DYLON

Ligji për duhanin nuk po respektohet as nga vet ligjbërësit!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në kuadër të projektit “Duhani dëmton Shëndetin”, financuar nga Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, organizata jo-qeveritare Merita, ka mbajtur debat ku edhe është prezantuar hulumtimi në lidhje me monitorimin e institucioneve rreth zbatimit të ligjit kundër pirjes së duhanit në hapësira publike. Të pranishëm në këtë debat ishin inspektorët komunal Muhamed Kastrati dhe Isa Veliu, zv. Ministri i MKRS’së, Rexhep Hoti, Xhevat Bajrami nga MRKS, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të rinj.

Përgjatë fazës së këtij hulumtimi janë monitoruar kafenetë, institucionet e ndryshme komunale, spitalet, universitet dhe shkollat në Komunën e Gjilanit. Gjetjet e këtij hulumtimi tregojnë se megjithatë nuk është duke u zbatuar ky ligj dhe në raste të caktuara edhe vetë ligjbërësit nuk e respektojnë atë, duke konsumuar duhan nëpër hapësira të mbyllura.

EkoHigjiena

Hulumtimi i bërë me 200 respondent, tregon disa nga arsyet se si të rinjtë ndikohen përball duhanit. Reklamat komerciale të kompanive të duhanit, konsumimi nga të rriturit dhe rrethi janë disa nga indikatorët që potencialisht të rinjtë ndikohen drejtpërsëdrejti.

Ndërsa, si motive se pse të rinjtë fillojnë të konsumojnë duhan hulumtimi tregon se, kënaqësia e të bërit diçka të përbashkët me miqtë, duhan pirja si mjet për “të thyer akullin” në situata të sikletshme, për t’u dukur me vetëbesim më të madh, thyerja e monotonisë, dhe duhani si diçka e përshtatshme për të bërë një moment pushimi të shkurtër.

Afërdita Këqiku, drejtoresh e organizatës jo-qeveritare “Merita”, theksoi se institucionet publike veçmas ato Komunale duhet të angazhohen më tepër në respektimin e ligjit, si dhe të punojnë më shumë në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve mbi pasojat që sjell konsumimi i duhanit për vetë konsumuesit aktiv por edhe ata pasiv. Gjithashtu, znj. Këqiku prezantoi para të pranishmëve disa shembuj konkret përmes fotografive të rasteve të konsumimit të duhanit nëpër hapësira të mbyllura.

Ndërsa, Muhamed Kastrati theksoi se njësia e inspektoratit Komunal në Gjilan, është duke u ballafaquar me sfida të ndryshme, pasi numri i vogël i inspektorëve, po e vështirëson procesin e monitorimit, përkundër asaj që janë duke u angazhuar maksimalisht në terren. Ai tregoi edhe disa raste ku ky inspektoriat ka marr masa ndaj atyre që nuk kanë respektuar ligjin kundër konsumimit të duhanit në hapësira të mbyllura.

Të pranishmit në këtë debat pos pyetjeve të ndryshme adresuar institucioneve, potencuan se institucionet duhet të angazhohen me rezultate konkrete, pasi respektimi i vobektë dhe tolerimi i vazhdueshëm, ka ulë besimin qytetar se do të merren seriozisht masa, ndaj atyre që nuk e shkelin ligjin. Veçmas, si shembull i keq u theksua pirja e duhanit nga zyrtarët institucional nëpër hapësira publike.

Hulumtimi rekomandon që duhet të punohet më shumë në vetëdijesimin e të rinjve mbi pasojat që sjell konsumimi i duhanit, si dhe institucionet duhet të jenë më sy hapur në zbatimin e ligjit në hapësira të mbyllura. /2L ONLINE/