(2L ONLINE) – Mesjava ishte e rezervuara për ndeshjet gjysmëfinale të kupës në Ligën “Agim Ramadani”. Palestra e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” priti një numër të madh shikuesish të cilët ndoqën dy ndeshjet e gjysmëfinales. Pas dy ndeshjeve, ‘biletën’ për në finale e morrën skuadrat MobiCasa dhe Living Room.
Dueli i parë i gjysmëfinales ishte ai ndërmjet skuadrës Dobërçani dhe MobiCasas. Ka mjaftuar një gol i vetëm i Liridon Kqikut në minutën e parë që skuadra e MobiCasas të marrë rrugën drejt finales. Përkundër rasteve të shumta të varguara pastaj nga futbollistët e Dobërçanit portat heshtën, duke u dorëzuar kështu para rezultatit të vendosur në minutën e parë.
Dueli i dytë i gjysmëfinales ishte edhe më i zjarrtë. Djemt e Qytetit sfiduan The Living Room. Por, edhe njëherë tjetër skuadra The Living Room fitoi betejën me Djemt e Qytetit. Me dy gola të Malush Qerimit dhe një të Jeton Rukovcit skuadra e cila kryeson edhe klasifikimin në kampionat ia doli të ‘thyejë’ sërish Djemt e Qytetit të cilët golin ngushëllues e gjetën permes Besnik Osmanit në fundin e ndeshjes.
Kështu, The Living Room – MobiCasa pritet të jetë finalja e madhe e Kupës. Orari ende nuk është përcaktuar nga organizatorët, mirëpo qysh tani kanë filluar përgatitjet për këtë supersfidë.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/