Shkruan: Florim Zeqa
/2L ONLINE/ – Ishte vigjilje e krishtlindjeve të vitit 2011, pas kthimit nga vizita në SHBA, presidentja Jahjaga e entuziazmuar nga takimi me sekretaren e parë të shtetit amerikan Hillary Klinton, me të arritur në Aeroportin e Nderkombëtar “Adem Jashari”, kishte dhënë një deklaratë mjaft optimiste për qytetarët e vendit: ” Jam shumë e përkushtuar per ta fituar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe këtë mund ta bëjmë vetëm nëse jemi të organizuar e të mobilizuar mbrenda një strukture të vendit tonë”, duke aluduar në krijimin e “Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit (KKKK).
Kjo deklaratë e presidentes Jahjaga, në opinionin e gjërë kosovar ngjalli opinione të ndryshme , madje ngjalli edhe shpresa ( jo reale) të një pjesë e popullatës, se ja më në fund erdhi qasti i duhur kur do të filloj luftimi i vërtetë i korrupsionit, krimit të organizuar, e dukurive të shumta negative dhe shkatrrimtare për shtetin dhe të ardhmën e qytetarëve të saj.
Meqë deklarata e presidentes nga zarfi (amerikan) lidhej me vizitën e saj në SHBA, shpresat më tepër ishin tek mbështetja amerikane se sa të gjysëm fjalët e presidentës !
Mbase, kjo ishte një deshirë apo qëllim i mirë i saj për të bërë diqka në atë drejtim, mirëpo mundësitë, (pa) fuqia e saj politike dhe ekzekutive nuk e lejuan të shkoj më tutje në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar…
Edhe pse kaluan katër vite nga ajo kohë, krijimi i KKKK në vepër mbeti një “KRRRK” i madh i presidentes, i mbetur vetëm në letër shkaku i pafuqisë së saj politike dhe arsyes pse presidentja nuk është produkt i zgjedhjeve të lira, e as votes së lirë të qytetarëve, por është produkt i “një marveshje politike”, i një pazari poltik në mes të tre liderëve partiak (Thaçi-Pacolli-Mustafa) me ndërmjetësimin e Dellit amerikan, e cila më së miri i shkoi për shtati Hashim Thaçit, në mbajtjen e pushtetit me më pak se 30 % të votave të qytetarëve.
Roli i presidentes së dalë nga ajo marrveshje politike është tepër minimal, madje edhe më i vogel se i një ministrie të rendomtë, ajo për më tepër përdoret si një dekor institucional i qeverisë (paraprake) aktuale, se sa një institucion i lartë dhe prestigjioz i shtetit, që realisht do duhej të ishte kushte dhe rrethana normale.
T’i kthehemi premtimit të papërmbushur të presidentes së shtetit në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Një fjalë e urtë Italiane thotë: “ogni promessa è un debito”, që në gjuhën shqipe i bie: “çdo premtim është një borxh”, prandaj premtimi i presidentes Jahjaga përveqse premtim është një borxh i pakthyer ndaj qytetarëve të Kosovës.
Është e pa justifikueshme heshtja dhe indiferenca e presidentes pas një premtimi kaq ambicioz. Ajo në vend që të merret më atë për qka është deklaruar, për luftimin e korrupsionit, po e bënë të kundertën e saj, duke ju mbajtur leksion deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për demokraci e respektim të ligjit, për normat demokratike që duhet të respektojnë qytetarët e këtij vendi edhe atëherë kur ju duhet të protestojnë për të drejtat e tyre apo për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Zonja presidente ndoshta ka harruar (me qëllim), se ky popull edhe pse i vuajtur e i pervëluar nga shumë të keqija, ka pervojë e traditë demokratike mbi 25 vjeqare, se proceset demokratike në këtë vend nuk kan filluar më 17 shkurt 2008, por më heret në fillim të viteve të 90-ta, ishte Levizja paqësore, ajo që i hapi proceset demokratike jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin përëndimor, më shkëputjen përfundimtare nga totalitarizmi, nga sistemi sllavo-komunist.
Pavarësisht faktit se presidentja Jahjaga nuk është produkt i një procesi të rregullt demokratik (i votës së lirë qytetare, megjithatë e ka per obligim kushtetues të reagoj kur i cenohet integriteti teritorial, politik dhe juridik i shtetit të saj, të merrë vendime në përputhje me kompetencat kushtetuese që ka, e jo të sillet si një qytetare e zakont, si një vëzhguese e asaj që po ndodhë në këtë vend.
Përveq obligimit kushtetues, duhet të jetë në radhë të parë obligimi moral i presidentës, për mbajtjën e premtimit të saj, qoftë në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, ashtu edhe në respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë nga drejtuesit e lartë shtetëror,…për të dëshmuar para popullit të Kosovës, se edhe paradokset nganjëhere sjellin diqka të mirë në këtë vend.
Përpos Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit të presidentes Jahjaga, në Kosovë prej vitesh veprojnë edhe Agjensioni Kundër Korrupsion dhe Task forca Kundër Korrupsionit, të cilat më tepër u ngjajnë “OJQ”-ve të pafuqishme, që merren vetëm me përshkrimin e rasteve në mënyrë të përgjithësuar. Si të tilla, më tepër janë duke e ndihmuar korrupsionin dhe krimin e organizuar se sa që janë duke e luftuar atë.
Sikur është bërë retorikë e Agjensioneve (OJQ-ve) kundër korrupsionit, të flasin vetëm me numra, por asnjëherë me emra, qoftë edhe për rastet e (mos) deklarimit të pasurisë, e të mos flasim për raste korruptive, ku gjithmonë e kanë zakon të thonë; “ka korrupsion në institucionet e larta shtetërore…”,…pa pasur guximin asnjëherë të permendin qoftë edhe një emër të vetëm nga drejtuesit shtetëror! /2L ONLINE/