Luginasit janë komuniteti më i diskriminuar në Kosovë

Luginasit janë komuniteti më i diskriminuar në Kosovë

Para se të flasësh për luginasit që jetojnë në sërbi, duhet të e shikosh gjendjen reale të luginasëve që jetojnë në Kosovë. Që nga viti 1999-të, luftës së fundit në Kosovë dhe konfliktit të armatosur në luginë, vetëm nga fshatërat e brezit kufitarë të Malësisë së Bujanocit janë dëbuar përmes represionit ushtarako-policorë mbi 11 mijë familje. Kjo ka ndodhur më 23 qershor 1999-të, deri në vitin 2001.

Shkruan: Fikri Mehmeti

Këto dhe familje tjera të cilat jetojnë në Kosovë, nuk është se e kanë një standart jetese të njejtë me qytetarët tjerë në këtë vend. Edhe pse shteti i Kosovës me në krye (në pozita të ndryshme) Hashim Thaçin, është munduar përtej normales ti kënaqe minoritetin sërb, madje edhe duke diskriminuar minoritetet tjera karshi atij sërb, vetëm për ti plotësuar kërkesat e tyre, dhe të iu jep më shumë se që kanë kërkuar, kjo për politika afatgjate të Hashim Thaçit, e në anën tjetër, jam dëshmitar i asaj që asnjë projekt i vetëm nga shteti i Kosovës para dhe pas shpalljes së pavarësisë nuk e ka realizuar për integrimin e komunitetit luginas (si refugjat lufte) në shoqërinë kosovare.

E gjithë mbijetesa e tyre është vetanake dhe me ndihmë nga diaspora. Fatmirësisht këto familje kanë ndërtuar shtëpi dhe nuk ia shtrijnë dorën askujt në këtë vend, edhe pse punojnë punë krahu, çdo cent mundohen të e fitojn me nderë, për dallim prej disa politikanëve. Sidoqoftë, dua ti rendis disa çështje diskriminuese ndaj këtij komuniteti në këtë vend: Edhe pse jetojnë mbi 18 vite në Kosovë, Kosova nuk i pajisë as me lejeqëndrim e as me letërnjoftim.

E si rezultat i mungesës së shtetësisë së Kosovës, nuk mund të ndjekin studimet e larta universitare, nuk mund të lidhin kontratë pune, nuk mund të regjistrohen në entin për punësim, nuk mund të votojnë, nuk mund të jenë pjesë e projekteve të ojq-ve vendore dhe ndërkombëtare, nuk mund të hapin xhirollogari dhe marrin patentshofer. Ballafaqohen me organet e rendit publik kur iu kërkohet letërnjoftimi, si dhe nuk mund ti bartin pronat në emrat e tyre. Me pak fjalë nuk jetojnë si çdo qytetarë tjetër në këtë vend.

Luginasit po të diskriminoheshin vetëm në sërbi e ikja e tyre në Kosovë të ishte zgjidhje, besoni se nuk do të mbetej luginas që jeton në sërbi. Por, atje pavarsisht pse nuk iu njihen diplomat dhe nuk nostrifikohen, pse papunësia është mbi 80 %, shteti i subvencionon fëmijët deri në moshën 18 vjeçare, dhe një familjare mund të jetoje vetëm me shtesat e fëmijve, pa e pasur ndihmën nga kryefamiljari ose familjarët që jetojnë në diasporë, gjë që këto të ardhura nuk i kanë luginasit që jetojnë në Kosovë.
Padrejtësitë politike me të cilat ballafaqohen luginasit në sërbi, janë më të vogla se ato me të cilat ballafaqohen luginasit në Kosovë.

Presidenti i Kosovës duhet të tregoje përse nuk i ka pajisur me shtetësi dhe nuk i ka njohur tani e 18 vite luginasit në Kosovë si qytetarë të tij, e pastaj të bisedoje për të ia bashkuar Kosovës edhe disa luginas të tjerë.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE