DYLON

“Loja” e Lutës, mobilizon garën për të parin e PDK-së në Gjilan!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri-Luta ishte dhe vazhdon të jetë në thumb të kritikave të opozitës, ndër tjerash, edhe për atë se nuk i ka “mend” në Gjilan, andaj edhe nuk po qeverisë mirë. Bile, për të thuhet se edhe kur kandidojë në zgjedhjet e fundit për të parin e komunës, nuk ishte fokusi i tij Gjilani, qeverisja me të, por ishte një lloj bilete e fundit, për të mos e humb fuqinë politike, por edhe për ta rritur atë në atë nivel sa të synojë pastaj të bëhet edhe kryetar partie(LDK), apo edhe të zë pozita të larta në qeverisje, duke përfshirë edhe postin e kryeministrit.

Ra, Isa Mustafa, e Lutës nuk i “ndezi” kjo lojë politike e tij, megjithatë si politikan i rryer që është, ai di të pres, dhe se fitorja në zgjedhjet lokale që e bëri kryetar të Gjilanit, i dha atij edhe më shumë fuqi dhe respekt tek subjekti i tij, që traseja, tani e rrugës për t’u ngjitur tutje përpjetë, është më e lehtë dhe më e sigurt.

EkoHigjiena

Bile ka kohë, që nga vet LDK-ja, e pse jo edhe nga vet Luta, njerëzit e tij, qarkullojnë fjalët se ai më nuk do të kandidojë për Gjilan dhe përfolën edhe emrat se kush mund të jetë kandidaturë e këtij subjekti që mund të garojë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Edhe kjo lojë e kandidimit apo moskandidimit të tij, dhe e përfoljes së emrave të kandidatëve të tjerë të mundshëm, kuptohet me bekimin e tij, është një formë e dëshmisë se Luta është i fuqishmi i LDK-së, dhe të përçohet mesazhi se ai e fiton Gjilanit sa herë të kandidojë, e pa të, me çfarëdo kandidati tjetër, Gjilani edhe mund të mos fitohet. E veçmas nëse për të, do të kujdeset vet Luta, për me i “djegë”, kandidaturat e LDK, që t’iu tregojë se “veç njëri mundet në Gjilan”.

Edhe ashtu përflitet se kjo është dëshmuar edhe më parë, me rastin e Fatmir Rexhepit e Lirije Kajtazit që thuhet se u “sosen’ nga Luta. E mund të priten që një fat i tillë t’i gjejë edhe dy emrat e përfolur deri më tani si kandidatë të mundshëm. Valentina Bunjaku-Rexhepi e Imet Rrahmani, apo edhe të ndonjë kandidature tjetër që mund të dalë.

Por, ajo çfarë dua të vë në pah tani, nuk ka të bëjë me LDK-në, por me PDK-në! Cilat janë reflektimet e kësaj loje të Lutës në PDK? Shtrohet pyetja se çfarë ka prodhuar kjo gjë që ka të bëjë me LDK-në, e që ndërlidhet me një parti tjetër, kundërshtare e LDK-së së Lutës, siç është PDK-ja opozitare?!

Nëse jo tjetër gjë, së paku ka mobilizuar, tani së fundi, PDK-në e Gjilanit, e cila pothuajse nuk ka ekzistuar si Degë e konsoliduar, pasi nuk është parë të jetë këndellur fare, prej se i humbi zgjedhjet e ra nga pushteti. Përveç disa anëtarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së, që herë pas here po bëjnë “zhurmë”, kush më pak, e kush më tepër, por pa pasur “kaçik” me i ndryshua gjërat, PDK në Gjilan, si Degë, si strukturë, ishte e heshtur dhe pa “takat’.

Por, tani së fundi, përnjëherë janë que i madh e i vogël në PDK, e po duan të bëhen kryetar dege, me pretendimin se automatikisht ai do të jetë edhe kandidaturë për kryetar komune. Logjika që mbizotëron në këtë drejtim është pikërisht ajo se nëse Luta nuk kandidon më për kryetar komune, kushdo që mund të dalë kandidaturë e LDK-së, përfshirë edhe ata dy emra të përfolur, do të jenë kafshatë e lehtë për cilindo kandidat të PDK-së.

