Lirikat ndërmjet kujtesës dhe misionit etik
Shefqet DIBRANI
LIRIKAT NDËRMJET KUJTESËS DHE MISIONIT ETIK
(Rrahim Sadiku, “ZGJUAR ME ETJEN”, poezi, botoi Shtëpia Botues “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2014, faqe 128. ISBN 978-9951-594-46-2)
HYRJE
Brenda hapësirës së letërsisë shqipe bashkëkohore, sidomos asaj që krijohet në Kosovë, zëri i Rrahim Sadiku, është mjaft i njohur, për krijimtarinë e begatë letrare që i ka dhuruar letërsisë shqipe. Vargu i tij dhe fjala e shkruar nuk shërben për të stolisur ndjesinë, por për ta zbuluar atë në thellësinë e saj të mundshme. Një përpjekje tjetër e tij është dhe libri ZGJUAR ME ETJEN, ku përmes artikulimit të fjalës së bukur artistike, gërmon më thellë në shtresat më intime të qenies njerëzore. Poeti ulet përballë vetes me një ndershmëri të rrallë dhe na fton edhe ne të sillem njejtë, prandaj ai, “numëronte synimet e daljes tej vetes/ vizatuar në rrudhat e harrimit”, (faqe 5). Duke patur parasysh jetën e tij nëpër burgjet serbo-jugosllave, numërimi i sifidave për të dal tej vetes, ishte numërim edhe i kohës dhe anatemimit, që ia bënin apartakçkët e sistemit. Kjo kategori, sidomos ata që ishin me idealizëm, nuk kanë kaluar mirë asnjë etapë të ndryshimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Sepse ai nuk e dinte “se ishte me vdekjen përqafuar/ se fisnikërisht e kishte ftuar atë në duel”, (faqe 6.), prandaj si një qiriri i ndezur kur ndriçon në natën si futa e zezë, shkëlqen vargu i tij, “Kisha harruar/ si shpërthen kënaqësia/ prej nënlëkure e merr gjithësinë/ fluturake e kërkimit shpirtëror”, (faqe 7). Tashmë krijimtaria e Rrahim Sadikut mund të vlerësohet nga një distancë e rëndësishme, pa dirigjet e dikurshme përballë kulturës dhe krijimtarisë shpirtërore.
UDHËTIM BLU
Vallëzojnë erërat e dimrit veror
melodinë pa rregulla takte
si ëndërr shumëngjyrëshe
Ku ta gjej strehën për gëzimin
për dashurinë e kthyer mallëngjyshëm
pasi ka provuar ta shërojë qiellin blu
një copë gjithësie për ta bërë të veten
në ëndrra përjetësie për t’u përkundur
Faqe 13.
Poezia në fjalë shpreh kërkimin e thellë shpirtëror për dashuri dhe mirëkuptim, në një botë sa kaotike po aq edhe magjike. Subjekti lirik duket i përfshirë nga një ndjesi malli, por edhe shprese, ndërsa lëviz në një udhëtim emocional për të gjetur një vend ku gëzimi dhe dashuria mund të rilindin. Udhëtimi është brenda vetes, por edhe një përpjekje për ta kuptuar dashurinë përmes metaforës së “qiellit blu”. Kjo metaforë sugjeron një përpjekje për të riparuar ose përmirësuar diçka të madhe dhe të përjetshme, siç është dashuria apo vetë jeta. Qielli blu zakonisht është simbol i paqes dhe i ëndrrës. Ky varg mund të shihet edhe si përpjekje për të për ta përmirësuar botën e trazuar. Poezia,“Udhëtim Blu”, është një lirikë që kërkon rrugëtim të njeriut drejt një vendi ku mund të gjejë gëzim dhe dashuri. Erërat, ëndrrat dhe qielli blu janë tri simbole që krijojnë një atmosferë mjaftë përjetuese.
UDHËTIM PËRMES POEZIVE TË RRAHIM SADIKUT
Siç dihet Rrahim Sadiku u lind në Komogllavë (1954). Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Ferizaj, kurse fakultetin dhe studimet pasuniversitare në Degën për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë. I pajisur me shkollim të lartë universitar gjatë karrierës së tij ka punuar mësimdhënës dhe drejtor në shkollat e mesme dhe fillore në komunën e Ferizajit, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e Re”, dhe në të përditshmen “Rilndja”, kryeredaktor në Radio Ferizaj dhe drejtor i Qendrës së Kulturës, si dhe pjesëmarrës i aktiv nëpër festivale e manifestime kulturore. Po ashtu, Rrahim Sadiku u përket Organizatave Ilegale, i dënuar politik me dhjetë vjet burg, kurse me fillimin e luftë së armatosur u bashkohet luftëtarëve të lirisë dhe më 22 maj 1999 në luftimet e zhvilluara në Stagovë të Kaçanikut, plagosët rëndë.
