Limaj: Kosova është para kolapsit
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se Kosova është në një gjendje tepër të rëndë, pasi të gjitha institucionet e pavarura janë në kolaps.
Ai në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se kjo situatë tregon për nevojën e domosdoshme që të fuqizohen alternativat e reja politike. Limaj e ka quajtur dështim për Kosovën krijimin e koalicionit PDK – LDK.
“Këto dy parti, PDK-ja dhe LDK-ja, kanë marrë vota duke e sharë njëra-tjetrën në emër të kauzave të tyre. Duke pasur parasysh mënyrën se si kanë ardhur në pushtet, asnjë qytetar normal nuk ka pritur se nga ky koalicion mund të ndodhin ndryshime pozitive. PDK – LDK është një koalicion i palëvizshëm dhe të dyja partitë kujdesen për të mos ia prishur njëra-tjetrës”, ka thënë Limaj.
Duke folur për themelimin e Gjykatës Speciale, ai ka thënë se debati për këtë gjykatë është tepër sipërfaqësor dhe joserioz. Në këtë kontekst, Limaj i ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të jenë në krye të detyrës dhe mos të votojnë për kufizimin e sovranitetit.
“Apeloj tek deputetët e Kuvendit që të jenë në nivelin e detyrës. Si të zgjedhur të popullit nuk kemi të drejtë që më dorën tonë ta kufizojmë sovranitetin e shtetit tonë, sepse sovraniteti buron nga populli. Nuk po kërkohet të votohet gjykata, por para deputetëve të Kuvendit do të vijë një dokument që Kosova me vullnet të saj ta kufizojë sovranitetin e vet dhe të ketë një mbikëqyrje ndërkombëtare për disa vjet”, është shprehur Limaj.
Ai ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është në gjendje dëshpëruese. Duke folur për procesin e verifikimit të veteranëve, lideri i Nismës, ka thënë se çdokujt që ka kontribuar për çlirimin e Kosovës duhet t’i njihet kontributi.
“Nëse ka pasur gabime dhe lëshime gjatë procesit të verifikimit, ato duhet të përmirësohen dhe përfundimisht secili ta marrë atë që e meriton”, ka deklaruar Limaj.
