Liria e Kosovës nuk erdhi brenda një nate, as nga një grup njerëzish

(2LONLINE) –  Historikisht populli shqiptar, brez pas brezi, me përkushtim e gjakim luftoi për çlirimin dhe mbrojtje të atdheut, tokave tona. Pavarësisht copëtimit të tokave shqiptare dhe pushtimit te tyre nga armiqtë të ndryshëm shekullor, ëndrra  për liri dhe bashkimin e trojeve shqiptare nuk ka pushuar asnjëherë.

Duke trashëguar një frymë luftarake e atdhedashurie nga të parët tanë, brezi ynë i viteve 90-ta e çoi më përpara ëndrrën e lirisë për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe bashkimit kombëtar. Dhuna dhe represioni serb, si asnjëherë më parë në histori, bashkoi popullin shqiptar në Kosovë në një mendim të përbashkët.  Ky bashkim krijoi një frymë të re,një strategji të re të luftës dhe organizimit politik e institucional, të prirë e udhëhequr nga strategu dhe dijetari i madh i fund shekullit XX, dr. Ibrahim Rugova e dr. Femi Aganit.

Kjo strategji u nis me një lider të ri, me një platformë të re politike,  me një internacionalizimin e çështjes së problemit të shqiptarëve  në Kosovë të pushtuar nga regjimi Jugo-serbo-sllavë, me përkrahjen e miqve tanë të vërtet, SHBA-të, me shkëputjen totale nga institucionet shtetërore serbe dhe  me krijimin e institucioneve të pavarura të Kosovës.

Themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nën udhëheqjen e intelektualit dhe mendimtarit të shquar e të pranuar botërisht dr. Ibrahim Rugova, Deklarata e 2 Korrikut, mbajtja e zgjedhjeve të para demokratike të shqiptarëve në Kosovë dhe Kuvendi i Kaçanikut që nxori Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ishin bazë e qëndrueshme për themelimin e Qeverise së Kosovës dhe ministrive përkatëse.

Mbështetur në pushtetin politik legjislativ dhe  ekzekutiv u themelua edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, me emërim të Hajzer Hajzerajt në krye të kësaj ministrie dhe Shtabi i  Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës ( FARK-u) me përbërje nga oficerët me të mirë të karrierës ushtarake dhe përvojën luftarake. Faktori politik dhe ushtarak me një përkushtim profesional dhe mirë të analizuar hartuan strategjinë e veprimit të rezistencës së popullit kundër dhunës dhe represionit serb që po ushtrohej në Kosovë.  Meqë platforma e kësaj strategjie kishte karakter gjithëpërfshirës të popullit shqiptar në Kosove në luftën për çlirimin e liri, kudo në komunat e Kosovës u formuan Shtabet e Mbrojtjes Territorial, si mbështetëse e Forcave te Armatosura te Kosovës në çlirimin dhe mbrojtjen e Kosovës.

Në vitin 1991 edhe në komunën e Gjilanit  nga njerëzit më të përzgjedhur që ishin dëshmuar për besnikëri e atdhedashuri edhe para viteve 1990, u formua Shtabi i Mbrojtjes Territoriale.  Kjo detyrë mu besua mua, Nazmi Musës, profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe, anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Gjilan dhe ish oficer rezervë me gradën ushtarake kapiten i klasës I. Vetëdija dhe vullneti i qytetarëve të  Gjilanit kishte arritur shkallën më të lartë të mendimit se, përveç politikës me mjete paqësore, ngadalë e me mençuri krijoheshin edhe mekanizmat e luftës për çlirim nga okupatori serb. Ishte mesazhi më së i qartë i dr. Ibrahim Rugovës kur thoshte: ”Shqiptarët dinë ta mbrojnë pragun e shtëpisë” që nënkuptohej përgatitja për luftë të armatosur…     Rrëfimet do të vazhdojnë… /2lonline/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE