Loja me filxhanë

Etnografi: Lojë burrash në oda te Gallapit

(2LONLINE) – Dimri është stinë e mirëpritur nga të gjithë, e posaçërisht, simpati të madhe kanë fshatarët, të cilët tashmë më kohë i kanë bërë parapërgatitjet e duhura për t’i përballuar këta muaj të acartë. Fshatarët i kushtojnë rëndësi të madhe përgatitjeve, nga se dimrat në Gallap janë të ashpër. Bora shpesh i izolon fshatrat nga bota, andaj fshatari çdo gjë duhet ta ketë të siguruar që më parë. Kjo bëhet për atë se bora pengon në bartjen e ushqimit për kafshë dhe drurët për ngrohje ndërsa mullinjtë do të ngrihen dhe s’do të jenë në gjendje të bluajnë.

Nëse janë bërë të gjitha këto parapërgatitje, atëherë fshatari do të jetë i lumtur dhe dera e odës së tij do të jetë e hapur për mysafirë. Mysafirët, por edhe të ardhurit e rastit gjatë dimrit, nëpër fshatra janë të shpeshta. Kjo, për atë që gjatë dimrit i vizitojnë të afërmit e vet, sepse gjatë verës nuk kanë kohë. Andaj ndodh që në një odë, gjatë një nate të ketë edhe nga dhjetë e më tepër mysafirë.

Kjo dukuri në malësinë e Gallapit të Dardanës ka rëndësi shumë të madhe. E para: të afërmit çmallen me të afërmit dhe farefisin; e dyta pushojnë dhe e trevat, argëtohen, duke luajtur lojëra të ndryshme. Lojërat ndër këso ndejash janë të shumta, por edhe mjaft tërheqëse. Një ndër këto lojëra është edhe Loja me Filxhanë.

Çdo lojë kur luhet, ajo kërkon zbatimin e rregullave të veta, të cilat janë ruajtur me kujdes nga populli.

Loja me Filxhanë fillon me sigurimin e nëntë filxhanëve të kafesë pa vega (mbajtëse) dhe të ngjyrosur apo të zbukuruar me figura të ndryshme. Pra, filxhanët nuk duhet të jenë të njëjtë, një tepsi dhe kokrrën, e cila duhet të jetë unazë e lehtë ( që të mos bëjë dëm gjatë lojës). Pasi të jenë siguruar këto rekuizita, të gjithë mysafirët dhe njerëzit që gjenden në odë, ndahen në dy tabore (grupe). Pasi që të jenë ndarë, dy prijësit e lojës (lojëbashët) marrin tepsinë ku janë të vendosur të gjithë filxhanët në formë rrethi, pasi, në njërin filxhan, që më parë, në një dhomë tjetër, të jetë fsheh kokrra. Këta të dy i mënjanojnë me radhë filxhanët, duke i rënë teste (lëvizje e shpejtë e filxhanit me njërën dorë), në mënyrë që kur të lëviz filxhani që e ka kokrrën, lëvizja dhe përplasja e kokrrës në tepsi të jep një cingërime. Lojëbashi (udhëheqësi) që e gjen kokrrën, ai merr përparësi në fillimin e lojës, duke e fshehur kokrrën, andaj grupi i tij është i pari në fillimin e lojës.

Kur të gjendet kokrra, të dy palët merren vesh se, në fund të lojës a do të ketë ndëshkime për humbësit, duke i kënduar apo edhe duke  u dhënë detyrime të ndryshme. Të rralla janë rastet kur luhet e nuk i këndohet apo ndëshkohet grupi humbës. Fitues është grupi apo tabori, i cili i pari grumbullon 21 pikë (poena, apo dhi, siç i thonë më së shpeshti).
 
Pala që ka fituar të drejtën për ta filluar lojën, ka të drejtë ta fsheh kokrrën (unazën), andaj prijësit e grupeve caktojnë dy vetë që të fshehin kokrrën. Kokrra fshehët në një skaj të  dhomës apo edhe në ndonjë kthinë jashtë dhome, në mënyrë  që pala kundërshtare të mos sheh se në cilin filxhan gjendet kokrra.

Personat që e fshehin kokrrën duhet të jenë syçelë, nga se duhet të përcjellin tërë lojën me vëmendje, sepse ata nuk guxojnë ta fshehin kokrrën në jatakë (filxhanë të cilët e kanë pas kokrrën në tri lojërat e para). Filxhani që e ka pas kokrrën në lojën paraprake duhet të qëndron në mes, ndërsa tetë filxhanët tjerë vendosën në vijë rrethore duke formuar kështu një  tetëkëndësh të rregullt. Kur të fshehët kokrra, tepsia sillet në mes të palës kundërshtare, e cila do të përpiqet ta gjejë se në cilin filxhan gjendet kokrra.

Të gjithë lojtarët që duan të dëshmohen në lojë duhet ta përcjellin lojën, se vetëm ashtu, pa hamendje, mund të dinë, përafërsisht, se cili filxhan e ka kokrrën. Pasi të vije tepsia, lojtarët në lojën e parë kanë të drejtë ta mënjanojnë filxhanin e mesit. Në lojën e dytë, sipas rregullave, mund të mënjanohet filxhani i mesëm dhe filxhani që e ka pasë kokrrën në lojën e parë. Përndryshe, në kërkimin e tretë mund të mënjanohet edhe filxhani që në lojën e parë ka qenë në mes. Ky filxhan, në lojën e katërt me radhë, mund ta ketë kokrrën. Lojtarët kanë të drejta filxhanin ta mënjanojnë thatë (bosh), duke mos i rënë teste, kur mendojnë se në të nuk është kokrra, por nëse në të gjendet kokrra, atëherë pala kundërshtare fiton një poen (një dhi), por mund të mënjanohen edhe të gjithë filxhanët, që sipas mendimit të lojtarëve nuk e kanë kokrrën.

Për filxhanët e dyshimtë bëhet një dialog i madh në mes të lojtarëve, gjë e cila e bënë lojën më interesante, dhe pasi të merret një vendim i përbashkët (pa, me konsensus) se në cilin filxhan mund të jetë kokrra, atëherë ai filxhan tërhiqet teste. Në një tepsi, në një lojë, mund të tërhiqen vetëm dy filxhanë teste. Nëse pala që e kërkon filxhanin edhe pas testes së dytë nuk e gjen kokrrën, atëherë i mundëson palës që e ka fshehë kokrrën të fitojë një poen (dhi) dhe të drejtën për ta fsheh sërish kokrrën. Përndryshe, nëse kërkuesit e gjejnë kokrrën në testen e pare apo në të dytën, atëherë ata fitojnë një poen dhe të drejtën për të fshehë kokrrën. Loja vazhdon kështu deri sa njëra pale të ketë grumbulluar 21 poena.

Gjatë lojës duhet patur kujdes që kokrra të mos fshehet në jatakë. S’është mirë të fshehet edhe në filxhanët që janë mënjanuar teste bosh, por kjo e fundit nuk qon peshë, edhe pse në të shumtën e rasteve nuk preferohet.

Për lojtarin që është i sigurt se e di filxhanin që e ka kokrrën, ai mund të shfrytëzojë një rregull, e cila i mundëson fitimin e 9 poenave. Ai mund të vendosë tetë filxhanë njërin mbi tjetrin, mbi filxhanin që mendon se e ka kokrrën. Nëse e ka qëlluar, atëherë fiton nëntë poena, e nëse jo – pala e tij humb atë pjesë të lojës dhe një poen shkon në dobi të pales që e ka fsheh kokrrën. Përndryshe një pjesë e lojës, prej kohës kur fshehet kokrra e deri sa të gjendet ajo, apo të dështohet, zakonisht quhet një tepsi.

Loja është mjaft tërheqëse, interesante dhe nxit tek lojtarët koncentrim të madh. Gjatë lojës përdoren mjaft sintagma metaforike. Fjala ”po vlon”-thuhet për filxhanin e dyshimtë e “më sosi” apo “Me dogji”- thuhet për filxhanin i cili prekët me gisht të madh të njërës dorë duke e tërhequr shpejt dorën kinse e dogj, e për të cilin dyshohet se e ka kokrrën. Kur shqiptohen këto fjalë, lojëbashi dhe lojtarët tjerë shikojnë reagimet në fytyrën e personit që e ka fshehur kokrrën, duke tentuar kështu, që nga reagimet e tij, të vërtetojnë se ku është kokrra.

