Sot ishim të gjithë dëshmitarë të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes komerciale dhe të gjitha marrëveshjeve, tetë gjithsej, të cilat do të sigurojnë përfundimisht pavarësinë energjetike të vendit, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në konferencën e përbashkët për media me Drejtorin Ekzekutiv të Contour Global, Joseph Barandt, që u mbajt pas përfundimit të kësaj ceremonie.
Ministri Lluka njëherit kryesues i Komitetit Drejtues të Projektit të TC Kosova e Re , tha se kjo marrëveshje, e cila është negociuar, diskutuar, finalizuar nga shumë ekspertë, e zyrtarë të qeverive, në fund, sot u finalizua dhe shprehu gëzimin për këtë fakt.
“Falënderoj z. Brend për bashkëpunimin e ngushtë që kishte në finalizimin e këtij projekti. Normalisht për t’u finalizuar një marrëveshje kërkon pajtueshmërinë e dy palëve dhe në këtë rast e kemi gjetur edhe me ndërmjetësim të kryeministrit të vendit, i cili ishte prezent gjatë negociatave dhe kemi finalizuar tërë procesin që besoj është në të mirë të të dyja palëve”, tha ai.
Sipas kreut të MZHE-së, Projekti i TC ka kritere specifike; do të përdoret teknologjia superkritike, e cila garanton që edhe për shumë vite të ardhshme jetë e përshtatshme për ambientin tonë, sidomos kur mbyllet ‘TC Kosova A’ me fillimin e këtij projekti. Projekti pos që garanton pavarësi energjetike do të përmirësojë ambientin sidomos në rajonin e Prishtinës.
“Është me rëndësi që projekti po ashtu ka ndikimin ekonomik. Një projekt 1.3 miliardë euro dhe do të ndodh në periudhë katër vjeçare. Që nga 2019 besoj se me këtë projekt parashikimet e rritjes së GDP-së do ta tejkalojnë shumën prej 5 apo 6 për qind, sepse ka ndikim me hyrjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë”, tha Ministri Lluka, duke shtuar se po ashtu komponentë me rëndësi është punësimi, pasi gjatë kohës së ndërtimit do të punësohen mijëra veta, derisa gjatë kohës së operimit do të ketë 500 të punësuar në mënyrë permanente.
Ministri theksoi se me rëndësi për vendin është fakti se kur kemi investitorë të huaj me eksperiencë të mirë në vend, kjo është referencë e mirë për investitorët potencialë në çfarëdo fushe. Ne mund ta përdorim në këtë rast z. Joseph të na ndihmojë të sjellë edhe investitorë tjerë në Kosovë duke treguar suksesin e tij.
Lluka vuri në pah se Termocentrali ‘Kosova Re’ do të ketë edhe benefite jashtë sektorit energjisë. Ai shpreson që me bashkëpunimin që do ta kenë me Contour Global në fillim të vitit 2019 do të fillon së ndërtuari.
“Kontratën së shpejti do ta bëjmë publike për të gjithë. Ajo do të jetë në dispozicion për të gjithë. Besojmë se me këtë do ta thyejmë një tabu të të punuarit në mënyrë të fshehur. Kjo do të jetë gjithçka e hapur për publikun dhe Kosova do të krijojë një atmosferë ndryshe të vepruarit”, tha ai.
Nga ana e tij, Joseph Brandt – Drejtor Ekzekutiv i Contour Global, ditën e nënshkrimit të marrëveshjeve e quajti një ditë të mrekullueshme për vendin dhe për këtë projekt i cili reflekton një rrugëtim të gjatë dhe të suksesshëm.
“Shtytjet e Qeverisë dhe të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik kanë qenë vendimtare për të arritur në këtë pikë dhe tani kemi aftësinë që të mobilizojmë veprimet dhe kapitalin përmes burimeve natyrore për ta shtyrë projektin drejt ndërtimit”, tha ai.
Brandt tha se ka qenë një objektiv mjaft i rëndësishëm si për Qeverinë e Republikës së Kosovës ashtu edhe për kompaninë “Contour Global” dhe kjo gjë u arrit ashtu siç ishte planifikuar, dhe me këtë rast përgëzoj ministrin dhe të gjithë akterët e tjerë që kanë qenë të përfshirë në këtë projekt.