Shefqet DIBRANI
LIRIKAT FLASIN PËR KOHË TË PIKËLLUAR
( Ibrahim Kadriu, “PASTAJ HARROHET“, poezi, botoi Redaksia e Botimeve „RILINDJA“, Prishtinë 1989. Faqe 68 )
Rileximi i poezisë së Ibrahim Kadriut, veçmas kësaj të përfshirë në librin “PASTAJ HARROHET“, botuar në vitin 1989, nga Redaksia e Botimeve “RILINDJA“, ngjallë emocione dhe është përjetim i veçantë për tu rikthyer në atë kohë të trazuar politikisht. Metafora “PASTAJ HARROHET”, është sintagma më e përshtatshme për atë kohë, për ato rrethana dhe atyre veprimeve, e si rrjedhojë përcaktojnë natyrën e poezisë që krijohej gjatë atyre viteve. Si tematikë poetike mbetet në kërkim të kuptimit. Në anën tjetër specifikohej tipi i poezisë me vargun ekzocentrik, e cila në aspektin semantik nuk kishte ndertim mbi mesazhin ose thirrjen patriotike për të bërë rezistencë aktive, në esencë sforconte botëkuptimin e Epikës në vargun Lirik. Një ndërtim figurativ që përmbushte funksionin e njëjtë të rezistencës aktive, duke ndërtuar Lirikën dhe Epikën njëkohësisht!
PASTAJ HARROHET
Shikimet mprehin shpatat për dyluftim.
Vaj halli për to – bota merr frymë n’grafikone.
Pesha zbret nga gjymtyrët në formë grushti,
Sa dinari (paraja) lakmon e me pështymë merr jetë, e
Mbledhja gjunjëzohet, betohet, pastaj harrohet.
Faqe 13.
Sintagma e kësaj poezie është shprehje e revoltës dhe e racionalitetit, kjo mënyrë përmes argumentit proporcional e ka saktësuar botëkuptimin poetik. Nga pikëpamja logjike, poezia “PASTAJ HARROHET”, dhe libri si tërësi, janë kallëzuesi i drejtpërdrejt i atij realiteti. Në anën tjetër, nëse kundrimi i poezisë shihet në retrospektivën e atyre ngjarjeve shoqërore e politike, duket si komponentë e sfidës në ato rrethana.
Librin “PASTAJ HARROHET”, e kam lexuar qysh atëherë. Rileximin e kam bërë në dritë të re, bile në udhë e sipër për në Gjilan, pikërisht në ditën kur mbahej Manifestimi Kulturor „Flaka e Janarit 2022“, pastaj në këto emocione dhe përjetime, harresa e pazakontë e kësaj poezie i shpërfaq dy alternativa:
E para, udhëtoja drejt vendlindjes së shkrimtarit Ibrahim Kadriu, i cili një pjesë të madhe të veprimtarisë e ka të lidhur me vendlindjen dhe trevën e Anamoravës, psh.: “Tek kaloja rrugës për n’vendlindje vrap si dikur,/ arë e farë më flisnin me këngën e katundarit tim/… / Mëngjeseve ua ka ënda këtu t’i lajnë sytë me vesë”, (poezia: PEIZAZH, faqe 31), në të cilën pa asnjë dilemë shprehet malli i autorit për vendlindjen.
E dyta, brenda librit është edhe poezia UDHËTIM (I-II), në të cilën shfaqet drama historike e popullit tonë, e në të njëjten kohë edhe dashuria e poetit për vendlindjen. Guximi intelektual, dhe përballja me vështirësitë që sillte sistemi dhe diktatura, është sfiduar me menquri dhe dinjitet intelektual. Pa dyshim, edhe vepra e Ibrahim Kadriut, i ka shërbyer të njejtës kauzë:
UDHËTIM II
Katundi im është vonuar për shumë stinë.
