Lul Raka flet për variantin Delta, tregon se kush infektohet më lehtë dhe a na mbrojnë vaksinat antiCOVID-19

Lul Raka flet për variantin Delta, tregon se kush infektohet më lehtë dhe a na mbrojnë vaksinat antiCOVID-19

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar dy raste me variantin Delta i COVID-19, nga 22 mostra të dyshimta që ishin dërguar për analizë në Berlin.

MSH bën të ditur se të dy rastet kanë shfaqur simptoma por që tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi.

Por cfarë është ky variant i ri, kush preket nga ky virus, sa shpejtë përhapet e si të mbrohemi prej tij, të gjitha këtyre pyetjeve u jep përgjigje mikrobiologu Lul Raka në një intervitë për Infosot.com.

Si është situate aktuale me Covid-19 në Evropë?

Të dhënat epidemiologjike raportohen rregullisht nga ECDC (European Centre for Disease Control and Infections). Bazuar në të këto të dhëna, situatën më të favorshme epidemiologjike në dy javët e fundit në Evropë e kanë këto shtete: Malta (3.6 raste në 100.000 banorë), Shqipëria (3.9), Islanda (4.9), Rumania (6.8), Azerbejxhani (7.6) dhe Kosova (8.2 raste në 100.000 banorë).
Shtetet me shkallën më të lartë të infektimeve në Evropë janë: Gjeorgjia 237 raste në 100.000 banorë, Mbretëria e Bashkuar (166), Rusia (130) dhe Portugalia (124).

Kur u zbulua varianti Delta?

Ky variant u zbulua në Indi, në Dhjetor të vitit 2020. Tashmë, është raportuar në mbi 86 shtete të botës dhe është bërë dominant në Indi, Mbretërinë e Bashkuar (MB) dhe Rusi.

A përhapet më lehtë se variantet e tjera?

Bazuar në të dhënat globale të paraqitura në GISAID, numri efektiv i riprodhimit për variantin Delta është 55% më i lartë se varianti Alfa.
Rezultatet nga Mbretëria e Bashkuar tregojnë që varianti Delta është 40-60% më i transmetueshëm se sa varianti Alfa.

A ka shkallë më të lartë të vdekshmërisë?

Momentalish JO. Në analizën e MB, rastet e infektuara me variantin Delta patën shkallë të vdekshmërisë prej 0.3%, krahasuar me 2% për rastet e infektuara nga variantin Alfa, gjatë një periudhe të mbikqyrjes prej 28 ditësh.
Por, kjo shifër duhet të interpretohet me kujdes duke pasur parasysh kohën e shkurtër të mbikqyrjes për rastet më të fundit të infektimit me variantin Delta.

Kush preket më së shumti nga ky variant?

Më së shumti preken personat e pavaksinuar, por edhe ata që nuk i kanë marrë të dy dozat e vaksinës.

A veprojnë vaksinat kundër këtij varianti?

Po. Efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë. Te varianti Alfa këto shifra janë 78% pas dozës së parë dhe 92% pas dozës së dytë.
Kurse efikasiteti i vaksinës kundër infeksionit simptomatik me variantin Delta është 31% pas dozës së parë dhe 80% pas të dytës.

A mund të ketë valë të reja për shkak të këtij varianti?

Sipas ECDC, deri në fund të Gushtit në Evropë varianti Delta do të përbëjë 90% të të gjitha izolateve të SARS-CoV-2.
Të rinjtë e moshës nën 25 vjeç dhe personat e moshës 25-49 vjeç do të jenë grupi me numrin më të madh të rasteve të sëmundjes.
Intensiteti i shfaqjes së rasteve të reja do të varet nga vaksinimi, i cili ndikon drejtëpërdrejtë edhe në vdekshmëri edhe në hospitalizim.
Vaksinimi masiv luan rolin kryesor që rastet e infektimit të mbahen në nivele të menaxhueshme.

Çfarë rreziku ka për t’u prekur nga varianti Delta?

Personat e vaksinuar kanë rrezik të ulët për t’u prekur nga varianit delta, kurse ata me sëmundje shoqëruese kanë rrezik të ulët deri mesatar.
Personat e pavaksinuar dhe pjesërisht të vaksinuar kanë rrezikun lartë për tu prekur nga ky variant.

Çka duhet të bëjmë për ta parandaluar sëmundjen?

VAKSINOHU!
Vaksinimi i plotë i të gjitha grupeve të rrezikuara duhet të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur për të zvogëluar rrezikun e hospitalizmit dhe vdekjeve.
Për ata që e kanë marrë dozën e parë të vaksinës, rekomandohet që sa më shpejt ta marrin dozën e dytë të vaksinës. Në Mbretërinë e Bashkuar është rekomanduar shkurtimi i kohës për dozën e dytë të vaksinës Astra-Zeneca nga 12 javë në 8 javë.
Masat tjera janë kufizimet e udhëtimit, testimet e rregullta , sekuencimi i mostrave dhe zbatimi i masave parandaluese (distancëm maskë e higjienë e duarve).

BURIMI: infosot.com

KOMENTE