JETA
Afrohesh e hap portën e zemrës
heshtur sikur mbledh vdekjen
dritareve kah udha sikur u dërgon mesazh
silueta brenda janë kujtimet
si një bagazh i vketër
Mendon t’u përvidhesh etjeve
veten nuk e ke në dorë
heshtja e terri shkojnë për më tutje
Ti nuk e hap dot portën e zemrës
qëmoti çelësat ia ka dhuruar asaj…
Faqe 20
Edhe poezia “Jeta” nga Rrahim Sadiku është një meditim i thellë filozofik dhe emocional mbi kohën që ikën, pengesat e brendshme dhe fuqinë e kujtimeve që formësojnë jetën e njeriut.“Porta e zemrës”, dhe “çelësat” janë figura që mund të simbolizojë dashurinë ose ndonjë kujtim të fuqishëm. Kujtimet janë paraqitur si “bagazh i vjetër”, një metaforë që nënvizon peshën e së kaluarës, që nuk largohet lehtë. Heshtja dhe terri janë prezent dhe shprehin një ndjenjë të thellë të vetmisë emocionale. Pra, jeta nuk është gjithmonë në dorën tonë. Në këtë poezi, jeta është përshkruar si një përpjekje për t’u rikthyer te vetvetja, e ndoshta është tepër vonë, pasi çelësat ia ka dorëzuar dikujt tjetër, ndoshta pa kthim. Në pak vargje, poeti ngre një pikëpyetje të thellë për dashurinë dhe fatin e saj, duke e konsideruar jetën si heshtje që shkon drejt një porte të mbyllur.
Në poezinë e Rrahim Sadikut ndeshim simbolikën ekzistenciale, siç duket nga, koha, heshtja, syri, porta, qielli blu, të cilat janë tërësia e kujtimeve, si lotët që shndërrohen në transmetues të një kuptimi më të thellë, shpesh të pashpjegueshëm racionalisht, por i përjetueshëm emocionalisht. Madje edhe kur jemi të pranishëm fizikisht, shpirtërisht jemi shpesh të shpërndarë, prandaj ai pohon se nuk dëshiron të “gërryhet si guri nga lotët apo plagët”, varg i cili është metaforë e fuqishme e dhimbjes në kuptim e zgjatur të saj. Poezia ka vargun e ekuilibruar, mjaftë të thjeshtë, dhe e përjetuar emocionalisht, madje duket se artikulonë urtësinë e poetit, si meditim i brendshëm që fton për reflektim të thellë. Vëllimi me poezi, “ZGJUAR ME ETJEN”, përveç lirikës gjakon edhe me kohët e errëta të cilat binin si rrufeja mbi poetin Rrahim Sadiku, i cili është ndër ata intelektual shqiptarë që për bindjet e tija politike është dënuar, dhe pastaj detyrimisht iu ka nënshtruar heshtjes, me pak fjalë, jeta e poetit ishte kthyer në ekzilin e shtëpisë, të heshtjes dhe izolimit, prandaj edhe hapësira krijuese i mbetej në nivel ëndrrimi, sepse fjala ishte e para që mbetej brenda mureve të ndërgjegjes. “Pritja s’ka të bëjë me kohën”, (faqe 10), megjithatë poeti shprehet se “Nuk desha ta takoj vetminë/ ajo po më kërkonte mua”, (faqe 12).
Ja si shprehet vet poeti në poezinë “Falje”:
FALJE
Fal ata që më bënë keq
ata që më deshën të keqen
ata që e ushqyen të keqen
Nuk dua më të gërryhem si guri
nga shiu i ngadalshëm
nga lotët
nga plaga deri në asht
S’e lë shpirtin të thërrmohet kotësive
të keqen nuk e dua të mbetet as te ata
Faqe 15.
