Granit Xhaka vazhdon të jetë në qendër të zërave të merkatos. Mesfushori i Gladbach, ka përfunduar tashmë nën shënjestrën e Liverpulit, pasi u përfol se kërkohej dhe nga dy skuadrat italiane të Lacios dhe Milanit. Futbollisti me origjinë shqiptare por që luan për Zvicrën vlerësohet së tepërmi nga njerëzit e merkatos së Reds që kërkojnë të përforcojnë repartin e mesit të fushës nëpërmjet tij. Fakti që Xhaka ka përvojë të konsiderueshme dhe në arenën ndërkombëtare është një tjetër plus për të për një transferim të mundshëm në “Anfield Road”.
Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, ekipi i Liverpulit është i gatshëm të ofrojë dhe 12 milion euro për shërbimet e tij, në mënyrë që të mposhtë dhe konkurencën e të interesuarve të tjerë. Xhaka, faktikisht vlerësohet si një prej lojtarëve më të mirë në Bundesligë në rolin e tij, dhe në radhët e anglezëve do të bënte jo pak punë në mesfushë duke parë dhe problemet që ka shfaqur në sfidat e fundit skuadra e Rodgers.