Shkruan: Mehmetali Rexhepi
/Sami Dërmaku“Eklipsimi i figurës së dëshmorit”, Prishtinë, 2015/
Në letrat shqipe të sferës letrare-artistike e publicistike, institucioni i redaktorit dhe recensentit është i shpërfillur. Redaktori, recensenti dhe lektori, sikur harrojnë përgjegjësinë që kanë për akëcilin libër të akëcilit lloj e gjini letrare. Bashkëfajësia për jovlera, përkatësisht merita i përkasin trekëndëshit: autori, redaktori, lektori. Ngjashëm me politikën te ne, papërgjegjësia reflektohet edhe në qasjet ndaj trashëgimisë historike e kulturore.
Njëri nga autorët dhe akterët, i cili kërkoi përfillje të rendit dhe kriterit, përkitazi shkrimeve që mëtojnë të vënë në pah, cilësi të panjohura figurash të admiruara heronjsh a dëshmorësh, Sami Dërmaku nëpërmjet këtij libri, që i kapërcen caqet e ngushta publicistike, titulluar “Eklipsimi i figurës së dëshmorit”, na ftoi këtu t`ia shpalojmë faqet drithërimit tij kritik. Strumbullari i këtij drithërimi është figura e madhërishme e Rexhep Malajt dhe brezit të bashkëveprimtarëve.
Roli i dyfishtë i këtij autori, kërkon t`ia tumirim argumentet, për ta shëruar shpirtin dhe sedrën e lënduar, jo vetëm për veten e tij, por për brezin e mësymjeve atdhetare… Argumentet që sjell në këtë publikim, për ruajtjen e pastërtisë së vlerave kombëtare autentike, morale e njerëzore janë të ngjeshura, të kapshme për çdo kë që ndjek logjikën e ngjarjeve.
Cila është logjika që shpërfillet? Janë dëshmorët tanë prej mishi e gjaku: Rexhep Malaj, Isa Kastrati, Metush Krasniqi… Të burgosurit dinjitoz të tipit Skender Kastrati, në përballjet me sadistëtbirucave serbe-jugosllave.
Autori në veprën “Eklipsimi i figurës së dëshmorit”, merret me çfarësinë e mendësisë përfituese… Çfarë është ajo mendësi,që tashmë në mjedisin tonë të pas Luftës Çlirimtare, u shndërrua në lëndë të begatshme përfitimi?!
Të bësh karrierë nga dëshmori përkatësisht dëshmorët! Shohim se si parakalojnë “veprimtarët” e shpifur në përvjetorët e dëshmorëve! Më thellë e më gjithanshëm i sheh pikërisht veprimtari e bashkëvuajtësi, se si identifikohen dhe e fryjnë jetëshkrimine tyre si tullumbace të papara!
Këta veprimtarë “të identifikuar” me bëma heronjsh ose dëshmorësh, si Rexhep Malaj, Isa Kastrati e tjerë, sikur harruan se ka dëshmitarë burimor të bëmave të ilegales për akëcilin veprimtar, për akëcilën situatë, ngjarje a ndodhi, madje dhe për rrjedhojat e pastajme.
Realiteti i fakteve
Libri “Eklipsimi i figurës së dëshmorit”, i Sami Dërmakut, veprimtar, i burgosur politik i këtij konteksti historik, derinë faqen 178, zbërthen një tërësi kritike të një anamesi konkret, ndërsa nga faqja 179, deri në faqen e fundit 201, inkuadroi dëshmi, vështrime, reagime të shkruara dhe një faqe sugjeruese të kësaj fryme nga Aqif Kastrati, Ismail Kastrati, Fërdeze Mujaj-Sadiku dhe Ismet Rashiti. Këta katër artikuj autorit i shërbejnë si ndajshtim ilustrues për argumentet e tija pohuese e mohuese.
