Fshati Livoç i Epërm i Komunës së Gjilani ka një rrjet të shtrirë të ujësjellësit prej 11 kilometrave, është përuruar dy herë, por qytetarët e këtij lokaliteti nuk kanë ujë të pijes, thotë njëri nga banorët e këtij fshati, Ibrahim Salihu.
Sipas tij, qytetarët e kanë këtë brengë, sidomos tani kur nga rezervuari i ujit për këtë fshati, po punohet për të furnizuar me ujë burgun që ndodhet në fshatin Pasjak të Novobërdës.
Salihu duke shpjeguar ecurinë e kësaj çështje, ka thënë se rrjeti i ujësjellësit prej më se 11 kilometrash ishte realizuar në vitin 2002, kur në pushtet ishte LDK, që edhe tani ka pushtetin në Gjilan. Ai tha se ishte ky një investim i përbashkët i Komunës së Gjilanit, organizatës OXFAM si dhe me participimin e banorëve të fshatit. Por, projekti nuk ishte mirëmbajtur nga askush kështu që pas furnizimit me ujë të banorëve ët këtij fshati për gati dy vite, pa ndonjë kontroll, ujë në rezervuar ishte shtjerrë dhe banorët kishin ngelur pa ujë.
Gjithnjë sipas Salihut, banor i këtij lokaliteti, më pas në qeverisjen e PDK, ishte realizuar projekti i sjelljes së ujit nga Banja, përmes instalimit të gypave, projekt i komunës, me çka rezervuari sërish ishte mbushur, por pas përurimit, sërish nuk është marrë në mbikëqyrje dhe mirëmbajte nga kompanie përkatëse e cila kishte kërkuar që qytetarët – klientët, t’i ndërrojnë ujëmatësit, gjë që nuk është bërë nga shumica dhe për rrjedhojë sërish nuk kanë pasur ujë.
Salihu thotë se edhe tani kur qytetarët kanë pritur nga institucionet përkatëse ndonjë zgjidhje për t’u furnizuar me ujë, është realizuar projekti që parasheh furnizimin me ujë të burgut që ndodhet në Pasjak, po nga ky rezervuar.
Ai thotë se nuk janë kundër që të furnizohet institucioni në fjalë me ujë, por e vlerëson të padrejtë që nga një projekt që është paraparë për fshatin Livoç i Epërm, ku krahas komunës kanë investuar edhe organizata OXFAM si dhe kanë participuar edhe vet banorët e këtij fshati, të përdorët rezervuari për furnizim për dike tjetër, e jo për qytetarët e Livoçit.
Ai ka kërkuar nga komuna të bëjë një zgjidhje që të furnizohen me ujë.