Skuadra e Llamkos Kosovës ka vazhduar të dëshmojë formën e mirë në këtë edicion në Raiffeisen Superligë, pasi të martën e ka mposhtur Feronikelin në Vushtrri, me rezultat bindës, 3:0.
Kjo ndeshje e hapi javën e 7-të në elitë, ndeshjet e tjera të së cilës do të zhvillohen të mërkurën dhe të enjten. Protagonisti kryesor i këtij takimi ishte Labinot Osmani, me dy gola të shënuar, derisa me një gol kontribuoi edhe Semir Zeneli. Pas këtij suksesi skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi është rikthyer në pozitën e parë në renditje, me 15 pikë, duke e lënë pas vetes Hysin, me 13 pikë. Megjithatë, llapjanët nesër do të luajnë ndeshjen e radhës kundër Hajvalisë në Kizhnicë dhe kanë mundësi që me fitore të rikthehen sërish në pozitën e liderit.