Si duket, autori mendoi, se edhe me këto dëshmi nuk i cenohet karakteri kompozicional natyrës së shkrimit kritik, që nga parathënia, e cila i paraprin rrekjes të dukurisë së karrierizmit. Ai karrerizmim e sheh edhe në shkrimet e publikimeve pompoze për dëshmorët.
Sipas kësaj mendësie përqendrimi bie mbi “romanin” “Rrugëtimi i një Vigani”, në monografinë “Rexhep Malaj zjarr lufte që nuk shuhet” të Agim Sylejmanit; “Qëndrestarët” e Basri Musmuratit, dhe përciptas te “Rexhep Mala-Anteu i lëvizjes ilegale” të Selatin Novosellës.
Shtjellimi i një mënyre kritike, vë në spikamë bëmat dhe trashëgiminë e ilegales sonë, çiltërsinë, naivitetin, kokëfortësinë, mëdyshjet, sakrificat dhe thyrjet, anët e buta dhe të forta të karaktereve bartës të misionit çlirimtar, shkëlqimin e ndonjërit, shuarjen e tjetrit, të rënët e gjallë dhe të gjallët zhgënjyes e të zhgënjyer.
Ecejaket e kaheve të sotme të shoqërisë së konsumit, autorin e shpijnë te kategoria e shtresimit të zhgënjyer, por jo të heshtur, assesi të thyer. Këtë frymë stoicizmi ia brumosi filozofia e Rilindjes Shqiptare. Petro Nini Luarasi pohonte: “Edhe nëntëdhjetë e nëntë herë po të biem, përsëri do të ngrihemi”.
Thelbi i kësaj qasjeje mbërthen një varg të gjatë dobësish, shmangiesh nga e vërteta, klishesh ideologjike, anashkalimesh, mistifikimesh, shpifjesh, hiperbolash, sforcimesh të egos, kundërthëniesh për realitetin, brenda të cilit ishte përcëlluar dhe autori i këtij diskursi, Sami Dërmaku.
Autori, duke qenë në brendi të rrjedhës, i ndjente ritmet e shpeshtuara e të ngadalsuara të frymëmarrjes së bashkëveprimtarëve. Andaj, sot e mllefos tjetërsimi i asaj frymëmarrjeje. Dhe i rreket i përqendruar pasqyrimit të thyer në “romanin” e karakerit historik “Rrugëtimi i një Vigani”, dhe libër-llojit monografik “Rexhep Malaj-zjarr lufte që nuk shuhet”. Kësaj udhe për hapërimin e idealeve hasim në përplasje realitetesh: njëri është realiteti i Agim Sylejmanit, i kapur jo bindshëm pas figurës së Rexhep Malajt, ndërsa tjetri është diskursi kritik i ngritur në paragrafe të shkëputura, kontestuese të “realitetit” të Agim Sylejmanit. Sipas autorit të këtij diskursi sheshues, nuk mund të kishte dy realitete. Përballë realitetit “spekulues” të Agim Sylejmanit e Basri Musmuratit, sogjeton depërtueshëm, i parrëzueshëm një dhe i vetmi realitet, ai i fakteve.
Autori nuk përdorë ligjërimin e zhdrejtë. Ai në pohimet dhe mohimet e tija është i drejtëpërdrejtë. Paragrafet e shkëputura prej librave të cituara, i përdorë si shënjestra të lehta për t`i goditur, ngase palës tjetër u mungojnë heshtat e argumenteve. Ata, me gjithë hujet dhe huqet, Rexhep Malajn donin ta kishin vetëm për veten e tyre, të shkëputur nga veprimtarët tjerë. Anatema e anonimitetit kishte zhbërë të tjerët. Kësisoj, me rreptësinë e logjikës qortuese, ndjek dhe rrënon flashkësinë e një logjike të papërtrollitur, sepse ka vetëm një të vërtetë që e përtrollitin rrethanat, dhe nuk mbyllet dot në kutitë e egove të përzgjedhura.
