Lufta për pushtet!
Shkruan: Femi HALIMI
(2L ONLINE) – Nuk ka gjë më të dëmshme se lufta për pushtet. Çka nuk është njeriu në gjendje të bëj në luftë për pushtet!? Lufta për pushtet ndryshon gjithë brendinë e një kombi për kohë të shkurtë. Një komb me këtë ndërron tërësisht për shkak se njerëzit e kombit që është në luftë ndërrojnë. -Me kend është në luftë një komb kur është në luftë për pushtet? –Me vetveten. Gjithë kjo arsyetohet me mbulesë se është një që quhet politikë dhe me nevojën e demokratizimit dhe që është e domosdoshme. Në këtë mendohet gjithmonë në drejtësinë. Në të vërtetë asgjë politike nuk ka në luftën për pushtet dhe drejtësia mu në luftën për pushtet vritet e para. Në luftë për pushtet drejtësia është viktima e parë.
Aristoteli, vetë baba dhe kumbara i politikës, këtë e spjegoi ndryshe dhe libri i tij me këtë emër është dëshmitar. Politika është diçka për të mirë e jo për të keq. Aristoteli ndihmoi polisin e vet ato kohë si të rregullojë jetën publike dhe si të mbrohej. Po këtë e bëri edhe paraardhësi –mësuesi i tij Platoni me librin për shtetin. Dëshmia është kjo që para 2400 vjete dhe nuk ka kush që e thotë ndryshe. Ndërkaq lufta për pushtet nuk respekton asgjë nga politika përderisa gjithë kohën fshihet pas politikës.
Çoftë një komb i lirë, çoftë një komb i sunduar nga një i huaj që pëson një luftë të rëndë për pushtet, -pasojat i ka të njëjta. Në të vërtetë një pësim që është në luftë për pushtet në një komb të lirë ndryshon nga një pësim që i ndodhë një kombi që është rob. Nën sundim të një të huaji një komb pëson sepse nuk është sikur kombi që e sundon. Nën sundim të njerëzve të vet një komb e pëson sepse janë të njëjtë nëmes vete. Lufta për pushtet bën plojë të vërtetë dhe shkreton gjithë kombin. Vështirë është të matet se në cilin rast një komb pëson më shumë!? Një luftë e armatosur është vazhdim i mundshëm i luftës për pushtet brenda një kombi ose ndërmjet kombit sundues dhe kombit të nënshtruar. Në të vërtetë janë pushtetet që fshihen pas kombeve, -sepse po mos të ishin pushtetet e grupeve të interesit dhe keqpërdorimi i rëndë nga ta, -kombet do të jetonin në paqe.
–Nuk është njëra, -po është tjetra, -dhe dosido e keqja përmbushet me po të njëjtën masë dhe tejkalohet për të keq njësoj në të dy rastet. Nuk pritet as besohet se një komb i lirë shkretohet përbrenda sikur të shkretohej nga një luftë me një komb tjetër dhe kur humbë luftën, por për fat të keq pasojat janë në të dy rastet të përafërta.