Njohi vetëm rrjedhën e lumit
dhe aq mirë i njohu vërshimët,
dhe aq shumë u dridh nga vërshimët,
prapë – me shpinë kah shpati,
lëshon këmbën
zgjat hapin drejt dhe –
kush ka kohë
le t’ia falë kohën?
Nga katundi im e deri te unë arrihet këmbë,
me lodhje, me djersë;
arrihet me bukë të mykur ose pa të –
krejt një,
nuk ka rëndësi,
arrihet ngadalë-ngadalë, gjithnjë këmbë,
pa gjunjëzim.
Katundi im ecjen e vet e shpie pa lodhje
deri në vargun tim
që sapo dëshiron të marrë udhë,
për lojën e stinëve para syve të mi.
Faqe 18.
Poezia e Ibrahim Kadriut, ngërthen në veten e saj përjetim emocional, imazhe të realitetit ekzistues, i cili ashpërsohej dita dites, kurse poetët detyrimisht ishin të shtrënguar të ruheshin nga kujdestarët dhe nga mënyra e përgjimit që bënte sistemi, prandaj ata sofistikonin vorgun dhe mendimin e tyre, në anën tjetër ruheshin nga “Një zë”, prandaj “Më kot troket në derë/ këtu nuk jam,/ as dje s’isha./ Tërë kohën e lume lava/ petka të ndotura, të shqyera…”. Siç thamë, kamuflimi përveçse ishte sfidë e kohës kundrejt dhunës dhe represionit që dita ditës ashpërsohej, krijoi një tip të poezisë hermetike, e cila sfidonte dhëmbët e krimit kundër shqiptarëve në Kosovë. “Më kot troket në derë./ Nuk ta çel/ i kokës sate nuk jam, kupto!/ Rrugëve sa balta, aman/ ndotjes i druaj si djallit të zi…”, e ruajtja nga “ndotja” nuk është simfoni, prandaj ai ofshan dhe pyet “A ka djall të bardhë, o?”, (faqe 15).
Diferencimi, izolimi, përjashtimi nga puna, burgosjet e shumta tashmë ishin bërë pjesë e përditshmërisë intelektuale e vçmas e fushatës kundër gazetarisë. E, poeti me mjeshtri ka ndërtuar lëgjenden për ngjarjen e ndodhur “Te Kroni i Mbretit”, aty ku “Përtej xhamit të zi – njeriu i zi,/ metaforë që ecën me këmbë artificiale,/ s’është ajo e jetës, është mendimi fli/ mes tymit e gotës – zog n’shkreti i mbetur”, (faqe 19). Nga ky prizëm mund të shtrohet pyetja alegorike se ku e gjenin forcën për të krijuar, sidomos kur nëpër krijimet e tyre thuhej e kundërta që proklamonte diktatura komuniste e asaj kohe. Veprime këto të shprehura edhe në poezitë: “Secial ditë”, “Secila kohë”, ku metafora e kohës është ndërtuar artistikisht, prandaj sa për ilustrim po e sjellim poezinë “Secila kohë”:
SECILA KOHË
Secila kohë i ka mëngjeset
mbrëmjet e veta i ka;
i ka qentë, të lehurat e tyre
secila kohë zbret në baltë.
Secilës kohë i dhemb koka,
fruthi i kalon nëpër damar,
e kolli i keq i varet n’qafë
rriten ia ndal, priten –
për pushkë e edhe për varre.
Secilës kohë e shtrijmë në tryezë
për t’ia marrë masën
Na del e ngritur,
na del e zbritur,
dhe prapë mban emrin e vet…
Faqe 21.
