Luginasit, të drejtat e mohuara në të dyja anët e kufirit!

Luginasit, të drejtat e mohuara në të dyja anët e kufirit!

Kur hyrën në Kosovë Trupat e NATO –s, në mes të qershorit të vitit 1999 dhe përzunë trupat serbe përtej kufirit të Kosovës, qeveritarët serbë bërën çmos për t’u hakmarrë sa mundën ndaj popullatës shqiptare përtej kufirit.

Nga Kushtrim Kadriu

Menjëherë nisi vala e madhe e dëbimit të familjeve shqiptare nga vendbanimet e tyre, që nga Medvegja e deri në kufi me Kumanovën në lindje dhe në gjithë vijën e kufirit në Malësitë e Gollakut dhe të Karadakut.

Ashtu prej 25 e deri qershor deri në korrik të vitit 1999, nga tri komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë u ndoqën, dëbuan e u detyruan të largohen nga shtëpitë e veta më se 11 000 banorë shqiptarë. Vala e shpërnguljes së dhunshme me të gjitha mënyrat deri në fund të vitit tjetër kaloi 2000 të shpërngulur e të ikur në Kosovë.

Ashtu tutje për çdo vit kemi shifra alarmante të shpërnguljes së kësaj popullate tone në Kosovë, në perëndim e në vende tjera ku kanë mundë.

Shënimet e shumë periodikëve e organizatave kinse përgjegjëse për këto punë të shpërnguljes së popullatës shqiptare nga Lugina në Kosovë deri tani nuk kanë shifër të njohur deri diku saktë, as të shënimeve e studimeve etnike e sociale të kësaj pjesë të popullsisë tonë, që pësoi pas luftë së fundit.

Ky pësim ndodhi në heshtje, nën zhurmën e ndërkombëtarëve dhe të kthimit masiv të popullsisë së Kosovës që ishte jashtë kufinjve të Kosovës gjatë gjithë luftës. Kthimi i kësaj popullate pasoi me tundime të mëdha në tërë vendin, në çrregullime sociale, në renditje poshtë –lartë në pushtet si dhe në luftë të pakompromis në mes vetë të forcave rivale politike për pushtet e pasuri, për stad e prestigj dhe për hedhje mbi vete të pasurive të vendit.

Në gjithë atë kaos në Kosovë, popullata e Luginës së tri komunave ishte në mëshirën e forcave serbe që u hakmorën me të madhe, duke ndikuar me forcë në shpërnguljen e kësaj pjese me të madhe jashtë vendit të tyre dhe gjithë krimi i ri që ndodhte andej kaloi në heshtje, nga zhurma këndej.

Masat të cilat një pushtet mund t’i ndërmerr kundër një etnie a pjese të një popullate të pambrojtur janë të shumta dhe katastrofale dhe të gjitha këto masa qeveria serbe i zbatoi shpejt e në mbulim me diplomacinë ndërkombëtare, veçmas me aleatët e saj të vjetër, si dhe me rrethana të favorshme të ambientit asocial në Kosovë të krijuar nga kaosi pas luftës.

Krerët politikë në Kosovë ishin të zënë me punët e veta të mëdha të ndarjes së pushtetit dhe të zënies së pozitave fillestare strategjike për vete e për familjarët e tyre mu sikur në mesjetë të hershme dhe për shqiptarët e Luginës as që e bënte llafin kush, përpos atdhetarëve vullnetarë, që me kohë formuan lëvizjen e rezistencës me Forca Ushtarake, që u quajtën në vazhdimësi UÇPMB, që megjithë forcën e paktë dhe në teren të kontrolluar nga Forcat Ndërkombëtare, penguan me të madhe planet e qeveritarëve serbë për zbrazjen e plotë të Luginës dhe spastrimin etnik. Lufta përfshin gjithë popullsinë dhe gjithë energjitë e një kombi.

Me shuarjen e asaj rezistence me marrëveshje me ndërkombëtarët e me forcë, qeveria serbe ndërmori masa të reja për shpërnguljen në vazhdim si dhe të pengimit të kthimit të pjesës së popullatës së Luginës prapa. Ashtu ajo popullatë e tronditur nga lufta dhe paslufta, e gjendur në kaos, mbeti të shumtën në Kosovë dhe në perëndim, me punë e jetë.

Këtë pjesë të popullsisë të shpërndarë në tërë Kosovën e llogarisin si shumë deri në 15 000, mirëpo vetëm në Gjilan ka më së paku 20 000. Gjithë kjo popullatë u gjend si u gjend në Gjilan të shumtën, me mundësi të vetat dhe me ndonjë punësim diku, por të shumtën me fëmijët e tyre që punojnë jashtë në perëndim dhe që jo vetëm mbajnë familjet e tyre por edhe paraqesin pjesën më vitale të banorëve të qytetit!

Luginasit e përtëritën ekonominë e qytetit me rrethinë, pasuruan zanatet dhe shtuan të ardhurat komunale, sa që i dhanë qytetit një pamje tjetër, megjithë krizën e madhe në punësim. Por çështja shkoi keq e më keq në pozitën e luginasve, pasi që komunarët nuk u japin kurrfarë dokumenti identifikimi të nevojshëm patjetër, -gjë që e bën në të njëjtën mënyrë edhe qeveria serbe në anën tjetër!

Nëse një qytetar, jo vetëm i Luginës por edhe vendor në Gjilan duhej të nxirrte një letërnjoftim a pasaportë, duhej të kishte dokumente serbe për kusht! Kjo u ndodhi edhe vendorëve, le më luginasve! Kush nuk kishte dokument serb a ish jugosllav, komunarët e këshillonin të shkonte në Serbi pas dokumentacionit!

Ashtu jo vetëm se ulej morali shtetit të ri të Kosovës nga vetë pushtetarët e saj pas lufte, por edhe bëhej biznes i madh në dy anët me pagesa të mëdha për nxjerrjen e dokumenteve prej serbëve andej kufirit!

Mandej kishte njerëz tanë që as guxonin të kalonin kufirin pasi kishte ndjekje masive policore të serbëve andej, të qeverisë së tyre por edhe të ndërkombëtarëve, ndaj këtyre njerëzve tanë, -që ishin ish të ndjekur politikë ose ish ushtarë!

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE