(2L ONLINE) – Skuadra The Living Room shënon një sukses të jashtëzakonshëm në edicionin e parë të Ligës “Agim Ramadani”. Pas fitimit të Kupës, djelmoshat e udhëhequr nga Ardian Aliu arritën të fitojnë edhe kampionatin. Në duelin që përcakonte fatin e sezonës, The Living Room ka mposhtur Vëllezërit Aliu për ta ngritur edhe trofeun e dytë këtë sezonë. Epitetin e dy finalistëve e vërtetuan në çdo moment dy skuadrat, deri sa u deshtën vazhdimet dy herë nga pesë minuta për të kuptuar se kujt do ti takojë titulli i kampionit. Në një atmosferë të shkëlqyer me një numër rekord si asnjëherë më parë shikuesish u mbyll edhe edicioni i parë i Ligës “Agim Ramadani”.
Nën një organizim të shkëlqyer nga organizatorët e Ligës “Agim Ramadani” që deri më tani nuk është mbajtur asnjëherë në vendin tonë është zhvilluar edhe ndeshja e fundit e sezonit të parë, ajo e finales. Staffi i kësaj lige kishte bërë gjithçka gati për të pritur dhe për të nderuar të pranishmi ashtu siç i ka hije, sepse për spektaklin në fushë u përkujdesën dy skuadrat finaliste. Një numër rekord shikuesish kishin ardhur për ta ndjekur nga afër këtë super përballje, ndërkohë nuk ka munguar as mysafirët special të Ligas, Komandanti i Policisë në Gjilan, Remzi Azemi. Deri sa skuadrat kanë defiluar brenda fushës së lojës, në fillimin e saj u intonua edhe himni i Republikës së Kosovës.
Fillim i qetë dhe mbyllje e zjarrtë në pjesën e parë
Paraqitje në finalen e edicionit të parë në Ligën “Agim Ramadani” do të thotë më shumë se sukses për dy skuadrat që gjithë sezonit ishin në kërkim të këtij objektivi. Me mjat sukses kishin kaluar sfidat dhe pengesa gjatë gjithë sezonit dhe tani ishte koha për të dhuruar spektakël. Ndeshja nisi qetë me dy skuadrat që studionin njëra tjetrën dhe me disa gjysmëraste që nuk përbanin rrezik për gardianët e dy skuadrave rrespektive. Portat ishin të heshtura deri në fundin e pjesës së parë (17′), me ç’rast The Living Room kalon në epërsi. Një mos kordinim i mirë i portierit Vedat Azemi me repartin e mbrojtjes e ka shfrytëzuar në maksimum Egzon Abazi që e dërgon topin drejt rrjetës për të prishur qetësinë në Palestër. Minutat e fundit të pjesës së parë Vëllezërit Aliu u munduan të kërkonin golin e barazimit por pa gjetur frytin e duhur që do i mundësonte atyre qetësinë pas pushimit.
Minuta e fundit e kohës së rregullt dhe ajo e vazhdimeve përcaktojnë fituesin
Fundi i fraksionit të parë na tregoi se në të dytën do kemi lojë më energjike dhe më cilësore. Ashtu edhe ndodhi. Skuadra Vëllezërit Aliu përmbys në dy minuta rezultatin dhe merr frenat e lojës nën kontrollë. Fillimisht, Burim Hyseni shfrytëzon një pasim të mrekullueshëm nga Drilon Ademi nga mesi i fushës dhe i vetëm më portierin Bajram Ramadani qëllon në këndin e djathtë të portës dhe e përplas topin për rrjete, duke dërguar kështu në trans përkrahësit e skuadrës që shumë shpejt do gëzoheshin edhe për golin e rradhës. Është sërish Burim Hyseni që arrinë sërish të realizojë. Sulmuesi shfrytëzon një asist brenda zonës dhe tund sërish rrjetën e Ramadanit, por kësaj rradhe për ta kaluar në epërsi skuadrën e tij. Tani janë futbollistët e Living Room ata që e kërkojnë barazimin. Atë e gjejnë në fundin e kohës së rregullt, nëpërmjet Vahid Krasniqit që realizon një supergol për të dërguar në trans përkrahësit e skuadrës së tij.Vazhdimet dy herë nga pesë minuta ishin më tepër lojë psikologjike pa ndonjë rast për tu veçuar, megjithëse ndeshja u vendos në fundin e saj. Kur gjithë po bëheshin gati për tu parë ekzekutimin e penaltive, njeriu i finales së kupës futbollisti nga Shkupi i Maqedonisë, Xhelal Mjaku shfrytëzon një asist të Ermir Kryeziut për të shënuar dhe njëherit për ta fituar edhe titullin.
Në fund organizatorët e Ligës ndanë çmimet për laureatët më të mirë të sezonit të parë në Ligën “Agim Ramadani”. Gjithashtu me dekoratë u shpërblye Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në emër të së cilit Malazog Hoxha morri çmimin. Në emër të Policisë së Rajonit të Gjilanit, prezent ishte vetë komandati i saj Remzi Azemi që pranoi dekoratën.
THE LIVING ROOM – VËLLEZËRIT ALIU 3:2 (1:0)
Palestra e Sporteve: “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan
Shikues: 700
Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu, Përparim Jakupi & Shpëtim Murtezi
Delegat: Gani Dermaku
Vëzhgues: Malazog Hoxha
Golashënues: E.Abazi 17′, V.Krasniqi 38′, Xh.Mjaku 49′ (Liv.Room) – B.Hyseni 26′, 28′ (Vëllezërit Aliu)
Kartona të verdhë: Sh.Rukovci (Liv.Room) – B.Hyseni, E.Hasani (Vëllezërit Aliu)
The Living Room: B.Ramadani, Ed.Ramadani, D.Maloku, E.Abazi, E.Kryerziu, E.Ramadani, M.Qerimi, Sh.Rukovci (C), Xh.Mjaku, J.Rukovci.
Trajner: Ardian Aliu
Vëllezërit Aliu: V.Azemi, E.Jahiu, B.Hyseni, S.Jashari (C), A.Marovca, D.Ademi, S.Neziri, E.Hasani, G.Aliu, M.Sabedini.
Trajner: Agim Aliu
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/