Poezia që cituam, hapur shprehte realitetin ekzistues. Ku më shumë dhe ku më pak edhe në poezitë tjera gjejm protestën e poetit, gjithsesi reflektim dhe përjetim i realitetit ekzistues, kurse poezia sjell imazhin e atyre ditëve të errëta e të zymta, pa pikë perspektive siç shprehet autori në poezitë: “Njeriu në rrugë”, si fat i popullit, mbetur në mëshirën e kohës dhe fatit të rrugës, protestë kjo e hapur, dhe po aq hapur shprehur në poezinë: “Vdekje moderne”, ose edhe më mirë te poezia “Kalimtari”, në të cilën poeti shkruan: “Në rrugë e takova me certifikatën e lindjes/ dinte tash ku kishte lindur pse kish lindur/ Letrën në xhep me një vulë/ dhe nënshkrimi i ofiqarit”… dhe përmbyll këtë poezi me vargjet: “Tash dinte ku kish lindur pse kish lindur/ me dokumente e vulë e nënshkrim ofiqari/ rrugës së tij/ ecte i pari”, (faqe 24). Ky motiv sforcohet edhe më tej në poezinë “Përrallë e lashtë”, në të cilën thuhet: “Me vete barrën kish/ mija vjet të rëndë/ Lindte njeri e vdiste/ Legjendë// Na ishte njeriu na ish/ mbante emrin në shpinë/ Dashurinë kurrë se ndry/ Për Njerinë”, (faqe 26).
Poezia e këtij libri shprehte realitetin e kohës, pa klithma e gjëma, por me mençuri artistike kundërshtohej ai realitet: “Në hyrje të Pallatit të shtypit poetët ngutën/ letrat e bardha t’i zënë të pa nxira,/ nga lajmet e ditës – e kanë tutën/ se do ua kthejnë dashuritë në mënxyra”, (faqe 29). Dimensioni i këtyre vargjeve dhe i poezisë si tërësi ka përmasa të mëdha, (gjithmonë në kontekstin kohor), poeti ka shprehur revoltën dhe pakënaqësinë intelektuale. Ka treguar rezistencë dhe guximin në njërën anë, dhe në anën tjetër mospërfilljen dhe mospërkuljen përpara dhunës dhe trysnisë shtetërore. Një drejtpeshim intelektual, kurse si krijues rezistenca e tij shfaqet përmes fuqisë shprehëse, poezisë artistike. Kjo ka vlerë për kohën kur varacionet e jetës ishin të ashpra dhe sfiduese. Kjo rezistencë është shpalosur në mënyrë specifike në dhjetë shënimet-poezitë, në ciklin “Shënime për pacientin tim, faqe 55-64”, dhe jo rastësisht ky cikël përmbyllet me vargjet: “E, para, zgjedhur kishte diellin të bëhej mbrojtës i tij/ për t’varrosur shekujt tjerë me gjithë anemi,/ nëpër faqe të librit duke zbritur thellë e më thellë/ t’i shohë e t’i njohë këmbët të të tijes pjellë…”, (faqe 64). Vetëm nga këto theksime, dëshmohen vargje të bukura, kurse poeti nuk eshtë dorëzuar, nuk është thyer, nuk është ligshtuar dhe nuk është dorëzuar. Ai kurdoherë krijimin poetik e ka kthyer në shërbim të kauzës kombëtare.
Aspekti ideor dhe tematik i vëllimit “PASTAJ HARROHET”, është imazh i poezisë hermetike me nuanca meditative, një reflektim i pashmangshëm i atij realiteti, që manifestohej me dhunën e shtetit dhe ashpërsohej dita ditës. Pavarësisht mendimit që e shtruam, brenda librit gjejmë poezi me motiv lirik, kurse disa sish shprehin përjetime të caktuara: Ta zëmë poezia “Velania”, për shumë gjëra dallohet, dhe sikur të ishte botuar vite më vonë, do të trajtohej si poezi që në brendësi ka kronikën e ngjarjeve, pasi vite më vonë kjo Lagje e Prishtinës, të paktën për një dhjetëvjetësh, është kthyer në vemendje të të gjitha proceseve politike që kanë ndodhur në Kosovë. Është kjo arsye pse themi se kjo poezi, sidomos për banorët e lagjes, mbetet uverturë, pllakat për tu vendosur në kornizë të artë! Me nuanca të përafërta janë edhe poezitë: “Bogdani”, “Hero”, “Mirësi”, ose poezia “Shkolla Fillore Hasan Prishtina”, e cila shquhet për motivin historik: “Në Ulpianë zbret bota me të gjitha ngjyrat”, sepse kjo Lagje e Prishtinës: “Ulpiana në kraharor ka “Hasan Prishtinën”, dhe qytatarët, banorët e saj, edhe në atë kohë terrori: “përtej dritareve mijëra sy dalin-lozin valle…”, (faqe 40). Prandaj, janë këto motive poetike, që na detyrojnë të themi se poezia që nuk frymon në çdo stinë të vitit, që nuk komunikon me çdo kohë, ajo poezi ka vlerë të përkohëshme.
