DYLON

Ligjëratë ndërkomunitare për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Kamenicë

Ligjëratë ndërkomunitare për të Drejtat e Njeriut dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Kamenicë
Avatar photo Redaksia

Në kuadër të zbatimit të Planit Lokal të Veprimit për Strategjinë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali 2022–2026, në Komunën e Kamenicës u mbajt një aktivitet ndërkomunitar me ligjëratë informuese për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi.

Aktiviteti u organizua nga Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, znj.Nazmije Demolli Kastrati, në bashkëpunim me përfaqësuesen e komunitetit rom, znj. Bahtije Kryeziu dhe me mbështetjen e OSBE-së, përfaqësuar nga znj. Vjosa Emini dhe z. Jeton Lika.

EkoHigjiena

Gjatë aktivitetit u ligjërua mbi të drejtat themelore të njeriut, mbrojtjen nga diskriminimi dhe rëndësinë e raportimit të rasteve të shkeljes së të drejtave. Përmes diskutimit interaktiv, pjesëmarrësit u informuan mbi institucionet dhe personat përgjegjës ku mund të drejtohen, si dhe për mundësinë e raportimit përmes platformës raportodiskriminimin.org.

Po ashtu, para të pranishmëve u prezantua videoja “Bashkë kundër diskriminimit”, e cila u mirëprit nga pjesëmarrësit për mesazhet informuese lidhur me barazinë dhe reagimin ndaj diskriminimit.

Në aktivitet morën pjesë rreth 50 fëmijë nga komuniteti rom, nga Kamenica dhe fshati Berivojcë. Qëllimi i aktivitetit ishte njohja e të drejtave të tyre, rritja e vetëdijes për raportimin e rasteve të diskriminimit dhe promovimi i barazisë dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve.

Në përmbyllje, ekipi i terrenit i OSBE-së shpërndau materiale edukative dhe rekreative për fëmijët pjesëmarrës. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.