë se projekti është një zgjidhje e problemit për mijëra qytetarë të kësaj pjese të qytetit.
“Ky projekt është një zgjidhje e problemit të qytetarëve tanë. Me këtë ne do ta rregullojmë për kohë të gjatë problemin që u është shkaktuar qytetarëve këtu gjatë reshjeve të shiut por edhe kundërmimit. Shumë shpejt do të nis makineria punën në terren për ta rregulluar këtë projekt. Jemi duke punuar në definimin e trasesë së lumtur dhe definimin e pronës publike atje së bashku me drejtorinë e Kadastrit. Ka uzurpime në pjesë të ndryshme të trasesë, por ato do t’i zgjidhim bashkërisht dhe nëse është e nevojshme Komuna e Gjilanit është e gatshme të bëjë edhe shpronësimin. Shpresojmë që ky projekt të përfundoj shumë shpejt, ngase dinamika që ne kemi paraparë është e tillë që punët të kryhen me përgjegjësi, të mbikëqyrura dhe me afat kohor sa më të shpejt. projektin e kemi të gatshëm, kompaninë e kemi të kontraktuar dhe presim shumë shpejt fillimin e punëve”, ka thënë ndër të tjerash nënkryetari Kadriu.
Ndërsa drejtori për Shërbime Publike, Sokol Haziri, ka thënë se si drejtori janë duke punuar vazhdimisht në shërbim të qytetarëve dhe për jetë më të mirë për ta.
“Projekti i lumit “Baja”, është me rëndësi jetike për qytetarët e Gjilanit, e veçanërisht për këtë pjesë të qytetit. Po punojmë me intensitet të shtuar që të nisin punët sa më shpejt, sepse kërkesa e qytetarëve është e drejt ngase me reshjet e shiut kemi shpeshherë dalje në sipërfaqe edhe të ujërave të zeza”, ka thënë ai ndër të tjerash, duke shtuar se projektet në drejtorinë që ai udhëheqë janë të përditshme dhe në sektor të ndryshëm. /2lonline/