Burrat janë kthyer nga malet,
nga dita e gjatë qindvjeçare;
kanë ndjekur ujqit oborreve
e i kanë zënë këmbët të thyera në gjunjë
pran derës së konakut hapur.
….
Burrat burrërisht ruajn gurrat,
tek ndërrojnë tymin dhe fjalën;
në sy e shikojnë lodhjen e – dot
s’e ulin kokën mësa bregoret
që u rrijnë ndan si para njëmijë vjete.
Poezia, SY ME SY, faqe 43-44.
Nga ky frymëzim poetik, lexohet drama jetësore, janë përjetimet intelektuale, është bërë rezistencë aktive shembullore. Poezitë janë motivim për jetën, janë përkushtim dhe emancipim për breza të tërë. Poezi që lartësojnë edhe rolin e gruas në shoqëri, në emancipim dhe në të gjitha etapat e luftërave për çlirim, ose të paktën “të bëhet rrugë e vetme e hapit të trimit”, kjo poezi lirike, është më e mira brenda librit, jo vetëm për elementin lirik por edhe atë epik që ngërthen në brendësinë e saj dhe sado e kamufluar me dashurinë, përseri në nuanca shfaqë sakrificën e gruas për ta ndihmuar TRIMIN, sepse vet ishte trimëreshë, ose siç shprehet poeti ishte “Vasha e maleve”.
VASHA E MALEVE
Dhe e mëson mëngjesi me gufimin e barit,
njësoj i jep krah t’fluturojë tutje qiellit
e të zbresë ngadalë ku kënga e fyell-
ia ngatërrojnë këmbët dhe e ulin n’fushëtirë;
ia shprishin flokët e gjata dhe mendimet,
ia shpërthekojnë këmishën dhe buzëqeshjen
dhe ia rrisin gjoksin – njësoj edhe dëshirën
të bëhet rrugë e vetme e hapit të trimit.
Mbrëmja e ngreh përdore dhe e kthen mbrapa,
në ëndërr i ofron krejt çka i fliste kënga,
asgjë nuk i lë mangut – e nga brenda dëgjon
se ajo vërtet e do trimin edhe nëse kërkohet
të lërë bagëtinë e t’ndërrohet me këngën e tij.
Faqe 45
Ashtu siç kaloi nëpër periudha të rënda populli shqiptar, me Lirikë e Epikë të ngjizura në njësh, ose siç e thotë vet poeti: “Lirikë dhe epikë i bëhen bashkë kurban”, edhe intelektuali dhe krijuesi i barti mbi supe përgjegjësitë për ta ruajtur substancës njerëzore dhe pastaj atë substancë për ta edukuar dhe orientuar drejt proceseve të pashmangshme që po zhytej shoqëria njerëzore në Ballkanin e asaj kohe, mjaftë i trazuar nga egot nacional-shoviniste. Kjo simbiozë e Lirikës dhe Epikës poetike, në një frymë tjetër zhvillohet në poezinë “Trimi”.
