Livoçi i Epërm trajtohet me zhavor dhe hyn në programin për asfaltim të rrugicave
/2L ONLINE/ – Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit, Sokol Haziri, me bashkëpunëtorët e tij kanë përcjellë nga afër punimet që janë duke u kryer në rregullimin e rrugëve që lidhin fshatin Livoç i Epërm me magjistralen Gjilan – Prishtinë.
Me këtë rast drejtori Haziri, ka thënë se në këtë fazë janë duke bërë trajtimin e rrugëve të fshatit Livoç i Epërm, ndërsa në programin e investimeve për vitin 2015, hynë edhe asfaltimi i rrugës që lidh këtë fshat me magjistralen për Prishtinë.
”Infrastruktura në Komunën e Gjilanit ka nevojë për investime të shumta. Ne kemi nisur këtyre ditëve trajtimin e rrugëve në këtë fshat, ngase ishin pothuajse të pakalueshme nëpër disa pjesë. Por është lajm i mirë për këta banorë që në programin e investimeve në infrastrukturë, ka hyrë edhe asfaltimi i rrugës që lidhë fshatin me magjistralen për Prishtinë e që bënë të mundur qarkullimin më të lehtë dhe më të shpejt me Gjilanin por edhe me Prishtinën”, tha drejtori ndër të tjerash.
Ai poashtu ka theksuar edhe angazhimin e kësaj drejtorie me punë infrastrukturore në pjesë të ndryshme në komunë, si në kanalizime, ujësjellës, trotuare dhe rrugë të rendit të tretë, por edhe përgatitje të rrugëve për asfaltim.
Zgjidhja për fshatin Livoç të Epërm është mirëpritur edhe nga banorët të cilët ishin falënderues për investimet, si dhe për lajmin e mirë që shumë shpejt do të nis edhe asfaltimi i mbi 2 kilometrave rrugë me të gjitha standardet. /2L ONLINE/