Aq më parë, nëse në këtë drejtim ndihmon edhe vet Luta, për të cilin, herë pas here, edhe po publikohen lajme se po drekon me Hashim Thaçin apo mikun e tij, Kadri Veselin, e nuk mungojnë as etiketimet se Luta mund të jetë SHIK, të jetë njeri i PDK-së, të jetë kalkulator i mirë kur i bën llogaritë për veten e tij, e gjëra të tilla.

Dihet se nuk mungon interesimi i ish kryetarit të Komunës Qemajl Mustafës, për t’u kthyer në Degë, e ish kryetari Izmi Zeka, me gjysmë zëri veçse e ka pohuar se jo që e do atë post, por, sipas tij, edhe e duan të tjerët të jetë kryetar i PDK-së. Pastaj vije edhe kandidatura e Zenun Pajazitit, për të cilin, mbështetësit e tij, veçse thonë se është punë e kryer, ai do të jetë kryetar dege, ai do të jetë kandidat për kryetar, sepse është i përzgjedhuri i Qendrës, e dihet kush vendos. Po ashtu kemi edhe emra tjetër si ai i Avdyl Hasanit, i cili, nëse jo për diç tjetër, së paku e bënë përherë publike interesimin e tij për të qenë kandidaturë dhe pritet ta bëjë edhe këtë herë. Tani, si prej auti, ka dalë në pah edhe emri i Ekrem Kryeziut, e nga korneri mund të futet edhe ndonjë tjetër emër, si shembull që përmendet edhe ai i Elisah Ymerit. Jemi në dijeni se nga jashtë është përmendur se do të vije Shpend Elezi, i cili duket qartë se po has në rezistencë të fortë nga brenda, por si duket atij po i mungon edhe gatishmëria për të qenë më këmbëngulës në synimet e tija.

Po ashtu shumëkush e përmend edhe Riad Rashitin, për të cilin thuhet se nuk e fsheh qejfin për të qenë kryetar dege, por se është i vetëdijshëm se nuk ka fuqi të tillë politike për ta fituar atë pozitë., ndonëse ai vlerësohet të ketë qenë ma aktivi nga të gjithë prej se PDK, ndodhet në opozitë. Bile nëse i referohemi pranisë së këtij subjekti politik në media, mbi 90 për qind, është “dora” e tij, pavarësisht se me çfarë adrese vije publikimi. Po ashtu ka edhe të tjerë që lakmojnë pozitën e të parit në PDK por mbetet në suaza të dëshirave së tyre.

Por, edhe në PDK ka lojëra. Shembull disa nga ata që turren për postin e të parit në PDK-në e Gjilanit nuk e kanë “përnime”, por vetëm e përdorin si “taktikë” për të bërë presion mbi qendër, sa për t’iu treguar atyre lartë, se janë harruar dhe se e meritojnë, përkatësisht e duan një pozitë, së paku të zëvendësministrit, ambasadorit, të ndonjë departamenti të rëndësishëm, apo ndonjë favor tjetër, nëse nuk duan “telashe” në degë.

Në Degë të PDK-së tani po diskutohet rreth asaj se kush duhet ta zgjedh kryetarin e ri, pra nga kush duhet të votohet, nga Kryesia e Degës, apo nga Këshilli Drejtues i Partisë, e ku në lidhje me këtë çështje ka ndarje të qëndrimeve, varësisht se kush, si e sheh, mbështetjen për të preferuarin që ka.

Përndryshe, ka kohë që është thënë se, më së largu fundi i tetorit do ta gjejë PDK-në në Gjilan të mobilizuar mirë dhe me kryetar dege, për të pretenduar rikthimin në pushtet. Kanë mbetur edhe më pakë se dy javë të tetorit, për të parë qartë ecurinë në këtë subjekt politik por edhe zhvillimet e gjithëmbarshme politike në Gjilan. /Muhamet Halili/