Vijat e depërtimit të ilegales lypnin karaktere të forta, skajshmërisht të paepura. Një model i tillë gjeti shprehje tek figura e Rexhep Malajt. Natyrisht të paktë do të jenë ata që do të kishin këso virtytesh. Kërbaçi i sprovave të rënda prodhonte mynxyra… Pikërisht kur shmangej damkosja, i hapej shtegu mynxyrës së re… Kapërcimi i tmerrit sadist kushtëzonte dy mënyra: të kapërcehej ylberi ose të përqafohej vdekja!
Zhbërja e dytësorëve
Diskursi i eklipsimit nis nga një mitizim naiv:
“-…derisa hëna ishte e plotë dhe ndriçon shumë, sikur të ishte ditë, kur pa pritur Rexhepi i thotë:
– Dada Midë, shih, shih ku qenka llamba e Zotit!”
“Ja, pra Rexha, fëmijë 2 vjeç, e gjeti llambën e Zotit!!!”
Këtu kemi citatin dhe nënvizimin nga autori.
Paragrafe të tilla, kur diskursi ironik ngritet në shkallën e satirës, kritikut i sjell habi, përshkallëzimin e së cilës e shfaq me tri pikëçuditje.
Situata, kur logjika e humb kuptimin, e përshkojnë këtë diskurs aq të ngjeshur, ngase gjykimi nuk e përfillë politesën e arsyes. Heshtja në emër të unitetit, i lë të paprekur ish “veprimtarët” e tjetërsuar; ata tashmë pësuan një metamorfozë të panatyrshme, u shndërruan në karreristë e burokratë, por këtu i kemi të nënvizuar me emër e mbiemër. Kësisoj, mendoj se Sami Dërmaku nuk sjell diskurs tonesh hakmarrëse. Ai, madje i vë fre të fortë trajtave të shëmtuara të zilisë. Ai është i mllefosur për tatpjetën dhe rrokullisjen morale të atij shtresimi, që bartte misionin e rëndë të barrës së lirisë. Ai shfaq hapur mospajtimin me “heronjtë e shpifur”.
Me anë të këtij publikimi, Sami Dërmaku vijon të mbetet veprimtar i kohës moderne, të rrëzojë mendësinë përgjithësuese moniste. Kjo mendësi ende mbetet zotëruese për psikologjinë e demagogjisë sonë kombëtare. Kursi i këtij kritiku ende nuk e ka fituar të drejtën e qytetarisë, për të zhdavaritur mjegullnajat e fshehjes në to të përgjegjësisë.
Ikja nga përgjegjësia, do të thotë, ikje nga kryeparimi, që mban drejtëpeshimin e botës bashkëkohore.
Shumëçka e shtruar në “romanin” e Agim Sylejmanit “Rrugëtimi i një Vigani”, për Sami Dërmakun është jo bindëse, me motivime hiperbolizuese, meqë Rexhep Malajt i veshet aureola e panatyrshme, por, siç heton autori, duke e madhëruar heroin në përmasa të pakapshme, e zvogëlon, e shkëput nga toka së bashku me hijen e tij, Tomorin, përkatësisht të vetëzgjedhurin, Agim Sylejmanin!
Në vazhdimësi shënjestrohet hierarkia e shpifur mes bashkëveprimtarëve, me vështrim të posaçëm mes lidhjes së Rexhep Malajt e Isë Kastratit. Futja e pykave në marrëdhëniet bashkëvepruese lë hapur përçarje ndërfamiljare dhe më gjerë. Kjo mynxyrë sillte sektarizëm dhe copëzim për unitetin e Lëvizjes Kombëtare. Njëkohësisht zvogëlimi, anashkalimi i vistrës së shokëve, të cilët ndërsjelltas kryepersonazhit ia tumirnin mësymjen, ia shpinin zërin te kori shumëzërësh, ia shtonin impulset zemra-zemrës, i merrnin sasi peshe, aq sa mund të çonin mbi supet e tyre të njoma, nga barra tejet e rëndë e durimit dhe qëndresës… Akëcilit sish i luhatej drejëpeshimi dhe rrëzohej, ndonjëri vijonte këmba-doras, ta shpinte tutje detyrën, misionin drejt cakut… Dhe çfarë ndodhi? Me një të rënë të lapsit, ose të gishtave në testaturë: fshihej, zhbëhej personazhi dytësor!
