DYLON

Lladova kujton 2 prillin e rënies së dëshmorëve 17 vjet më parë

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në 17 vjetorin e rënies, me një tubim madhështor, janë përkujtuar dëshmorët në fshatin Lladovë, që ishin pjesë përbërëse e kontributit të madh të lirisë së Kosovës, kështu u tha në fjalën e pjesëmarrësve të kësaj ngjarjeje.

Ky aktivitet ka nisur me homazhe tek përmendorja e dëshmorëve në hyrje të këtij fshati, e më pas ka vazhduar tubimi përkujtimor në shkollën e fshatit.

EkoHigjiena

Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka thënë se lirisë së Kosovës është falë një kontributi shumë të madh që kanë dhënë dëshmorët e Grykës së Karadakut dhe Anamoravës në përgjithësi, e në veçanti dëshmorët e rënë nga Lladova.

“Sot e 17 vjet më parë e gjithë Kosova por edhe fshati Lladovë përjetoi tragjedi të madhe duke humbur më të dashurit tuaj, nga një regjim dhe forca të armatosura serbe. Në Lladovë u vranë, u masakruan dhe u torturuan në mënyrën më jonjerëzore këta banorë vetëm pse ishin shqiptarë. Dëshmorët në përgjithësi, por edhe dëshmorët e Lladovës, ranë për të mos vdekur kurrë. Ata për ne kanë vetëm ditëlindje. Edhe sot e asaj dite ankthi në familjen Ajeti vazhdon, sepse trupi i familjarit të tyre ende nuk dihet se kah u dërgua”, ka thënë nënkryetari Kadriu.

Ai ka thënë se përkujtimi për dëshmorët, përulja për ta, kujtimi i veprave të tyre, do të jetë përherë minimumi i asaj që bëjmë ne sot, në krahasim me veprën e tyre dhe sakrificën që bënë ata për lirinë dhe rrugëtimin e Kosovës.

Ndërsa, Shefket Latifi, përgjegjës i shkollës në këtë fshat por edhe në emër të këshillit organizativ, ka thënë se “dëshmorët janë ata që me gjoksin hapur dolën para okupatorit për t’i bërë me dije se Lladova është rezistente ndaj qdo okupatori dhe se angazhimi i përhershëm i tyre ishte për liri. Frika për këta dëshmorë nuk ka ekzistuar. Gjaku i tyre është jeta jonë dhe garanca e lirisë së Kosovës”, ka thënë Latifi, duke spikatur ndihmën e madhe të dhënë nga SHBA-të dhe NATO, për UÇK-në.

Poashtu, në emër të shoqatës “2 prilli”, që vepron në Zvicër, të pranishmit i ka përshëndetur edhe Besnik Ajeti-Benz, i cili ka falënderuar të pranishmi që kanë nderuar këtë tubim, duke thënë se kontributi dhe sakrifica e dëshmorëve të luftës, veteranëve të UÇK-së dhe invalidëve, janë ato që neve na mundësojnë që sot të jetojmë e zhvillohemi të lirë.

“Falënderim i përhershëm për dëshmorët dhe të rënët në luftë për liri, por edhe për të gjithë të gjallët të cilët kanë dhënë kontribut të jashtzakonshëm në lirinë e vendit”, ka thënë ai ndër të tjerash.

Më pas para të pranishmëve të shumtë është shfaqur një program i pasur kulturo-artistik. /2L ONLINE/