Kur nisë lufta për pushtet, siç tha Tukididi, -“Këndej e kështu nisi lufta”,…hiqen të gjitha rregullat dhe normat jetësore dhe kombi është në gjendje lufte sepse nuk ka më norma as rregulla që mbahen e nderohen. Kështu pasi nisë lufta për pushtet, nuk ka më as prindë, as fëmijë, as familje, as të afërm -as të largët farefis, as miq, as aleatë. Nuk ka më as shokë lufte, as gurbeti, as burgu, as ushtrie, as spitali, as sporti, as pune!…Për krejtë këto zëvendësim është Partia për secilin…Asgjë nuk ka më dhe asnjë normë më nuk mbron këto vlera e virtyte ligjesh njerëzore në komb. Përmendjet vazhdojnë në formë por sa për të bërë të ligën me sukses sa më të madh. Personazhet dhe figurat e tribunëve, rilindasve, luftëtarëve, heronjëve, sakrifikuesve dhe të merituarve edhe për bërjen e kombit në luftën për pushtet janë pengesë e rëndë për luftëtarët e rinjë të hazdisur dhe e mira e tyre nuk i duhet më askujtë. Në të vërtetë të mirat e tyre janë kusht jete për kombin, por luftëtarët e rinjë për pushtet mu kundër këtyre personazheve shenja të kombit bëjnë betejat më të ashpra. Këto personazhe identitete të kombit në të vërtetë u pengojnë të gjithëve që luftojnë për pushtet, sepse pushteti i ri që vjen ka shumë hire dhe privilegje për të cilat edhe bëhet lufta. Lufta kjo pra nuk ka një ideal, -për liri e për komb. Fjalët i thonë të gjithë njëjtë dhe deri në banalitet e marrëzi, por në të vërtetë këto personazhe janë të gërrditshëm për ta. Pushteti ka qëllimet e veta dhe këto qëllime nuk janë njerëzore, porse kryekëput kundërnjerëzore. Qëllimi si i këtillë arsyeton mjetet dhe mënyrat në arritjen e tij. Ata që luftojnë për pushtet për këtë janë njerëz të marrë dhe të paskrupulltë dhe kanë një soj gjeni të prishur. Nuk mund të jetë kjo ndryshe kur njeriu bën çka i vjen në dorë për të keq dhe kjo do të thotë se lufta për pushtet ka një zot të mbrapshtë që udhëheqë nga errësira e frymës.
Duke qenë luftëtarë të betejave mizore më të mbrapshta të mundshme këta luftëtarë këtë e bëjnë për të marrë pushtet kur të përfundojë lufta. Pushteti pas luftës don të thotë eliminim dhe zhdukje të kundërshtarëve në vazhdim dhe plotësim më sadist i mundshëm i kërkesave dhe dëshirave. Pretendentët e vjetër të cilët kërkojnë të marrin pushtetin sepse dëshmojnë se u takon atyre, sepse ishin në pushtet me të huajin, luftojnë me pretendentët e rinjë që ishin të ndjekur nga pushteti dhe me këtë arsyetim dëshmojnë se u takon pushteti. Nëvend se të merren vesh nëmes vete me një ndarje dosido, sepse janë vëllazër, këta deri në pikën e fundit nuk pranojnë asnjë marrëveshje, por shkojnë me kërkesë maksimale për shuarje të anës tjetër. Tek ne kjo është me “titistët” dhe “enveristët”, që edhepse nuk është e saktë, ka bërë për kohë të gjatë vend.
Veç kësaj ky pushteti që bëhet me këtë mënyrë dhe me këta njerëz nuk ka norma as ligje që mbajnë rendin e paqën. Nuk ka përgjegjësi për asgjë dhe nuk preferohet hetimi dhe thirrja për dëshmi. Kjo luftë për pushtet bëhet që në pushtetin e ri që vjen mos të ketë norma as ligje të përgjegjësisë dhe që sunduesit e rinjë të jenë mbi ligjin. Ligji dosido lejohet të bëhet e veprojë por për kombasit nën të dhe nëmes vete, që prej mbledhjeve të tatimeve e deri tek dënimet që sjellin fitime që mbajnë pushtetin këtë kështu. Ligji nuk prekë as arrin pushtetarët e rinjë dhe paqën e tyre të bërë me padrejtësi. Dëshira e këtyre pushtetarëve është që të fitojnë pushtetin, të përzënë e zhdukin të gjithë kundërshtarët dhe të hanë e zhgrryhen në ahengje e gostira ag e terr pandërprerë dhe thua se do të rrojnë përjetshëm.
-Të hanë për të vjellë dhe të vjellin për të hëngër, -siç tha Horaci për romakët e kohës së tij.
Kështu thënë ndryshe, dizajnimi i njeriut nga homo sapiens në zoon politikon përbrenda kombit me partitë dhe jashtë kombit me nacionin u bë në mënyrën më jonjerëzore. Ky ishte jonjeriu në kërkimet e Aristotelit dhe zëvendësimi fatal gjithë kohën njerëzore në këtë botë. Njeriu i parandjenjës së Frojdit që kërkon të vërtetën dhe të nevojshmën porse gjithnjë merr të kundërtën e saj. Për këtë dual letërsia, që të krijojë personazhe të cilët arrijnë të kërkuarën dhe prekin lumturinë, ose luftojnë dhe vdesin heronjë të përjetshëm dhe lexuesi i kërkon këto personazhe edhepse nuk don një jetë të tillë për vete. Duke mos pasur një un të vet dhe duke mos pasur gjurmë kurrfare në jetë, njerëzve kështu befas dhe këndshëm me relaks u erdhën sikur një makinë teknike partitë. Një mrekulli e njëjtë me karakteret që nuk janë realë kurrë, por që plotësojnë dëshirat!…Por që për këtë duhet luftuar.
