(2L ONLINE) – Pasi përfundoi me mjaft sukses në edicionin e parë, Liga Komunale “Agim Ramadani”, ka startuar me sezonin e dytë të saj. Organizimi i shkëlqyer që e ka përcjellë këtë ligë në edicionin e parë, ka vazhduar me mjaft sukses edhe në të dytin, me ç’rast skuadra shumë të organizuara në vend janë bërë pjesë e saj.
Palestra e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan, ka hapur dyert edhe njëherë për gjithë dashamirët e futbollit gjilanas, që kanë pas mundësi këtë fundjavë të ndjekin ndeshjet e para të sezonit të dytë në Ligën “Agim Ramadani”.
Ndeshje interesante u zhvilluan në javën e parë, deri sa skuadra që mban emrin e dy dëshmorëve, Skifter dhe Kastriot Arifi, ka startuar në mënyrën më të mirë në Ligën “Agim Ramadani”, duke triumfuar dhe duke bindur me lojë ndaj skuadrës së Dalisë, që këtë edicion ka pësuar shumë ndryshime në radhët e saj.
Skuadra e Karadakut e ka fituar duelin e vjetër përballë Dobërçanit. Një ndeshje mjaft dramatike e cila u vulos në fundin e saj, pasi që fituesi ishte enigmë deri në çastet e fundit.
Ndërkohë, skuadra e Fatbardhit e ka fituar duelin e skuadrave të promovuara këtë edicion ndaj Xixës. Një epërsi e hershme prej tre golave ishte determinuese për fatin e ndeshjes, pasi që krejt çka panë të pranishmit deri në fund, ishte edhe një gol nderi nga skuadra e veshur me ngjyrë blu.
Finalisti i edicionit të shkuar e ka nisur mbarë rrugëtimit drejt sfidës së re, deri sa ka regjistruar fitore në javën e parë të saj. Skuadra, Vëllezërit Aliu më vështirë seç pritej ka mposhtur Verbicën që ka treguar një lojë të shkëlqyer dhe e ka bërë mjaft dramatike ndeshjen.
Skuadra e FSK-së, ka realizuar përmbysjen më të çmendur të javës së parë, deri sa ka mposhtur Las Vegasin. Disavantazhin prej dy golave, fillimisht e shkrinë duke barazuar rezultatin, më pas realizuan edhe dy herë të tjera për të marrë pikët e para të sezonit.
Skuadra e reformuar e MobiCasas ka nisur me barazim aventurën e re, përballë skuadrës së promovuar këtë edicion Migjenit. Dueli ishte mjaft interesant, me dy skuadrat që kishin epërsinë e tyre në duart e veta, por në fund nënshkruajtën barazimin, për të marrë nga një pikë secila.
Nuk ka më mirë se të nisësh sezonin me një fitore në javën e parë. Një gjë të tillë e ka bërë, Katana që ka mposhtur skuadrën e promovuar këtë edicion, Budrikën. Një ndeshje e pëlqyeshme e dy skuadrave që kanë argëtuar pa masë publikun e pranishëm në orët e fundit të vikendit.
/2L ONLINE/ Drilon SYLEJMANI/