Poezia “Falje” është një meditim mbi faljen si akt çlirimi shpirtëror. Subjekti lirik zgjedh të mos mbajë më urrejtje dhe hidhërim, por të lirohet prej tyre për të ruajtur integritetin e vet të brendshëm. Metafora e gurit që gërryhet nga shiu dhe nga lotët shpreh lodhjen e heshtur e cila i vjen nga mbajtja e dhimbjes brenda vetes. Poezia përçon një mesazh të thellë dhe human: falja nuk është dobësi, është vyrtyt, dhe një mënyrë për të mos lejuar që e keqja të jetojë më tej, as te vetja, as te tjetri. Në pak vargje, poeti arrin të përmbledhë një udhëtim emocional nga vuajtja drejt paqes.
Poezia e Rrahim Sadikut, në përgjithësi përfaqëson dramën individuale nëpër rrethana, edhe vëllimi me lirika “ZGJUAR ME ETJEN”, ka një trajtë dhe qasje të tillë. Motivi lirik është preokupim themelor i poetit, “Dashuri për dashuri/ etje për etje/ dhimbje shkuar dhimbjes”, janë copëza dashurie me fatin e saj, dhe pavarësisht dramës së individit, poeti mbetet në kërkim dhe “Askund shteg as breg as det/ nuk shkojmë dot përtej shpirtit/ ku të kërkojmë shpëtimin o/ një lutje ku ta themi o”, (poezia, NJË LUTJE KU TA THEMI, faqe 18), janë vargje për jetën dhe për dashurinë, përmes të të cilave gjithmonë është përpunuar kujtesa kolektive e shqiptarëve për dashuri dhe për ta populluar atdheun, i cili gjatë ishte i shtypur, dhe krejtësisht në harresë, e thënë përmes poezisë “Kohës memece”, e cila aq sa është poezi për fatitn individual, po aq përfaqëson edhe fatin kolektiv të shoqërisë:
Fola me heshtjen
ngushëllim mora etjen
zjarrin e ditës së re
shkova tej vetes
takova zbrazëtinë
ngulfatur lotësh
kohës memece
O lësho zë një herë
moj
Poezia, KOHËS MEMECE, faqe 74.
Ky udhëtim i brendshëm shpirtëror, përballet me heshtjen dhe zbrazëtinë që e sjell mungesa e ndjenjës dhe e fjalës. Heshtja këtu nuk është paqe, por një mungesë ngushëllimi, një zbrazëti që ngulfatë shpirtin me lotë dhe dhimbje. Thirrja e fundit, “O lësho zë një herë/ moj”, është një britmë që thyen murin e ftohtë të kohës memece. Është një kërkesë për të rikthyer dialogun e ndjeshmërinë njerëzore. Në thelbin e saj, poezia është një klithmë kundër indiferencës dhe boshllëkut të kohës moderne, ku njeriu ka nevojë për një zë që e shpëton nga vetmia dhe gremina.
Rrahim Sadiku e ndërton profilin e tij krijues si autor i dhjetëra vepra për fëmijë dhe të rritur. Ai është poet, prozator, dramaturg dhe publicist me një profil të vetin krijues. Këto ura kulturore kanë bërë që emrin e tij ta ndeshim nëpër shumë antologji lokale, grupore dhe aso me përmasa nacionale ku përpiqen dy botë: Njëra e rrënjëve të dhimbjes, tjetra e mundësive krijuese. Kjo sintezë i jep vargut të tij një ngarkesë të thellë semantike, një polifoni kuluturore e letrare përplot sinteza, porosi e mesazhe që ndërlidhë të tashmën me të kaluarën historike përplot vuajtje dhe sakrifica. Rrahim Sadiku, është një poet që vjen nga periferia, Komogllava, kurse krijimtaria lidhet me Ferizajin. Ndoshta kjo është arsyeja pse poezia e tij ka diçka të veçantë dhe specifike, që u zhvillua përmes qëndrueshmërisë dhe përkushtimit të pa epur.
BISEDË ME VETEN
Në rrugën pa krye
koka duhet edhe më shumë
Në dashurinë pa kohë
duhet më shumë zemër
Në veprimet e guximshme
guximi duhet më së paku
Hapi i dëshiruar nuk ndalet
duhet synuar e pandalshmja
Faqe 30.
