(2LONLINE) – Në emër të programit të përbashkët të Bashkimit Europian, Komisionit Europian dhe në bashkëpunim me fondacionin “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij”, për promovimin e diveristetit kulturor, sot është bërë ndarja e shpërblimeve për nxënësit në garën për Logon Regjionale të regjionit të lindjes.
Në këtë program kanë marrë pjesë nxënësit e shkollave fillore të 11 komunave të regjionit të lindjes, të cilët në formë të vizatimeve që kanë bërë punime për dizajnimin logos me motive të trashëgimisë kulturore.
Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për fituesit e kësaj gare, ka marrë pjesë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, si dhe përfaqësues nga jeta kulturore në vend.
Kryetari Haziri tha se kjo garë është dëshmia më e mirë se si zhvillohet konkurrenca e shëndoshë, duke theksuar se ky regjion nuk është eksploatuar shumë sa i përket trashëgimisë kulturore.
“Jam i nderuar që jam sot këtu. Mënyra se si zhvillohet konkurrenca, tregon kjo garë e nxënësve. Ky regjion nuk është eksploatuar shumë. Karadaku, Gollaku e Anamorava në përgjithësi, janë vlera që janë trashëguar me shekuj. Trashëgimia jonë duhet të zbulohet, zhvillohet dhe të ruhet për gjeneratat e ardhshme. Ju siguroj që Komuna e Gjilanit do të bashkëpunoj me BE, KE dhe organizatat e fondacionet vendore në mënyrë që t’i ruajmë vlerat tona”, ka thënë Haziri.
Një fjalë rasti patën edhe zonja Michele Bergdoll nga Këshilli i Europës dhe Sali Shoshi, shef i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij, të cilët falënderuan Komunën e Gjilanit për ndihmesën në organizim dhe uruan nxënësit për punimet e shkëlqyera.
Logo fituese e regjionit të lindjes është shpallur punimi i nxënësit Dior Murati nga shkolla “Thimi Mitko” në Gjilan, vendi i dytë i ka takuar Djellza Fazliut nga shkolla fillore “Asllan Thaçi” në Kamenicë, i treti Andina Matoshit poashtu nga Kamenica, ndërsa vendi i katërt i është ndarë Amir Axhanit nga shkolla “Emin Duraku” nga Kaqaniku.
Ceremonia është mbyllur nën tingujt e muzikës së nxënësve të shkollës së muzikës së Gjilanit, ndërsa është hapur edhe ekspozita me suvenir, e cila do të qëndroj e hapur për një muaj në Galerinë e Arteve në Gjilan./2lonline/