DYLON

Lirinë e ndjeva në Prekaz ku aty më ka ngrohur flaka e saj

Lirinë e ndjeva në Prekaz ku aty më ka ngrohur flaka e saj
Avatar photo Redaksia

Asnjëherë nuk kisha qenë në Drenicë. Këtë copë Kosovë e Shqipërie, këtë vend arenë të luftërave të ashpra e të lavdisë sonë, e njihja vetëm nga librat, nga rrëfimet e odave dhe përmes këngëve të rapsodëve.

Shkruan: Shefik Surdulli

Një ditë, kur Kosova dhe populli i saj po këndellej dhe po e kuptonte se është nën robëri, thanë se u kall lufta në Prekaz.

EkoHigjiena

Në atë kohë, populli po izolohej duke shkuar drejt një terri informativ, drejt një lufte speciale të paparë.
Çka s’flitej e s’dëgjohej për ato vringëllima armësh mes forcave serbe dhe një familjeje shqiptare me nam.

Nga krejt ajo rrëmujë lajmesh për sulmin në Prekaz, për ne vetëm një gjë kishte rëndësi: doli një shqiptar që po ia kthen pushkën Serbisë, për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për t’i dal zot nderit e atdheut.

Për Serbinë ishte e rëndë kjo, ndërkaq për shqiptarët ishte sihariq – rikthim i një krenarie gati të humbur!

Nganjëherë nuk mund ta imagjinoja! Si ka mundësi në këso rrethanash kur Kosova ishte nën një rrethim të hekurt ushtarak, të dalë dikush e t’i kundërvihet Serbisë me aq zjarr! Nuk do të më shkonte mendja se edhe vet do të gjendem aty, ku pak kohë më parë ishte zhvilluar një beteje e paparë, ku akoma po i vinte era barotit, e gëzhojat e predhave po dukeshin kudo.

Jo shumë kohë pas atij sulmi të forcave serbe mbi familjen e Adem Jasharit, në Prekaz të Drenicës, në vitin 1992, bashkë me dy miq të mi (Nazmi Musa dhe Sabit Rrustemi), isha mu në atë Kullë, në kullën legjendë të historisë.

I ulur pranë oxhakut të Kullës, me revolverin që i dukej nën jastëk, Bacë Shabani po na tregonte me një entuziazëm dhe krenari për zhvillimet e asaj lufte. Po na rrëfente për luftimet dhe qëndresën e tyre, të bijve; Ademit, Hamzës dhe luftëtarëve të tjerë. Na tregonte shumëçka, për atë natë trishtimi, sesi krisi pushka dhe si u ndal, madje e zuri në gojë edhe “bunkerin”, duke shpërfaqur kështu besnikërinë shqiptare, edhe para miqve të “largët”.

Në një moment, i ndërhyri Nënë Zahidja, me një buzëqeshje fisnore: “Ore, mos i trego të gjitha për djemtë…!”. – Nazmiu, nuk më vjen në konak me këdo”, -ia ktheu të shoqes, Bacë Shabani, me një besë dhe siguri për atë që po na tregonte.

Pas bisedave të gjata dhe pas bukës që na shtroi me bujari kjo familje e madhe, e lëshuam Prekazin, për ta dëgjuar më vonë namin e saj prej një familje embleme e luftës vetëmohuese për liri, për të cilën do të dëgjojë edhe bota.

Aty e pashë dhe besova se Kosova pakthyeshëm kishte marrë udhën e lirisë. Aty kuptova se, rrëfimet për luftërat e mëdha në Drenicë, trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve, si: Hasan Prishtina, Ahmet Delia, Azem Bejta, Adem Gllavica, Tahir Meha, e shumë të tjerë, nuk ishin të hiperbolizuara, por ishin të njëmendta dhe reale.

Në këtë njëzetvjetor të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, me familjen e tij, nuk duhet të ketë asnjë mëdyshje, se pa veprimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa aktin heroik të Adem Jasharit dhe familjes së tij, akt ky unik i cili e detyroi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në krye me SHBA-n, Kosova nuk do të çlirohej dhe nuk do ta fitonte lirinë.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.