Edhe pezia “Bisedë me veten” është një reflektim i qartë filozofik për sfidat ekzistenciale me të cilat poeti është përballur gjatë jetës. Si e tillë poezia është reflektim i qëndrueshmërisë përballë situatave të vështira në jetë. Në rrugë “pa krye” kërkohet më shumë mendje, në dashuri “pa kohë” më shumë zemër do të thosha, kur situatat janë të paqarta ose sfiduese, njeriu duhet të rrisë aftësitë e tij për t’i përballuar ato. Paradoksi më goditës është: “Në veprimet e guximshme/ guximi duhet më së paku”, ky varg nënkupton që kur njeriu ka ndërtuar bindjen dhe vendosmërinë e thellë, veprimi nuk ka më nevojë për guxim, por thjesht ndodh natyrshëm. Gjithsesi poezia është një lloj manifesti i përballjes me jetën, ku njeriu synon lartësitë nuk duhet ndalur, edhe nëse gjithçka duket e pasigurt. “Bisedë me veten” është një poezi e matur, që flet me zë të ulët, por bart një forcë të madhe motivuese.
STRUKTURA POETIKE E VËLLIMIT “ZGJUAR ME ETJEN”
Poezitë me motive lirike si “Flokët e saj”; “Dashuri mashtruese”; “Më dashuro”; “Në mallin tënd”; “Si motiv popullor”; “Ode dashurisë”; “Fluturim dashurie”; “Dashuri prej nëne”; “Kërkoj dashurinë”; “Kthimi në dy pamje”; “Me lot mos më laj”; “Nëpër trupin tënd”; “Porta e zemrës”; “Digjem e shkrihem këndshëm”; “Vetmisë me ty”; “Shenja dashurie”; “Krejt miqësisht”; “Te kufiri i durimit”; “Ribërja e fatit”; “Jetë kosovare”; “Imazh bukurie”; “E imja zanë”, dhe sigurisht edhe ndonjë tjetër, por s’bashku me metaforat e shumta, që nga titulli i librit, “Zgjuar me etjen”, dhe vargjet metaforike:“Dimrit veror”; “Në fushën e luftës për jetë”; “Po shtohen mallkimet e stinëve”; “Akulli nuk është më i ngrirë”; “Dhembjet pa emër”; “Në bregun e pashpresës ngulitur shpresoj”; “Dola atje nga buron malli”; “Lodhja ka ngrehur dejzat e lodhjes”; “Pikëllimi i horizonteve”; “Liqeni qiellor”, “Të gërryhem si guri/ nga shiu i ngadalshëm”; “Për ta shëruar qiellin blu” etj, janë metafora që thellojnë botkuptimin e poezisë, dhe shtojnë mundësinë për interpretime me qasje filozofike. Prandaj e them se metaforat e këtyre poezive, nuk kanë vetëm motivin lirik, ato prekin aspektet politike, sociale e psikologjike për shumë bëma e veprime në kontekstin kohorë, jo vetëm sot për sot, por nga e tashma interpreton të shkuarën për të reflektuar në të ardhme e cila detyrimisht do të vjen, dhe koha edhe sipas poezisë do t’i determinojë disa procese. Pra, aluzionet ekzistenciale krijojnë shtigje interpretuese të shumanshme. E gjitha, poezia është vet figura e poetit në kohë krizash, që tashmë hesht duke mbajtur enigmën në vetvete, edhe pse shpeshherë detyrohet nga nevoja për të folur, për të kundërshtuar, veprimet dhe bëmat konformiste. Në anën tjetër janë edhe lirika artistike të cilat artikulojnë më mirë botën poetike, aty ku motivi i dashurisë është epiqendër e saj e shkruar, “Në rrjedhat e kohës”, për të dëshmuar edhe pse, “Vonë ishte për t’u zgjuar/ herët për të rënë në gjumë”, (faqe 105), që në njëfarë mënyre përfaqësojnë tipin real dhe emocional të kësaj metafore që ka ndikuar në profilizimin artistik dhe letrar të poetit. Me këtë motiv është edhe poezia “Ëndërra zgjuar”, në të cilën poeti shprehet: “Deri te zemra jote rrugë e pafund/ nuk e di a arrij dot te drita”, me dyshumin në realizimin e qëllimit, prandaj poeti ofshanë, “Fal Zot e kam ëndrrën”, (faqe 113), varg, jo vetëm metaforë por motiv inspirues dhe inkurajues. Si të them, “një lloj vetmotivimi!”
HARE
Kujtova se na thithi harrimi
mandej dritë nga syri yt
Iu fala Zotit me gjithë fuqinë e shpirtit
për ty mirësi!