TRIMI
Dhe e merr mëngjesi nga prehër i nënës
e ia fal bregut dhe e lëshon lugatës…
Lirikë dhe epikë i bëhen bashkë kurban
nëpër përroje dhe ahishte – dhe kurrë –
nuk harrojnë të kthehen aty ku – syri
mbetet peng i gjallë bashkë me zemrën.
Bjeshka e gjerë i bie në gjunj fyellit,
njësoj dorëzohen shkëmbinj e përroje –
bëhen dëshimtarë të flijimit të këngës
për sy të zez e flokë, o për at’ fisnike
e cila atje larg i rritet bacës ngadalë
siç i merr frymë jeta dhe kupën e qiellit
prek me do naze – dhe mandej këngë e tij
hap shtigje e hullinj për shtatë gjaqe;
për rrugën e asaj të mirës në ato male.
Faqe 46.
Kjo Lirikë Epike, është shtjelluar edhe në poezitë: “Dasma”, “Nusja”, “Dhëndri”, “Rrita” dhe në poezinë “Oda”. Në vitete e tetëdhjeta intelektuali dhe krijuesi jetonte dhe krijonte nën gërshëret e sistemit, ai kishte obligim ndaj qytetarit për ta inkurajuar në mbijetesën e atyre viteve dhe kurrësesi për ta nxitur në veprime me pasoja të përgjithshme, prandaj alegoria zhvendosej duke portretizuar dhunën dhe pushtuesin me kafshët, si në poezitë “Ujku” dhe “Qeni”.
Përgjegjsia intelektualit po sidomos ajo e krijuesit ishte më e madhe më përgjegjëse ndaj vetvetes dhe ndaj shoqërisë në përgjithësi. Poeti Ibrahim Kadriu, përmes poezisë ka shpalosur të vërtetën e kohës, e nëpërmes metaforës ka determinuar simbiozën e marrëdhënieve në mes popullit dhe pushtuesit për të bashkëjetuar në të njëjtat troje. Kjo lidhje e ngushtë në mes dy kontradiktave të afërta, kanë krijuar simbiozën etnike dhe atë poetike të kohës. Ky vokacion artistik shprehet në poezinë e Ibrahim Kadriut, që nga librat e tij të parë dhe deri te ky që po trajtojmë, duke shënuar ngritje cilësore dhe artistike, andaj poezia e tij përjetohet si poezi e frymëzimit dhe inspirimit, një metamorfozë lirike e kohëve të vështira, individualitet krijues, që iu qëndroi stoik kohërave dhe furtunave, në kohën kur misioni i autorit kultivonte paqen shpirtërore të individit në kapërcyell kohërash e trysnish politike.
Atij s’ia kishte gjaku besën; ia ulte kokën,
Atij s’ia mbante durimi fjalën; ia ngriste dorën,
Atij s’ia zbuste mendja gjuhën; e çmendte të tëren,
Atij s’i bënte shërim loti; ia rriste hapin…
Poezia: Shënimi i pestë: – ATIJ S’I KISHTE GJAKU BESËN, faqe 59.
Ky makth, që lexohet nëpër vargjet e librit “PASTAJ HARROHET”, shpjegon sakt për kohën kur libri është botuar, për ato vite tashmë të harruara, ato brenga tashmë të sfiduara, ato plagë të shëruara, në të cilat poeti ka artikuluar mendimin krijues dhe veprues. Poezi, kjo e cila ka ravijëzuar kohën dhe hapëirën e veprimit. Këto tablo poetike janë pasqyrë e atij realiteti, por duke lexuar vargjet befason guximi intelektual për ta përshkruar realitetin ashtu si ishte. Poezitë janë krijime artistike, lirika poetike që përshkruajn dramatikën e një kohe të pikëlluar, jo vetëm të autorit por të shoqërisë.
Dhe krejt në fund, mendojmë se metafora “PASTAJ HARROHET”, e thënë që atëherë dhe e botuar në vitin 1989, kthehet si art që pasqyronë rezistencën aktive! /2LONLINE/