Libromania
Sami Dërmaku në librin me një titullim metaforik “Eklipsimi i figurës së dëshmorit”, faqe për faqe shprehet troq, pa alegori, pa ngurruar në qortimet e tija. Stili i tij vishet me tipare ironike, satirizuese, me theksime thirrmore dhe epitete të ngjyrosura, që me gjithë përmasën e hidhërimit, nuk hedh sharje mbi palën e tjetërsuar. Megjithatë, ruhet ndjeshmëria e masës, sepse autori mëton që kahet të kenë përmbajtje korigjuese, andaj nuk do të mbillte egjër për të korrur grurë.
Si lexues i këtij libri më lejohet pyetja: cili pra qenka Sami Dërmaku jashtë kopertinave të librit?
Një refuzues i përhershëm i servimeve të dyshimta dhe pa shije. Burrë i një sedre, e cila nuk kultivoi artin e vardisjes ose të rrotullimeve orbitave të të “mëdhenjve”. I zëshëm dhe kryengritës në identitetin e tij të palujtshëm. I brumosur në sakrifica, i fuqizuar në parime, i joshur për vlera, i lakuar për të drejtën, i kultivuar në auditorë fakulteti, i sprovuar në kazamate të errëta, antidogmatik, gjithnjë me këmbë në tokë.
Një diskurs i këtillë publicistik trazon libromaninë tonë. Ndoshta është i vonë? Gjithsesi, le të jetë pa prapavijë rrënuese, por me shtytje ndërtuese, le t`i ngjajë hapjes së shtratit të lumit të humbur në kënetë… Le ta zhdavaritë mjegullën e porositur, le t`ia çelë vijën amullisë sonë shoqërore e shtetërore.
Karreristët e tjetërsuar, të mbyllur në xhipa dyqind mijë eurosh, me truproje ose turp roje, përurojnë personalitet e tyre demagogjike para gurëve të varreve të dëshmorëve!
Veprimtari, Sami Dërmaku në këtë vepër solli kurajon e brezit të tij. Këtu shohim një vetëdije që kishte ngërthyer dhe aktualisht zbërthen dy botëvështrime: botën e leximit dhe sprovën e shkrimit. Njëra pa tjetrën nuk do ta përmbushnin plotëninë e këtij libri.
Do të ishtemë i mençur ky shtjellim, sikur të mos theksohej sedra personale e autorit, me gjithë injorimin e qëllimshëm, ose në ndonjë rast të pa qëllimshëm, jashtë rrjedhave prej dioptrisë të hiearkisë së Agim Sylejmanit, Basri Musmuratit, Ilmi Ramadanit…
Në libër, Samiut ndoshta fare nuk i duhej apostrofimi i vetvetës? Le të mbetej i shkrirë tek të anashkaluarit, i diferencuar, por jo i heshtur. Heshtja mund të jetë kapak prej floriri, por dhe varr për së gjalli.
Sami Dërmaku zgjodhi alternativën e artikulimit të guximit.
Digresion
E çmoj guximin e Agim Sylejmanit, për t`ia ngritur Rexhep Malajt një përmendore të artit shkrimor!
Kush ka faj pse në mua vigjëlon frenueshëm, madje tejet frenueshëm kriteri i autocensurës, për ta përjetësuar në letra me përsosmëri figurën e madhërishme të bashkëmoshatarit tim, Rexhep Malaj?!
Ju falenderoj për vëmendjen tuaj!
Autorit, përgëzime!