Pasi të kryhet loja, pala fituese e këndon palën që është mundur (kuptohet nëse për këtë janë marrë vesh në fillim të lojës). Pos kësaj, të mundurit mund të urdhërohen që të dalin në oborr e të imitojnë ndonjë kafshë apo shpend. Ata mund të marrin urdhër edhe për të thirr ndonjë banorë të fshatit, i cili nuk është në odë. Kur fshatari të përgjigjet, atëherë ai detyrohet t’i thotë gjëra të ndryshme, por më së shpeshti e detyrojnë t’i thotë: a ke dëgjuar se më kanë mundur me filxhanë!?, apo, a ke parë njeri më budalla se unë!? E të ngjashme.

Këndimi i palës së mundur bëhet kështu: pala fituese 5-6 veta ngritën në këmbë, kapen për krahësh, duke formuar kështu një rend. Pala e mundur ulet në njërën anë të odes dhe shikojnë rrethin e përgatitur për t’i kënduar. Fituesit fillojnë të lëvizin trupin në të majtë e në të djathtë. Shpesh here lëvizin edhe para e prapa, dhe ngrisin njërën këmbë në drejtim të palës së mundur.

Në vazhdim, po i japim disa këngë që këndohen në këto raste:
 
Kur e gi nisum lojën me lueee
E kemi ba për me k’nueee
Se kemi ba me u idhnueeee.
 
Kur e gi nisëm lojën për m’e lujtë
Mirë e ditëm se kem m’u mujtë.
….
Cili ke burrë-lojëbashi
Ki me pa ti mas çitashi.
 
Vjen tepsia rena-rena
Mjer’ konaku q’u ka mrena!
 
Vjen tepsia turra-turra
S’keni lu’ hala me burra!
 
Vjen tepsia rreth-okolla
Lypshi kokrrën sikur qorra!
 
Vjen tepsia turra-turra
Mos u mërzitni more burra,
Mos u mërzitni, mos t’u vin seri
Kit zanat na e ka lane Imeri!
…..
Eni shokë-o, do t’i k’nojmë
Se shkoi nata-mos t’i vonojmë
Do t’i k’nojmë e kofshin sh’n’osh
Mershin testet e çojshin bosh!

….
Kadal bre djalë-djalë i ri
Nuk ka pite n’kit tepsi
As s’ka pite, as s’ka tatli
Nuk je tu’ lujt ti me thmi
Hala s’ke pa lojtar’ me sy
Mos me l’shu bosh asnji tepsi!
 
more djalë peshqirin vija-vija
s’t’ka lane dreqi me nejt’ te sh’pija!
 
More djal ti prej Peje
E liga t’çoj m’u da pej meje
 
T’kanë marrë n’qafë shokt’ e tu
S’ta kanë lanë asni tepsi me lu’!

…..
Fryni era naj ra tavanit
Çou N.N. bjeri tupanit
Fryni era naj ra udhës
Çou N.N. bjeri surlës!

….
A ti falim, a mos t’i falim
Çeljau derën epjau malin,
Po thot mali-nuk i due
Thot Limani bimi mue
Kam ni livadh për me rrue!

…..
More miq e Ju vllazni
Tana k’to janë mahi
Na juve çi p’u k’nojmë
N’lojën tjetër do t’u nimojmë.

Kënga këndohet një herë nga udhëheqësi i grupit të këngëtarëve, e pastaj përsëritët edhe një herë nga i tërë grupi që qëndron në këmbë dhe të lidhur dorë për dore, i cili tundet herë në te djathtë e herë në te majtë, apo mund të thuhet edhe nga kori. Bëhet kështu, sepse udhëheqësi i këngëtarëve mund të thurë vargje aty-për aty në bazë të situatës që krijohet, apo edhe njerëzve që ai i njeh.

Asnjëherë në Gallap nuk ka ndodhë që ndokush të hidhërohet në lojë apo nga këngët, sepse e gjithë kjo është lojë, edhe pse ka ndodhë që të ketë edhe fjalë mjaft ofenduese.

Këngët i këndoi: Islam Rrustem Kosumi i lindur në Tygjec në vitin 1896.

/Ukshin ZAJMI/

KOMENTE