DYLON

Lugina e Preshevës më e diskriminuara në gjithë hapësirën evropiane!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Lugina e Preshevës edhe ketë vit po e mbyll pa ndonjë sukses për dalë nga gjendja e okupimit! Si rajon ai ka mbetur më i pazhvilluari dhe diskriminuari në të gjithë hapësirën evropiane! Gjatë këtij viti në Luginë të Preshevës karakteristikë dominante ka qenë aplikimi në të gjitha format i një politike ekspulsioniste të shtetit serbë kundrejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me qëllim të vetëm realizimin e spastrimit etnik.

Kështu shprehet për Portalin 2LONLINE, Fatmri Arifi, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, sipas të cilit vetëm këtë vit shteti serb, pa asnjë bazë ligjore i ka privuar nga shtetësia rreth njëmijë shqiptarëve. Kjo sjellje tregon se Beogradi, me arrogancë po vepron në rikthimin e doktrinave të vjetra në ndryshimet demografike në Luginë të Preshevës.

EkoHigjiena

Arifi, i cili është edhe kryetar i Lëvizjes për Integrim e Luginës së Preshevës, ka thënë se viti 2015 në Luginë të Preshevës po përmbyllet pa tekste shkollore, me ç’rast është bërë problem serioz për nxënësit e të gjitha niveleve në Luginë të Preshevës. Përveç kësaj, në Luginë të Preshevës mungon kuadri i kualifikuar për shkak se shteti serb nuk I njeh diplomat e universiteteve të Republikës së Kosovës, pasi që Gjykata kushtetuese e Serbisë e ka hedhur poshtë marrëveshjen e Brukselit në lidhje me nostrifikimin e diplomave. Në kundërshtim të këtyre politikave diskriminuese, në Preshevës dhe Bujanoc në nëntor të këtij viti, studentët dhe nxënësit e Luginës së Preshevës kanë protestuar me moto, Dua Abetaren Time; Dua Librin Shqip!

“Po ashtu, Lugina e Preshevës po e përmbyll këtë vit pa ndonjë investim në fushën e zhvillimit ekonomik. Prodhuesit bujqësorë apo të ndonjë kompani tjetër janë tërësisht të diskriminuar pasi që prodhimet e tyre nuk kanë treg. Nga njëra anë produktet e tyre bojkotohen në Serbi dhe nga ana tjetër tarifat doganore për Kosovë janë të papërballueshme. Diskriminimi ka qenë i theksuar edhe në investimet infrastrukturore të shërbimeve publike. Ajo pak infrastrukturë rrugore që është bërë, pa përjashtim, komuniteti shqiptarë ka qenë i detyruar të participojë me 30-40% të investimeve gjë që kjo nuk ka ndodhur në komunat me shumicë serbë”, thotë Arifi.

Ai shton tutje se Lugina e Preshevës është jashtë çdo projekti ndihme për shëndetësi, arsim, bujqësi, dhe në raste kur u akordohen ndonjë ndihmë, ajo është e përmasave tallëse. Përkundër asaj që çdo kush synon të sigurojë një nivel të kënaqshëm jetese, për veten dhe familjet e tyre, mbi 80% e popullsisë shqiptare në Luginë të Preshevës jeton në varfëri të thellë.

“Këtë gjendje po e rëndon dhe më shumë aspekti i sigurisë. Lugina e Preshevës njihet si poligon i forcave të kombinuara serbe. Çdo fshat ka nga një bazë mobile të këtyre forcave që mbajnë nën presion të egër qytetarët shqiptarë. Kohëve të fundit shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen edhe me një politikë të rafinuar në aspektin e diskriminimit: atë të ndikimit rusë, I cili për shkaqe gjeopolitike po synon që Luginën e Preshevës ta zbrazë nga shqiptarët”, ka thënë tutje Arifi.

Sipas tij, të gjithë këtë situatë e bënë më të rëndë fakti se për interesa joparimore, përfaqësues e partive politike shqiptare kanë pranuar pozitën inferior dhe përçmuese në këmbënguljen e tyre për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët shpesh herë kanë rënë në grackën e spekulimeve statistikore, ku të drejtat u bënë objekt kalkulimesh numerike. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.