Faqe 110.
Motivi kryesor i poezisë “Hareja” është ringjallja e shpresës dhe gëzimit përmes dashurisë dhe pranisë së tjetrit. Poezia ngrihet mbi motivin e shpëtimit shpirtëror përmes ndjenjës. Fillimisht kemi një moment dëshpërimi, “kujtova se na thithi harrimi”, që shpreh ndjesinë e zhdukjes, të mbylljes në harresë, por shfaqja e syrit të dashur, është metaforë e dritës dhe ndriçimit, që sjell rikthimin e jetës emocionale dhe haresë së brendshme. Fjala e fundit lutje “për mirësi”, vendos një notë thellësisht spirituale dhe falënderuese, duke e lidhur motivin e dashurisë me atë të mirësisë hyjnore dhe faljes. Motivi i poezisë është rilindja e ndjenjës dhe mirësisë në shpirtin e njeriut, falë dashurisë dhe pranisë njerëzore që rikthen dritën në jetën e zymtë. Poeti na kujton se një vështrim, një ndjenjë e sinqertë, mund të jetë burimi i haresë së vërtetë. Vargu i poezisë në këtë vëllim është i ngarkuar me funksion etik dhe estetik. Rrahim Sadiku nuk i fshihet vuajtjes por as nuk e shfrytëzon si subjekt lirizmi sentimental; ai e kthen në temë të analizuar, të shpërfaqur pa retorikë dhe pa viktimizim. Ky mendim ilustrohet më bukur në poezinë “Koha”:
KOHA
Gjithë këtë kohë
nuk patëm kohë
të jemi në kohë!
Duket
as pyetëm ndonjëherë:
vallë, pse s’jemi në kohë?!
Faqe 56.
Kuptimi metaforik i “kohës”, në këtë poezi nuk është thjesht rrjedha e sekondave, por një mundësi ekzistenciale që shpesh na rrëshqet nga duart. Vargu:“Gjithë këtë kohë/ nuk patëm kohë/ të jemi në kohë!”, është një paradoks poetik që shpreh thelbin e mosqenies së vetëdijshme në çastin kur duhet a jetojmë. E kemi kohën, por nuk jemi të pranishëm në të, e jetojmë kohën pa vetëdije, duke mos e përjetuar thellësisht. Ndërsa pyetja retorike në fund:“Pse s’jemi në kohë?!”, ngre një reflektim filozofik, mos vallë jemi gjithnjë të shpërqendruar, të humbur në të shkuarën ose në të ardhmen, duke harruar të jetojmë të tashmen këtu dhe tani? Pa dyshim për poetin, koha është simbol i mundësisë për të jetuar me vetëdije, për të qenë i pranishëm në realitetin e vet. Poezia është një kritikë e butë, por e thellë ndaj harresës së qenies, ndaj asaj që kalon pa u ndjerë sepse ne nuk jemi “në kohë”, pra, nuk jemi në vete?!
PËRFUNDIM
Vëllimi poetik “ZGJUAR ME ETJEN”, i Rrahim Sadikut përbën një udhëtim metafizik të heshtur, ku njeriu përpiqet të kuptojë veten në raport me botën që e rrethon, kohën që ikën dhe ndjeshmërinë që shpesh i humbet. Poetika e Rrahim Sadikut, nuk ka nevojë për zhurmë, ajo flet me pak, por thotë shumë. Vëllimi “ZGJUAR ME ETJEN”, ka ndjesi qetësie por ka edhe trishtimin njëkohësisht, poezitë janë një bisedë e vërtetë me vetveten, ku do të zbulohet jo gjithherë ajo që dëshirojmë, por ajo që është. Në epiqendër të saj është gjithmonë tjetri: Njeriu Ynë, i përndjekuri hesht, dhe intelektuali i mbyllur në provincën e tij. Ndërsa në lirika, edhe kur gjuha poetike është hermetike, ajo ka në epiqendër qenien humane dhe vuajtjen e saj konkrete. Ajo që e bën mjaftë të veçantë poezinë e Rrahim Sadikut është dashuria për atdheun, për shoqërinë, si dhe përgjegjësia për brezat që do të vijnë. Prandaj poeti i jep fjalës një dimension të tretë, ku vargu nuk është thjesht meditim, por hapësirë që nënvizon shpërthimin e nëndheshëm të traumave. /2LONLINE/