Lufta për pushtet ka mandej synimet. Pozita e shefit, drejtorit, ministrit, deputetit, ambasadorit, atasheut, komandantit, menagjerit, arkatarit, shefit të Thesarit…Zgjedhja në shumë grupe pune e vendimesh, me pagë për secilën zgjedhje…Vendet e punës, grumbullimi i i funksioneve, ku varen jetët e njerëzve, ku vendoset për punën, paratë, pasurinë, jetën, të ardhmën. Pagesa dhjetëmijë euro, njëzetmijë, tetëdhjetëmijë në muaj, por me një rrogë mujore me mbulesë në publik sa për të thënë. Në të vërtetë zotërinjtë e rinjë nuk llogarisin rrogat mujore fare, sepse honoraret e shpërblimet anash janë njëqindherë më shumë.
Këto synime kanë qenë shkaku i luftës për pushtet. Mirë do të ishte që mos të bëhej luftë por të punohej drejtë e me ligj dhe kulturë, por kështu nuk ka mundësi. Çdogjë merret me dhunë e ashpërsi në një luftë për jetë a vdekje. Nuk ka rëndësi kush vdes, por kush jeton dhe nuk pyet kush për të dobëtit, por për të fortët dhe fituesit. Pas vijnë familjarët, gratë, fëmijtë, vëllazërit, kushërinjtë, miqt e shokët. Këndej çoi rruga e lavdisë dhe tutje në fund arritën ata që janë tani, -po kishte edhe të tjerë shumë që mbetën rrugës. E pati të tjerë që fare nuk hyrën në garë, pasi konsideruan se kjo luftë kështu është e mbrapshtë dhe e poshtër. Këta mbetën anash në skamje, raste sociale dhe në rend për një pagë dyzet euro në muaj tek ndonjë bankë për këtë me datën 6 të muajit.
-Çka po bën bre aty?! –më pyeti një i njohshëm tek po prisja dyzet euro në rendin e gjatë e të shumëfishtë tek banka për dhënien e ndihmave sociale…
Në të vërtetë unë vet, ish i ndjekur e burgosur politik gjatë monizmit, e tani sekretar i Degës së Shoqatës së ish të burgosurve politikë, rrogë nuk marr për shërbimin në Degë në pozitë të sekretarit të zgjedhur për katër vjet nga Kryesia, kurse marr një ndihmë sociale 40 euro në muaj. Mbase më mirë me skamnorët kështu, se me të pasurit atje lart!?!…
Thotë ajo kënga,…”Nuk jam nusja me iu nusnue, po jam zana me iu zanue!”…
Pasi përfundon lufta për pushtet, nisë përpjekja për ta mbajtur. Gjithë kierarkia e pushteti gëlon dhe kërcet nga barra e rëndë e padrejtësive. Familjarizmi dhe shërbimet me pagesa në çdo hap rëndojnë pushtetin e këtillë të fituar me të gjitha mjetet. Në vend të një pushteti të rregullt ku sundojnë ligjet dhe intereset e shëndoshë, në këtë pushtet të fituar me luftë të paskrupulltë hyjnë familjet dhe farefisnitë dhe gjithë administrata plotësohet me familjarë të njerëzve të pushtetit.
–A din ti,… -që mba këtë vend pune?! –pyeta një nëpunës.
–Jo, -tha, -por më duhet një pagë mujore, sepse mbaj familje.
( –Eee! Njeriu mba familje dhe i duhet një pagë mujore!…)
Dhe përderisa çdo teksti i vjen edhe fundi, sepse ka norma për shkrimin dhe ka kushte e mundësi të ndara nga botuesi, kjo lufta për pushtet nuk ka fund kurrë. /2L ONLINE/
