Luginasit në Kosovë të interesuar për zgjedhjet në Kosovën Lindore

Luginasit në Kosovë të interesuar për zgjedhjet në Kosovën Lindore

Qytetarët e dëbuar nga Kosova Lindore të cilët jetojnë në Gjilan, po e përcjellin me interesim të madh ecurinë e fushatës zgjedhore në Kosovë Lindore.

Shkruan: Enver HAZIRI

Zgjedhjet lokale në Kosovën Lindore, të cilat janë vendosur të mbahen më 21 qershor 2020, për qytetarët e Kosovës Lindore që jetojnë në Gjilan, kanë rëndësi jashtëzakonisht të madhe, nga fakti se tash e disa vite me radhë Serbia po vazhdon të bëjë në mënyrë sistematike e të heshtur spastrimin etnik në Kosovë Lindore, me theks të veçantë në Bujanoc e Medvegjë, ku së pari ka filluar me pasivizimin e vendbanimeve të qytetarëve shqiptarë në këto dy komuna, e më pastaj edhe duke i fshirë në tërësi nga librat amë, shqiptarët e kësaj pjese.

Nuk është diçka e re, e habitur dhe e papritur se urrejtja patologjike dhe qëllimi i pushtetit serb fare nuk ka ndryshuar qysh nga koha e kryekasapit të ballkanit, por vetëm se tani po bëhen me përdorimin e metodave më dinake, e të cilat fatkeqësishtë nuk po i bien në sy ose qëllimisht po rrin sy mbyllur edhe bashkësia ndërkombëtare ndaj këtyre diskriminimeve.

Andaj, duke i pasur parasysh veprimet dhe qëllimet e shtetit serb dhe pasi që zgjedhjet po afrohen, ne, shqiptarët e Kosovës Lindore, medoemos duhet te bëhemi bashkë dhe më 21 qershor 2020, në mënyrë masovike duhet të dalim dhe të marrim pjesë në zgjedhje, me qëllim të fuqizimit të faktorit politik shqiptar në kuvendet komunale.

Ajo që duhet të potencohet është se ky sensibilizim i qytetarëve shqiptarë për pjesëmarrjen sa më të madhe në këto zgjedhje, nuk duhet të shfrytëzohet nga partitë politike shqiptare, në atë mënyrë që në të ardhmen të krijojnë komoditet për vete dhe të harrojnë rajone të caktuara për investime, e që kur jemi tek investimet duhet përmendur me theks të veçantë faktin se tash e 4 vite Malësia e Bujanocit ka mbetur totalisht në harresë të investimeve komunale, e një ndër to janë edhe investimet në bujqësi, ku kërkesat e banorëve në këto zona fare pak janë përfillur.

Po ashtu, në aspektin infrastrukturor investimi në këtë fushë lë shumë për t’u dëshiruar, e një ndër to është mos asfaltimi i rrugës Muhoc – Zarbicë, kur dihet që një shumë të konsiderushme të mjeteve janë grumbulluar nga vetë banorët, por pjesa tjetër që është dashur të ndahet nga Komuna njëherë është ndarë pastaj është tërhequr për të investuar në rajone të populluara me shumicë serbe.

Ndër shqetësimet më të mëdha për qytetarët shqiptarë të Kosovës Lindore është cenimi i të drejtave më elementare të garantuara me Kushtetutë e Konventa Ndërkombëtare, ku shteti serb vazhdimisht bën pasivizimin e vendbanimeve, e që Komuna relevante veprimet nga shteti serb, nuk i ka parë si diçka shqetësuese, të cilat veprime kanë për pasojë fshierjen nga evidence, duke i lënë shumë qytetarë të saj pa dokumentacion personal e duke ia pamundësuar padyshim edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.

Nga kjo shihet qartë se ka munguar vullneti politik i udhëheqësisë komunale në Bujanoc, por se jam mëse i bindur që për Kosovën Lindore do të vijnë ditët e mira, ku qytetarët tanë do t’u përgjigjen masovikisht zgjedhjeve të 21 qershorit 2020 mbi të gjitha për këto dy qëllime, e para dhe më kryesorja fuqizimin e faktorit politik në Kuvendin Komunal të Bujanocit dhe e dyta jo më pak e rëndësishme, rikthimi i vullnetit politik për investime në Malësi të Bujanocit, që për qytetarët e Kosovës Lindore ka rëndësi të veçantë dhe është më se i dëshiruar.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE