Llashtica i ndan mirënjohje Hazirit për punën e mirë që po e bënë

(2L ONLINE) – Lutfi Hazirit, kryetar i Komunës së Gjilanit, i është ndarë mirënjohje nga banorët e fshatit Llashticë për, siç thuhet, punën e mirë që e ka bërë në këtë fshat gjatë mandatit qeverisës.

Mirënjohja i është ndarë mbrëmë në fillim të mbajtjes së Takimit Publik në këtë fshat, derisa kryetari Haziri tha se kjo e bënë “edhe më shumë borxhli për t’u kujdesur për Llashticën”.

Në Takimin Publik ka marrë pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku Rexhepi, drejtorët e drejtorive komunale dhe zyrtarë të tjerë.

“Borxhi nuk pret ditë të bardhë”

“Siç kemi thënë, do të vijmë të diskutojmë çka kemi punuar dhe çka do të punojmë, duke bashkëbiseduar me ju. Problemet që i kemi gjetur në Komunë jemi munduar t’i zgjedhim siç janë borxhet e mëdha dhe në ditën e parë të qeverisjes kemi filluar me servisimin e borxheve sepse ‘borxhi nuk pret ditë të bardhë”, tha kreu i Gjilanit, i cili po në këtë ditë, më 1 dhjetor 2013 mori mbështetjen nga qytetarët për të qeverisur me komunën në mënyrë plebishitare.

Gjatë këtij takimi, Haziri tha se pas punëve që ka bërë Komuna në Llashticë, në vitin e ardhshëm do të nisë me rregullimin e kanalizimit, rrjetit të ujësjellësit dhe rrugëve sikurse edhe rregullimin e varrezave e martirëve dhe dëshmorëve.

“Në vitin 2015 do t’i rrisim subvencionet për bujqësinë pasi janë ndarë mbi 1 milion euro për këtë sektor. Ne nuk kemi bërë kushtëzime për të përfituar nga subvencionet që t’i keni tokat gjithsesi në emrin tuaj, por ua kemi mundësuar që të përfitoni edhe nëse aplikoni duke marrë toka të tjera për t’i punuar, qoftë të vëllezërve, qoftë të tjerëve”, është shprehur Haziri.

“Fshati që i punon tokat më së shumti do shpërblehet me 50 mijë euro në vitin 2015”

Haziri pohoi se me insistimin dhe kërkesat e vazhdueshme të Komunës në nivelin qendror, janë thyer kufijtë buxhetor, duke e rritur buxhetin për 4.2 milionë euro sesa ai i planifikuari.

“Nga ky buxhet do të ketë investime në infrastrukturë, në bujqësi, në arsim e sektore tjera”, tha ai.

Me pyetje, lëvdata e sygjerime nga më të ndryshmet për kryetarin Haziri dhe drejtorët komunal i janë drejtuar Naser Ibishi, Avdulla Hasani, Feriz Sejfiu, Ismail Qerimi, Adem Veseli, duke marrë përgjigje për të gjitha çështjet një nga një.

Krejt në fund, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, dha premtimin se ai fshat që i punon të gjitha tokat, do të shpërblehet nga Komuna me 50 mijë euro në vitin e ardhshëm.

Ndryshe, Tubimi Publik i fundit për këtë vit do të mbahet më 15 dhjetor në ora 12:00, në sallën e Teatrit të qytetit. /2L ONLINE/

KOMENTE